Treg

Puna part-time nga halli, Shqipëria ka mesataren më të lartë në rajon

Të punosh me kohë të pjesshme (ose part-time) është me dobi për një student apo gjimnazist.
Por të punosh me kohë të pjesshme kur je kryefamiljar, apo kur ke domosdoshmëri për të mbajtur familjen, puna me kohë të pjesshme kthehet në hall sepse është krejtësisht e pamjaftueshme.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, punësimi me kohë të pjesshme në vendin tonë është më i larti në Ballkanin Perëndimor. Mesatarja e rajonit është 12% ndërsa, në Shqipëri është 19% (punësimi part-time llogaritet si i punësuar në statistikat tona). Pra 26% e të punësuarve kanë një punë të përkohshme.

Në Shqipëri nuk është bërë ndonjë studim në lidhje me këtë lloj punësimi dhe arsyet kryesore që shtyjnë individët të drejtohen kah tij. Por për vendet e BE-së ka një raport lidhur me këtë çështje. Sipas Eurostat, 31.2 mln gra dhe 9.5 mln burra të moshës 20 deri në 64 vjeç kanë punuar part-time në Bashkimin Europian në 2018. Kjo shifër përfaqësoi 19% të totalit të punësimit.

Të anketuarit janë përgjigjur se arsyeja kryesore që punojnë me kohë të pjesshme ishte se “nuk gjenin dot një punë me kohë të plotë” (26%), arsyeja e dytë ishte se “kujdeseshin për fëmijët ose për të rritur të pamundur” (24%).

Burrat (36%) që kanë raportuar se punonin me kohë të pjesshme sepse nuk gjenin dot një punë me kohë të plotë, kanë qenë më të shumtë se gratë (23%) që punonin me kohë të pjesshme për të njëjtën arsye.

Por nga ana tjetër ata burra që punonin me kohë të pjesshme për arsye se kujdeseshin për fëmijët apo të rritur të pamundur, janë më pak se gratë që punonin me kohë të pjesshme për të njëjtën arsye 6% kundrejt 29%.

Përqindja e të punësuarve me kohë të pjesshme për arsye të pamundësisë për të gjetur një punë me kohë të plotë, është më e lartë në Greqi dhe më e ulët në Estoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë