Bota e punës ka pësuar përçarje të mëdha gjatë viteve të fundit – nga trazirat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, deri te pasiguria e vazhdueshme ekonomike me të cilën përballen bizneset sot.
Me kaq shumë ndryshime, njerëzit kanë filluar të rivlerësojnë marrëdhënien e tyre me punën, ndërsa shumë prej tyre marrin në konsideratë jo vetëm mënyrën se si punojnë, por edhe arsyen pse punojnë.
Kjo është reflektuar në tendenca të tilla si “largimi i heshtur” (quiet quitting) – fenomeni ku punonjësit bëjnë vetëm atë për të cilën paguhen dhe jo më shumë, në “largimin e shpejtë” (quick quitting) – ku punonjësit largohen nga një organizatë brenda një viti pas fillimit të punës, për shkak të një sërë arsyesh si mospërputhje e rolit me pritshmëritë e tyre.
Tani po fillojmë të shohim se, gjërat po ndryshojnë përsëri. Studimi i ri nga LinkedIn, me rreth 10.000 profesionistë anembanë globit, zbulon se më shumë se dy të tretat (68%) e punonjësve në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani dhe Irlandë, dhe 87% e punonjësve në SHBA dhe 85% në Brazil, e konsiderojnë të rëndësishme të punojnë për kompani, vlerat e të cilave përputhen me vlerat e tyre.
Vlerat si ekuilibri punë-jetë, rritja në karrierë, të mësuarit, diversiteti dhe përfshirja, janë ato për të cilat njerëzit kujdesen më shumë.
Ajo, që është befasuese, është se pavarësisht klimës aktuale ekonomike, ku kostoja më e lartë e jetesës dhe potenciali i pushimeve nga puna po prekin shumë njerëz, më shumë se gjysma (59%) e profesionistëve në Europë, thonë se nuk do të punonin për një kompani, që nuk ndan vlerat e tyre dhe as rritja e pagave nuk do t’ua ndryshonte mendjen (55%).
Brezat e rinj po udhëheqin tendencën
Brezi Z (mosha 18-25) dhe Mijëvjeçarët (mosha 26-41), po drejtojnë këtë ndryshim. Gati 9 në 10 persona në Europë, thonë se do të linin një punë për të punuar diku tjetër, ku vlerat e tyre me të kompanisë përputhen më mirë, krahasuar me 7 në 10 persona të Brezit X (42-57 vjeç).
Kompanitë po marrin parasysh këto ndryshime. Reklamat e punës në LinkedIn, të cilat përfshijnë vlerat dhe kulturën e kompanisë, janë rritur me 154% gjatë dy viteve të fundit, duke reflektuar tregun e ngushtë të punës dhe rëndësinë në rritje të vlerave të kompanisë për brezat e rinj.
Në veçanti, reklamat për punë, që i referohen balancës punë-jetë, u rritën me 65% gjatë asaj kohe. Postimet e punës, që përmendin vlera si kultura, fleksibiliteti dhe mirëqenia, marrin gati tre herë më shumë shikime dhe dy herë më shumë aplikime sot, sesa dy vjet më parë.
Duke ndjekur kërkesat e punonjësve
Drejtuesi Paul Polman, i cili kohët e fundit botoi kërkime mbi rritjen e “largimit të ndërgjegjshëm nga puna” (conscious quitting), u shpreh se “Punonjësit e korporatave dhe sipërmarrësit më të zgjuar, po e kthejnë këtë në një mundësi, duke u përpjekur të ndërtojnë kompani të guximshme, të ndershme dhe të drejtuara nga misioni, të cilat duan të tërheqin dhe të motivojnë njerëzit më të aftë.
Punëkërkuesit e sotëm, janë qenie njerëzore, që jetojnë në një moment krize të përhershme, dhe shumë prej tyre janë në kërkim të vendeve të punës, që ofrojnë kuptim, integritet dhe shpresë. Kjo tendencë vetëm do të rritet: krijimi i vlerës përmes vlerave, është e ardhmja e biznesit dhe e punës.”
Në fakt, shumë kompani tashmë po ndërmarrin hapa për të përfshirë vlerat në vendin e punës. Kompania e sigurimeve Zurich UK ofron një sërë përfitimesh për punonjësit, në varësi të fazës së jetës ku ndodhen (life stage benefits), nga 16 javë pushim të paguar për baballarët e rinj, te leja për birësim dhe aborte, dhe mbështetje gjatë menopauzës ose humbjes së një familjari.
Kompania gjithashtu reklamon çdo rol, si një mundshësi për të punuar me kohë të pjesshme ose mundësi fleksibël pune, gjë që ka rritur punonjëset femrat me kohë të pjesshme me 95%.
Sipas studimit, profesionistët në Europë po bëhen gjithnjë e më të sigurt, për t’u bërë pyetje punëdhënësve të mundshëm rreth vlerave të kompanisë së tyre, gjatë procesit të intervistës, veçanërisht rreth fleksibilitetit (65%), vetë-shprehjes duke përfshirë kodin e veshjes (58%) dhe çështjet fetare (47 %).
Përforcimi i vlerave të kompanisë
Kompanitë, që përforcojnë kulturën dhe vlerat, do të shpërblehen përmes tërheqjes, mbajtjes dhe motivimit të talenteve, të cilat në tregun e sotëm të kufizuar të punës, janë të paçmueshme.
Këto tre udhëzime mund t’u vijnë në ndihmë bizneseve:
Ndërtoni një strategji të unifikuar të markës
Sot, kufiri ndarës midis palëve të interesuara të një kompanie, si klientët, punonjësit, partnerët dhe investitorët, është i paqartë. Kompanitë, që tregojnë një histori të unifikuar te korporatat dhe konsumatorët, ku vlerat e tyre janë thelbësore, do të shohin një ndikim pozitiv në reputacion.
Përfaqësimi ka rëndësi
Shumë kompani thonë se, diversiteti dhe përfshirja janë të rëndësishme, por ato duhet ta tregojnë atë. Sigurohuni, që përshkrimet e vendeve të punës të jenë gjithëpërfshirëse, panelet e intervistave të jenë të larmishme, fuqia juaj punëtore të përfaqësohet në markën tuaj të punëdhënësit dhe të ketë rrugë të qarta për lëvizje të brendshme dhe përparim në karrierë.
Shfaqini vlerat tuaja në LinkedIn
Punëkërkuesit po vlerësojnë gjithnjë e më shumë punëdhënësit, bazuar në vlerat e kompanisë së tyre. Organizatat mund të shtojnë dhe tregojnë prova të angazhimeve të tyre në faqen e tyre të kompanisë në LinkedIn, e cila do të shfaqet në postimet e punës, duke ndihmuar kompanitë të tërheqin talente të shkëlqyera.
Kur flitet për vlerat, është më e rëndësishme se kurrë, të udhëheqësh duke dhënë shembullin e mirë. Kjo do të thotë të jesh i qartë se, cilat janë vlerat e tua, t’i tregosh ato dhe të kërkosh respektimin e tyre nga të gjithë.
Burimi: World Economic Forum/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



