Urdhri i Mjekut kundërshtoi ndryshimet e reja në ligjin për UMSH, i cili parashikonte përcaktim të orarit për mjekët që punojnë në sektorin publik dhe atë privat njëkohësisht, por edhe disa risi të tjera.
Sipas UMSH, asnjë përfaqësues i tyre nuk është thirrur për konsultime për të diskutuar rreth ndryshimeve.
“Ne si përfaqësues të ligjshëm të mjekëve dhe palë e interesuar direkt pritëm dhe kërkuam të thirreshim në diskutimin në detaje nen për nen të ndonjë drafti që do të ndryshonte Ligjin e sipërcituar (siç ka ndodhur më parë në hartimin dhe përmirësimin në tre ligjet e bëra për UMSH nga Kuvendi i Shqipërisë)., shkruhet në reagim.
Mes të tjerash, UMSH është kundër ndryshimeve për Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, i cili tashmë do të bëhet nga Ministria e Shëndetësisë dhe jo më nga Urdhri i Mjekut/
“Me ndryshimet e reja ligjore, UMSH nga edukues kthehet në ndëshkues, nga ent publik jo buxhetor i pavarur profesional kthehet në një shtojcë apo department të Ministrisë së linjës. Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore bëhet nga Ministria e linjës, përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisionit të disiplinës dhe komisionit të apelimit rregullohet me vendim të këshillit të ministrave. Siç shihet, pavarësia humbet plotësisht, nuk ka asnjë element të vetrregullimit apo të vetqeverisjes profesionale siç i kemi patur në përputhje me ligjin dhe tiparet e homologëve ndërkombëtar”.
Për këto arsye Urdhri i Mjekëve i kërkon Kuvendit, Presidentit dhe Qeverisë të rishikohet ky akt normativ dhe përfaqësuesit e tij të jenë pjesë e konsultimeve për të bërë një ligj të ri për UMSH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




