Ne rrjet

Pse shpërtheu hapur lufta mes Moskës dhe mercenarëve të Wagner?

Lufta për pushtet mes grupit Wagner dhe ushtrisë së rregullt ruse është shkallëzuar. Në Rostov kanë marshuar trupat Wagner, ndërsa në Moskë shpallet gjendja e alarmit nga terrori.

Konflikti ziente prej kohësh por tani ka shpërthyer hapur.

Nga Rusia njoftohet për një kryengritje të mundshme të kreut të trupës militariste Wagner, Jevgeni Prigozhin kundër ushtrisë së rregullt ruse. Kreu i trupës, Prigoshin, me ushtarët që kanë qenë në Ukrainë kaloi kufirin për në Rusi.

Ata kanë mbërritur në Rostov mbi Don, deklaroi Prigozhin në një video të publikuar në Telegram. “Godinat ushtarake në Rostov, mes tyre edhe një aeroport ushtarak janë nën kontroll”, tha Prigoshin në video. Të dhënat nuk mund të verifikohen.

Sipas tij, ai do të negociojë me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigun dhe ka siguruar, se ky aksion nuk është "puç ushtarak". Ai ka akuzuar Moskën për sulm kundër trupave të tij.

Më tej Prigozhin ka thënë, se hyrja në Rostov nuk pengon “operacionin special ushtarak” të Rusisë. Nga aeroporti ushtarak avionët vazhdojnë të ngirhen sipas planit, ka thënë Prigozhin. “Avionët (…) ngrihen sipas orarit.”

Por më tej Prigozhin ka thënë, se ai dhe ushtarët e tij janë gati “deri në fund” të veprojnë kundër ushtrisë ruse e të shkojnë deri në Moskë, nëse Shoigu dhe kreu i shtabit Valeri vijnë tek ai.

Në një njoftim të tjetër, thuhej se është qëlluar një helikopter rus, që kishte hapur zjarr kundër një konvoi civil.

Ushtarë Wagner në Rostov mbi Don, pamje nga agjencia ruse TASS

FSB kërkon nga ushtarët Wagner arrestimin e Prigozhin

Ministria e Mbrojtjes në Moskë u bën thirrje ushtarëve Wagner të mos ndjekin urdhrat e Prigozhin, dhe se janë “mashtruar e futur në një aventurë kriminele”.

Shërbimi sekret rus,FSB kishte apeluar më parë ndaj ushtarëve të grupit Wagner të arrestojnë shefin e tyre.

“Ne i bëjmë thirrje luftëtarëve të ushtrisë private, (…) të ndalin të gjiha veprimet ushtarake kundër popullit rus, të mos ndjekin urdhrat kriminele dhe tradhtare të Prigoshin dhe të marrin masa për arrestimin e tij”, thuhej në një deklaratë të FSB.

Deklaratat e Prigozhin janë “një thirrje për konflikt të armatosur civil brenda territorit rus.”

Në qendër të Moskës kanë dalë në rrugë tanket. Në kryeqytetin rus janë rritur masat e sigurisë dhe të gjitha objektet e rëndësishme janë nën vëzhgim të shtuar, ka bërë të ditur agjencia shtetërore TASS. Në Moskë Komiteti për Luftimin e Terrorizmit kanë shpallur gjendjen e alarmit në rast terrori në Moskë. /DW


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë