Para

Pse shqiptarët nuk mund të tregtojnë individualisht kriptomonedhat

Shqiptarët e interesuar për investime apo tregtim të parasë digjitale në Shqipëri nuk do munden ta bëjnë atë pa një agjent apo ndërmjetës. Ata duhet të operojnë në Bursat DLT, Distributed ledger technology, (Teknologjia  e Regjistrave të Shpërndarë) në subjektet e licencuara nga AMF.

Në komunikim me Gazetasi.al, përfaqësues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në vend, shpjegojnë se një individ nuk mund të kryejë veprimtaritë që ka subjekti i licencuar, siç janë, tregtimi i tokenave digjitalë, përdorimi i tyre për shërbime apo pagesa, kthimi i parave tradicionale në monedha virtuale ose e anasjella dhe tregtimi i tokenëve digjitalë të titujve. Sipas rregullores për kriptomonedhat, janë vetëm 3 lloje licencash që mund t’i jepen subjekteve të interesuara për Bursë DLT.

Të treja të ndara sipas renditjes në kategori A, B, C.

“Individët në Shqipëri mund të tregtojnë token digjital/monedha virtuale në platforma bursash DLT të licencuara në përputhje me legjislacionin mbi ‘Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë’”,- shpjegon përfaqësuesi i AMF.

Në pyetjen mbi procesin e monitorimit të një veprimtarie të tillë, përfaqësuesi i AMF-së, i përgjigjet gazetasi.al se mbikëqyrja e subjekteve do të jetë në bazë risku, sipas veprimtarisë dhe modelit të biznesit.

“Monitorimi do të kryhet kryesisht “off-site”, përmes softuerëve analitikë të “blockchain”-eve të ndryshme dhe gjithashtu përmes inspektimeve në vend, pranë zyrave të subjekteve të mbikëqyrura, në përputhje me planin e inspektimit të miratuar nga Autoriteti.”

AMF  thotë se do të ketë një bashkëpunim me homologët ndërkombëtarë duke qenë se një aktivitet i tillë i kalon kufijtë, teksa është në pritje të realizimit të disa marrëveshjeve bilaterale mbi tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë