Nga Gazeta Si- Menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad, motorët e Boeing 787 të Air India, i rrëzuar më 12 qershor, janë fikur, nuk janë ndalur për shkak të ndonjë defekti. Dhe kur kjo ndodhi, njëri nga pilotët i tha tjetrit: “Pse i ndale?”. Duke marrë përgjigjen: “Nuk e bëra unë”. Detaji gjendet në faqen 14 të raportit paraprak të hetimit që autoritetet indiane e publikuan në mbrëmjen e vonë të 11 korrikut. Një dokument që ngre shumë pikëpyetje, por që për herë të parë përqendron shkakun kryesor në atë që ka ndodhur në kabinën e pilotëve.
Paralajmërimet
Siç raporton Corriere, dy burime perëndimore që kanë dijeni për hetimet shpjegojnë se fikja është kryer nga “dikush brenda kabinës”. Sipas hetuesve vendas, sapo avioni u shkëput nga pista, regjistruesi i të dhënave të fluturimit, një nga dy kutitë e zeza, regjistroi se dy ndërprerësit që kontrollojnë rrjedhën e karburantit drejt motorëve u zhvendosën nga “Run” në “Cutoff” “me një interval prej një sekonde”, duke ndalur kështu rrjedhën e vajgurit dhe duke fikur motorët.
Alarmi
Në atë moment një nga dy pilotët bëri atë pyetje, edhe pse raporti nuk specifikon se cila nga frazat u tha nga komandanti dhe cila nga zëvendëskomandanti, as se cili prej tyre dha sinjalin e emergjencës «Mayday, Mayday, Mayday».
Fluturimi AI171 i Air India u rrëzua në periferi të Ahmedabad rreth tridhjetë sekonda pas ngritjes. Avioni, i destinuar për Londër Gatwick, kishte në bord 242 persona dhe pati menjëherë probleme me fuqinë e motorëve. Nga përplasja humbën jetën 270 veta: 241 nga pasagjerët (vetëm një mbijetoi) dhe anëtarët e ekuipazhit, si dhe 29 të tjerë që ndodheshin në mensën universitare ku avioni u përplas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



