Drejtësia

Publikoi në Kuvend videon e 2 autorëve, Halit Valteri në SPAK për gjyqin e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj

Gazeta Si – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Halit Valteri është paraqitur mëngjesin e kësaj të premteje në SPAKsi dëshmitar në gjyqin ndaj ish-anëtarëve të bandës së Durrësit, Julian Meçe e Plarent Dervishaj, të cilët akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoj nëntorin e vitit 2019, ku u vra shoferi i tij Andi Maloku.

Në qershor 2020, Valteri nxorri në Kuvend videon, të cilën tha se e kishte siguruar nga bizneset në zonën ku ndodhi ngjarja, ndërsa nuk i kurseu akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, asokohe Sandër Lleshajn duke thënë se qeveria është e lidhur me krimin.

Valteri tha se në video shfaqej Redjan Rraja dhe një tjetër person që sipas deputetit, edhe pse me fytyrën e zbuluar ende nuk është identifikuar nga policia me qëllim që ngjarja të mos zbardhej.

Prokurori Arjan Ndoj u shkarkua më 6 maj të vitit 2022 nga KPK nën dyshimin e lidhjeve të shumëfishta me krimin dhe për pasuri të pajustifikuar.

Në vendim, gjithashtu pasqyrohej lidhja e prokurorit Ndoj me Aleksandër Lahon ose “Rrumin e Shijakut’, i cili ishte i pranishëm në makinë me prokurorin në atentatin që iu bë në vitin 2019 tek rrethrrotullimi i Shkozetit.

Ish-prokurori ishte objektivi i të shtënave me armë zjarri, si pasojë e të cilave mbeti i plagosur, ndërsa shoferi i tij Andi Maloku humbi jetën.

Për ngjarjen u dënua me burgim të përjetshëm Redjan Rraja, i cili dyshohet se është një ndër porositësit e atentatit. Ndërsa Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe akuzohen gjithashtu si organizatorë të atentatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë