Analize

Pse Serbia nuk u prek nga pezullimi i vizave amerikane

Nga Gazeta ‘Si’- Ajo që ra në sy në dokumentin e SHBA për pezullimin e vizave imigruese, ishte fakti që Serbia mbeti jashtë listës së vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfshira në masë.

Megjithëse vendimi ka bazë statistikore, përjashtimi i Serbisë nuk është pa peshë politike.

Në një Ballkan të përfshirë pothuajse tërësisht në listë, mungesa e Beogradit krijon perceptimin e një trajtimi të veçantë, edhe pse zyrtarisht SHBA nuk ka dhënë asnjë shpjegim politik për këtë diferencim.

Në pamje të parë, ky përjashtim duket i pazakontë sidomos duke patur parasysh faktin që vendet e rajonit ndajnë profile të ngjashme emigracioni drejt SHBA-së.

Por një vështrim më i thelluar mbi logjikën e listës së Trumpit dhe të dhënat që e shoqërojnë atë, ndihmon për të kuptuar arsyet.

Lista e publikuar nga Trumpi në fakt mbështetet te të dhënat mbi përdorimin e asistencës sociale nga familjet emigrante në SHBA, e njohur si “Immigrant Welfare Recipient Rates by Country of Origin”.

Një tabelë, e publikuar nga Trumpi në Truth Social më 4 janar të këtij viti, ditë përpara se ai të merrte vendimin për vizat, renditi vendet nga të cilat një përqindje e konsiderueshme e emigrantëve përfitojnë programe si SNAP, Medicaid apo ndihma të tjera federale.

Në këtë kontekst, ajo që dallohet në listë është se Shqipëria dhe Kosova renditen me përqindje të larta, mbi 40%, çka i bën ato të prekshme nga politikat kufizuese që Trump i lidh drejtpërdrejt me konceptin e “public charge” – frikën se emigrantët mund të bëhen barrë për shtetin amerikan.

Serbia nuk kishte shifra të raportuara në tabelë, që sugjeron se niveli i përfitimit të asistencës sociale nga emigrantët serbë në SHBA ishte më i ulët (ose statistikisht nën pragun e kërkuar për t’u renditur). Kjo e ka nxjerrë jashtë filtrit kryesor mbi të cilin u ndërtua vendimi për pezullimin e vizave.

Kjo nuk do të thotë se emigrantët serbë nuk marrin fare asistencë por se niveli i përftimit të tyre nuk konsiderohet problematik nga administrata amerikane, të paktën në raport me vendet e tjera të rajonit.

Referuar analizave të publikuara në mediat e huaja, lista e Trumpit nuk përfshin çdo shtet, por vetëm ata që kalojnë një prag të caktuar statistikor.

Profili i emigracionit serb

Një faktor tjetër që mbështet përjashtimin e Serbisë mund të lidhet edhe me strukturën e emigracionit serb në SHBA.

Emigracioni nga Serbia, historikisht ka qenë më i orientuar drejt punësimit, drejt vizave profesionale dhe drejt lidhjeve familjare të konsoliduara, gjë që ul probabilitetin e varësisë nga ndihma sociale.

Kjo, e diferencon Serbinë nga vendet e tjera të rajonit ku emigracioni ka patur shpesh karakter më të gjerë ekonomik dhe social.

Megjithatë, mungesa e transparencës së plotë nga autoritetet amerikane lë hapësirë për interpretime dhe debate, veçanërisht në një rajon ku politika e vizave mbetet një temë e ndjeshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë shoqëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë