Analize

Pse Trump po kërcënon të bllokojë një ngushticë që Irani tashmë e ka bllokuar

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti Donald Trump po kërcënon të bllokojë Ngushticën e Hormuzit- një rrugë detare jetike që ai vetë ka kërkuar vazhdimisht të rihapet pa kushte.

“Me efekt të menjëhershëm, Marina e Shteteve të Bashkuara, më e mira në botë, do të nisë procesin e Bllokimit të çdo anijeje që përpiqet të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit,” shkroi Trump të dielën në mëngjes në Truth Social.

“Në një moment do të arrijmë te formula ‘Të gjithë hyjnë, të gjithë dalin’, por Irani nuk e ka lejuar këtë.”

Vendimi i Iran për të kufizuar kalimin e cisternave të naftës ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për vendet që varen nga nafta e Lindjes së Mesme dhe ka shtyrë çmimet lart në mbarë botën -përfshirë edhe në SHBA.

Pra, pse do të donte Trump të bllokonte pikërisht ngushticën që thotë se duhet rihapur?

Në fakt, ngushtica nuk është teknikisht e mbyllur- Irani ka lejuar gradualisht kalimin e disa cisternave kundrejt një tarife që arrin deri në 2 milionë dollarë për anije.

Më e rëndësishmja, gjatë luftës Irani ka lejuar edhe eksportet e veta të naftës: deri në mars kishte eksportuar mesatarisht 1.85 milion fuçi naftë në ditë- rreth 100 mijë më shumë se në tre muajt e mëparshëm.

Duke bllokuar ngushticën, Trump mund t’i presë Iranit një burim kyç financimi për qeverinë dhe operacionet ushtarake.

Por kjo është një levë që administrata ka hezituar ta përdorë: nëse ngushtica bllokohet, edhe për naftën iraniane, çmimi global i naftës mund të shpërthejë.

Pikërisht për këtë arsye Marina amerikane deri tani ka lejuar cisternat iraniane të kalojnë. Çdo fuçi që del nga rajoni ndihmon sadopak në frenimin e çmimeve.

Madje, SHBA i dha Iranit në mars një licencë të përkohshme për të shitur naftën që kishte mbetur në cisterna.

SHBA e ka sanksionuar naftën iraniane me ndërprerje prej dekadash, dhe administrata Trump i kishte bllokuar shitjet që kur u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018.

Por heqja e përkohshme e sanksioneve muajin e kaluar liroi rreth 140 milionë fuçi- sasi që mjafton për të mbuluar kërkesën botërore për rreth një ditë e gjysmë.

Megjithatë, kjo lëvizje pati kosto politike: praktikisht i dha Iranit mundësinë të financojë luftën përmes shitjes së naftës. Dhe Irani përfitoi shumë, duke e shitur me çmim më të lartë se standardi ndërkombëtar Brent.

Rritja e çmimeve të karburantit e ka vënë administratën Trump nën presion për ta mbyllur luftën sa më shpejt.

Lirimi i rezervave strategjike dhe lehtësimi i përkohshëm i eksporteve iraniane e ruse i dhanë pak kohë.

Tani, Trump po rrezikon të çojë edhe më lart çmimet e naftës dhe gazit për të rritur presionin maksimal ndaj Iranit që të ndalë luftën./ CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë