Analize

Pse vizita e fundit e Lajçak në Prishtinë nxiti ‘qëndrime idhnake’ të qeverisë së Kosovës

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria e Kosovës nuk ngeli fort e kënaqur nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai deklaroi prerë se nëse Kosova nuk themelon Asociacionin dhe nëse Serbia nuk njeh Kosovën, të dy vendet nuk do të marrin në korrik paratë nga Fondi i Rritjes gjashtë miliardë eurosh i BE-së për rajonin.

“Për Serbinë dhe Kosovën ky disbursim parash është i kushtëzuar nga konstruktiviteti për angazhim në dialog dhe jam unë ai që e jap vlerësimin për atë konstruktivitet”, deklaroi Lajçak me të dalë nga takimi me kryenegociatorin Bislimi.

Kaq mjaftoi që brenda 24 orëve, Bislimi sëbashku me ministren e jashtme Donika Gërvalla të fajësonin Bashkimin Europian jo vetëm për kushtëzimin e mjeteve nga Fondi i Rritjes por edhe për masat e vendosura ndaj Kosovës, duke kursyer nga ky trekëndësh vendet anëtare të cilat në fakt i kanë vendosur këto masa.

Bislimi në një dalje të tij ‘u përpëlit’ me idhnim të zhveshte Lajçakun nga funksioni i përsonit që ka në dorë fatin e fondeve.

“Tash situata është pak më e komplikuar, për arsye se si parakusht për disbursimin e pjesës së parë nga Fondi i Rritjes apo Groëth Plan që pritet të bëhet në korrik bëhet pas një vlerësimi të Lajçakut që bëhet rreth konstruktivitetit të palëve. Ky konstruktivitet do të varet nga ajo se në ç’masë palët e pranojnë edhe planin e sekuencimit si bazë. Serbia do ta ketë sfidë të thotë që unë e kam një plan të sekuencimit të një marrëveshje të cilën nuk e njoh se ekziston. Serbia do të detyrohet të pranojë që ka një marrëveshje me Kosovën dhe duhet ta zbatojë të njëjtën”, është shprehur Bislimi ndërsa shtoi se nuk është Lajçak ai që vendos për fondet.

“Lajçaku nuk vendos për fondet. Lajçaku raporton për konstruktivitetin e palëve; raport ky që pastaj përdoret nga komisioni për të vlerësuar në qoftë se do të disbursojnë mjetet apo jo”, deklaroi mandej.

Lajçak 'kushtëzoi' Kosovën dhe Serbinë me Fondin e Rritjes prej 6mld lekësh

“Masat ia vlejtën… edhe nëse janë pesëfish aq…sepse u ruajt sovraniteti”

Ndërkohë që kryediplomati Josep Borrell ka dorëzuar tek shtetet anëtare raportin që rekomandon heqjen e masave, Gërvalla u tregua edhe më e ashpër duke drejtuar gishtin e akuzës ndaj BE-së.

Ndërsa ia atribuoi këtë paaftësi Brukselit dhe jo vendeve anëtare, ajo i konsideroi masat krejt të pakuptimta.

“Kam vendosur që të mos i komentoj ato masa, sepse me duken tërësisht të pakuptimta. Dhe e dyta, janë shprehje e paaftësisë së Brukselit. Pra të Bashkimit Europian, jo të shteteve anëtare, por të strukturave burokratike të BE-së për të gjetur zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ajo duke shtuar se BE-ja po bën eksperimente me Kosovën.

“Prandaj, bëhen eksperimente, prandaj bëhet propozime të cilat tre ditë më pas ndryshojnë. Kështu që, detyrë e jona është që të jemi konstruktiv në proces, të vijmë vazhdimisht me propozime të cilat i ndihmojnë komunitetit jo shqiptar në Kosovë, pra komunitet serb, boshnjak, ashkali, romë, egjiptian dhe gjithë të tjerëve, dhe të mos bëjmë gabime, ose të paktën të mos kontribuojmë në përkeqësimin e gabimeve që janë bërë në të kaluarën”, deklaroi Gërvalla.

Ndërkohë edhe Bislimi, për masat, prej të cilave aludohet se Kosova në një vit ka pësuar rreth 300 milionë euro dëme nga mungesa e projekteve, tha me nerv se ia kanë vlejtur për aq kohë sa Kosova ka ruajtur sovranitetin.

Nuk dihet ende nëse këto kritika po vijnë si pasojë e njoftimit se Lajçak do të ketë një mandat të zgjatur me kompetenca shtesë megjithatë është pak por e sigurt se qeveria e Kosovës do duhet “të bëjë si të bëjë” me të deri në janar…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë