Kombetarja

Shqipëria ndalet në barazim pa gola nga Çekia në ‘Air Albania’, zbehen shpresat për vendin e parë

Gazeta Si - Mbyllet pa fitues dhe 0-0 sfida mes Shqipërisë dhe Çekisë në stadiumin "Air Albania". Një ndeshje me dy fytyra, ku në pjesën e parë kuqezinjtë luajtën dobët, ndërsa në të dytën treguan karakter dhe forcë në fushë, por pa mundur të shënojnë.

Me këtë rezultat dhe barazimin 1-1 të Gjeorgjisë me Ukrainën këtë të shtunë, mundësitë për kualifikimin më tej, janë më të reduktuara për kuqezinjtë, të kanë 7 pikë në renditje. Të martën në orën 20:45, po në Tiranë luhet sfida e fundit, ku ekipi i Silvinjos pret Ukrainën, e cila ka 5 pikë.

Por, që Shqipëria të dalë në vend të parë, pëveç se duhet të mposhtë Ukrainën, duhet të shpresojë në një barazim me 19 nëntor mes Çekisë dhe Gjeorgjisë, e para me 8 pikë dhe e dyta me 7 pikë në grup.

Shqipëria krijoi vetëm një rast në pjesën e parë me Laçin, ndërsa kundërshtarit i është mohuar dy herë goli nga traversa.

Kuqezinjtë hasën vështirësi në minutat e para me kundërshtarët të cilët zotëruan topin, ndërsa u shfaqën rrezikshëm në dy rastet ku vetëm traversa u mohoi golin.

Në vijimin e një goditje këndi në minutën e 12-të, Jemelka gjuan me kokë, por traversa ndaloi goditjen e tij.

Ndërkohë vetëm pak sekonda më pas Tomas Soucek lëshon një predhë nga jashtë zone por përsëri traversa shpëton portën e Strakoshës me këtë të fundit që devijoi fillimisht topin.

Ndërsa rreziku i vetëm i kuqezinjve erdhi pas një aksioni të bukur, me Qazim Laçin i cili goditi me kokë, po portieri u tregua i gatshëm duke neutralizuar rrezikun.

Sikur të mos mjaftonte loja e dobët në pjesën e parë, Shqipëria humbi dhe Asanin, i cili është detyruar të lërë i dëmtuar fushën e blertë, pasi ka ndjerë shqetësime në muskujt e këmbës.

Në vendin e tij tekniku Sylvinho vendosi të hedhë në fushë Taulant Seferin. Ndërkaq, rezultati mbetet i pandryshuar në 0-0.

Fraksioni i dytë foli më shumë për Shqipërinë, që ishte dominuese në fushë dhe më kërkuese, por pa mundut të rrezikojë.

Me këtë barazim, Shqipëria mban vendin e tretë në Grupin B1 me 7 pikë, ndërsa Çekia ruan vendin e parë me 8 pikë.

Kështu fatet e grupit nuk ndryshojnë, teksa çdo gjë do të vendoset pas tre ditësh, kur Shqipëria pret në “Arenën Kombëtare” Ukrainën.

Formacionet zyrtare

Pak minuta para ndeshjes ndaj Çekisë, trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo ka shuar dilemat për titullarët dhe ka publikuar formacionin zyrtar.

Në sfidën e vlefshme për Grupin B1 në Ligën e Kombeve, Balliu e nis titullar, duke ulur Hysajn në stol, Tuci do të jetë në majën e sulmit dhe Ismajli kapiten.

Në portë do të jetë, Strakosha; në mbrojtje Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj; në mesfushë Ramadani, Asllani, Laçi, Bajrami, Asani; dhe në sulm, Tuci.

Ndërsa Çekia do të luajë me këtë formacion: Kovar, Kufal, Holesh, Jemelka, Boril, Çerv, Suçek, Çerni, Shulc, Provod, Hori: Trajner: Ivan Hashek


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë