Është depozituar ne Kuvend projektbuxheti për vitin 2026. I konsideruar si buxheti më i madh në histori për 2026 kap vlerën e 9.2 miliardë eurove.
Ky buxhet pritet të diskutohet në Komisionet parlamentare. Buxheti i përgjithshëm parashikohet të arrijë në 8.8 miliardë euro.
Qeveria programon në buxhetin 2026, 6,8% të ardhura më të larta se buxheti fillestar 2025 dhe 6,8% më shumë se akti i fundit normativ.
Ndërkohë deficiti buxhetor është parashikuar 63 miliardë lekë nga 61 miliardë në aktin e fundit normativ.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni që do të marrë më shumë para, 82.5 miliardë lekë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është institucioni i dytë me vlerën më të madhe, 77.3 miliardë lekë.
Në vitin 2026, financimet për kontratat koncesionare dhe projektet e partneritetit publik-privat (PPP) me mbështetje nga buxheti i shtetit parashikohen të pësojnë një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin paraardhës.
Sipas të dhënave, totali i fondeve për këto projekte zbret nga 13.9 miliardë lekë në vitin 2025 në rreth 12.08 miliardë lekë në vitin 2026. Kjo përfaqëson një tkurrje prej afro 1.85 miliardë lekësh, ose rreth 13.3% më pak.
Në Ministrinë e infrastrukturës dhe Energjisë, financimet për projektet ekzistuese mbeten thuajse të pandryshuara. Ndër projektet kryesore, kontrata për ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbrit ruan nivelin e financimit prej 3.36 miliardë lekësh, ashtu si në vitin 2025, ndërsa shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve parashikohen 660 milionë lekë.
Për dy kontrata kryesore pritet të ulen. Programi i check-up-it për popullsinë 35–70 vjeç parashikohet të financohet me 699.8 milionë lekë në vitin 2026, nga 876 milionë lekë në 2025, ndërsa pagesat për shërbimin e doganave ulen lehtë nga 1.52 në 1.5 miliardë lekë.
Ndërsa projekti i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë dhe shërbimeve të dezinfektimit pëson një tkurrje drastike, duke zbritur nga 1.9 miliardë lekë në 2025 në vetëm 500 milionë lekë në 2026.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



