Ngjarje

Publikohet Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe, 120 mijë fjalë, u morën 25 hartues

Nga Gazeta Si- Në Ditën e Alfabetit Shqip u prezantua drafti i  fjalorit të përditësuar të Gjuhës Shqipe, i cili është fryt i një pune gati 4 vjeçare dhe do të përmbajë rreth 120 mijë fjalë, gati trefishi i fjalorit aktual.

Kreu i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi zbuloi se fjalori do të hidhet për konsultim të gjerë publik, duke shtuar se ky fjalor është vepër e një pune 4 vjeçare.

Ai theksoi se në këtë vepër janë përfshirë të gjithë fjalorët e mëparshëm si edhe veprat e autorëve shqiptar që nga Buzuku, Fishta dhe Kadareja.

‘Sot në Ditën e Alfabetit paraqesim fjalorin e madh të gjuhës shqipe, vepër kjo e një pune 4 vjeçare e ndërmarr nga akademia e shkencave në bashkëpunim me institucionet e fushës. Nevoja për një fjalor të madh ka lindur me kohë, përpjekjet për hartimin e tij janë bërë që nga viti 2006. Dhe në fund synimi i akademisë ishte kthimi në një institucion aktiv në studimet shkencore dhe për të kryer misionin e saj kryesor në fushën e Albanologjisë zgjodhi që të ideoj 3 projekte madhore përfshirë edhe fjalorin e gjuhës shqipe. Për të hartuar këtë vepër u ftuan të gjithë specialistët e fushës në trojet shqiptare dhe arbërinë. U ngrit një grup prej 25 hartues dhe u krijua një qendër e posaçme pranë akademisë së shkencave.  Për hartimin e tij u krijua një bazë të dhënash elektronike prej një fond prej rreth 800 milionë njësish në të cilat u përfshinë të gjithë fjalorët e mëparshëm si edhe veprat e autorëve shqiptar që nga Buzuku, Fishta dhe Kadareja", tha ai.

Gjinushi tha se fjalori nuk është seleksionues ndaj dialekteve dhe krahinave në përzgjedhjen e fjalëve, të cilat janë përfshirë në fjalor vetëm sipas kritereve shkencore.

“Respektimi i gjuhës standarde do të thotë se çdo fjalë duhet shkruar sipas rregullave të saj pavarësisht se cilit dialekt i përket”, u shpreh Gjinushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë