Politike

Publikimi i pagave, Basha: Zgjatim i të dhënave të patronazhistëve, SPAK dhe SHISH të hetojë

Përmes një konference për shtyp, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se kryeministri Edi Rama duhet të jepte dorëheqjen pas publikimit të të dhënave personale dhe pagave të 637 mijë qytetarëve.   

“Sot Edi Rama duhet të dilte jo të kërkonte ndjesë, por të jepte dorëheqjen pastaj të kërkonte ndjesë. Në fakt po përpiqet ta zvogëlojë këtë skandal që ekspozon para keqbërësve të çdo lloji mbi 630 mijë bashkëqytetarë tanë dhe familjarët e tyre. Që cenon sigurinë familjare dhe personale dhe që ky pretendon që është çështje teknike, pra çështje bravash dixhitale. Nuk është çështje teknike, nuk është çështje e një punonjësje që paska pasion të ketë në USB pagat e 630 mijë qytetarëve. Nuk ka shqiptar, nuk ka qytetar që të ketë pasione të tilla. Qenia njerëzore është një qenie komplekse dhe gjithësecili mund të ketë pasione të ndryshme, të hapura apo të fshehta. Por, pasion që të kesh në USB apo në hard disk të dhënat personale, rrogat, të ardhurat e 630 mijë qytetarëve ky nuk është pasion. Ky është një akt kriminal. Ky është  një akt kriminal i urdhëruar, ky është  një akt kriminal i përmasave të tilla që nuk ka urdhër  ta bëjë realitet përveçse përfshirjes së personave më të fuqishëm  politikë në vend. Kështu që dhe ndjesa e tij është sa për  të kaluar radhën, sepse kjo nuk është një çështje teknike, është një çështje politike, është një çështje ligjore, është një çështje penal. Është një çështje e pushtetit që lidhet personalisht me Edi Ramën, është pjesë e skemës së patronazhimit për blerjen e votës dhe blerjen e mandatit të tretë”, tha ai

Basha tha se ky skandal është zgjatim i publikimit të të dhënave disa muaj më parë, me skemën e patronazhistëve.

Ai kërkoi nga SPAK dhe SHISH që të vendosin përgjegjësit përpara drejtësisë

“Jemi përpara një tangentopoli, që kërkon një mega proces. I bëj thirrje strukturës së posaçme antikorrupsion, byrosë kombëtare të hetimit, shërbimit informativ kombëtar, të krijojnë menjëherë infrastrukturën e nevojshme, që personat përgjegjës për këtë skandal të arrestohen, pra të mos të lihen në gjendje të lirë, apo në gjendje për tu arratisur, që të nisin menjëherë të gjitha proceset e nevojshme për vënien para përgjegjësisë të personave me mbrojtje politike.

I bëj thirrje përfaqësive të huaja në Tiranë, të ofrojnë të gjithë mbështetjen e nevojshme për strukturën e posaçme antikorrupsion, për strukturat relevante në policinë e shtetit dhe për shërbimin informativ shqiptar, sepse në momentin që flasim, informacionet pranë Partisë Demokratike tregojnë për një presion të jashtëzakonshëm politik nga personat e përfshirë direkt në skandalin e patronazhimit, në këtë aspekt të skandalit të patronazhimit, që është rrjedhja e të dhënave personale, mbi të ardhurat personale të shtetasve, sikundër vazhdon presioni, që skandali i inceneratorëve të mbyllet me Kokën, që është bishti, si i vetmi person nën hetim dhe i arrestuar”, tha Basha i shoqëruar nga Enkeled Alibeaj dhe Jorida Tabaku.

‘I garantoj qytetarët shqiptarë, që pavarësisht ritmit dhe shpejtësisë së lëvizjes së strukturës së posaçme antikorrupsion, e cila dhe një herë, ka gjithë mbështetjen e Partisë Demokratike dhe të opozitës, dhe timen personale si kryetar i saj. Përkundër presioneve nga ata që janë kapur në flagrancë, pavarësisht prej shpejtësisë së lëvizjes së tyre, Partia Demokratike është e vendosur, të zhvillojë me përkushtim, me të gjithë thellësinë dhe pa asnjë ndalesë, atë pjesë që Kushtetuta ia ka garantuar, hetimin e plotë parlamentar, si të masakrës zgjedhore e në veçanti të skandalit të patronazhistëve, ashtu dhe të vjedhjes më të madhe të këtyre 30 viteve, asaj të inceneratorëve”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë