Ne rrjet

Pse rrëzimi i një droni është i ndërlikuar?

Ndër të tjera, sistemet e përdorura për t’ia arritur, janë shumë më të shtrenjta se vetë dronët

Gazeta Si – Pasi disa dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake natën e 9-10 shtatorit, debati është rikthyer në masën në të cilën vendet e Bashkimit Evropian (veçanërisht ato në Lindje, të cilat për këtë arsye janë më të ekspozuara ndaj një sulmi të mundshëm rus), janë vërtet të përgatitura për të kapur dhe rrëzuar sulmet me dronë nga ushtria e Putinit.

Qeveria polake tha se rrëzoi gjithsej katër, nga rreth 20 dronë, duke demonstruar se kapja dhe rrëzimi i tyre në kohë nuk është i lehtë dhe mbi të gjitha, shumë i kushtueshëm.

Dronët nuk shkaktuan vdekje ose lëndime, megjithëse njëri goditi një shtëpi në Wyryki-Wola, një qytet në Poloninë lindore.

Një dron, me fjalë të thjeshta, është një mjet ajror pa pilot, pothuajse gjithmonë i kontrolluar nga distanca.

Dronët mund të përdoren për qëllime të ndryshme: ndër të tjera, ata mund të lëshojnë raketa ose të përmbajnë eksplozivë që shpërthejnë kur droni përplaset në objektivin e tij.

Njerëz që vëzhgojnë dronë rusë të dëmtuar në Kiev, Ukrainë, në qershor 2025

Sipas raporteve fillestare, të paktën disa nga ata që shkelën hapësirën ajrore polake, ishin “Gerbera”: dronë të vegjël dhe të lirë që mund të mbajnë bomba të vogla dhe shpesh përdoren për të shpërqendruar mbrojtjen kundërajrore në përgatitje për një sulm më të madh.

Në fakt, ndërhyrja dhe rrëzimi i një droni ushtarak është një operacion i ndërlikuar. Dronët mund të jenë shumë të vegjël, të fluturojnë shumë afër tokës dhe të jenë bërë pothuajse tërësisht nga materiale jometalike, të cilat i bëjnë ata më të vështirë për t’u zbuluar me radar.

Një problem tjetër i madh, është se dronët shpesh mund të prodhohen me kosto relativisht të ulëta, ndërsa raketat e përdorura për t’i rrëzuar ato, janë shumë më të shtrenjta.

Ky ndryshim ka një ndikim të rëndësishëm në projektimin e sistemeve mbrojtëse që janë të qëndrueshme në planin afatgjatë.

Ushtria gjermane, e cila ka një kontingjent ushtarësh që mbrojnë aeroportin polak në Rzeszów me sisteme mbrojtëse “Patriot”, të cilat mund të ishin përdorur për të kapur dhe rrëzuar dronët, tha se mori një alarm në lidhje me dronët, por nuk ndërhyri për arsye ekonomike: një raketë “Patriot” kushton midis 250,000 dhe 3 milionë euro, ndërsa dronët që shkelën hapësirën ajrore polake, kushtuan rreth 40,000 euro.

Ky ndryshim në kosto konsiderohet “një problem i madh” nga ushtria gjermane. Një analist i forcave ajrore britanike, shpjegoi gjithashtu për “Times” se nuk ka shumë kuptim të përdoret një raketë “Patriot” për të shkatërruar një dron të armatosur me një bombë të vogël, kur në teori një mitraloz do të ishte i mjaftueshëm për ta rrëzuar atë.

Kryeministri polak Donald Tusk shpjegoi se ushtria rrëzoi dronët që i konsideronte më kërcënues midis atyre që hynë në Poloni. Për ta bërë këtë, u përdorën avionë ushtarakë polakë dhe aleatë të NATO-s.

Dron i dyshuar rus në Poloni

Megjithatë, disa ekspertë kanë vënë re se kjo metodë është gjithashtu e kushtueshme dhe joefektive dhe se sistemet mbrojtëse të Polonisë janë ende të pamjaftueshme, veçanërisht kur përballen me një sulm në shkallë të gjerë: domethënë, një sulm në të cilin qindra dronë të vegjël lëshohen për të mbingarkuar mbrojtjen e një vendi përpara se të godasin me dronë dhe raketa më të fuqishme.

Për disa vite, Polonia ka investuar shumë në mbrojtjen e saj. Një pjesë e këtij investimi, pjesë e një plani më të gjerë të quajtur “East Shield” (“Mburoja Lindore”), përfshin gjithashtu sisteme më efektive të mbrojtjes nga dronët.

Megjithatë, zbatimi i yre do të kërkojë kohë: për shembull, ajo ka blerë radarë të rinj nga Shtetet e Bashkuara, të cilët, megjithatë, nuk do të dorëzohen deri në vitin 2027. Shtetet baltike dhe Finlanda kanë nisur gjithashtu programe të ngjashme.

Një mundësi është gjithashtu përdorimi i dronëve për të kapur ato ruse, një masë që po jep rezultate të mira në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Komisioneri Lituanez për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, kanë thënë se Bashkimi Evropian duhet të ndërtojë “një mur me dronë” përgjatë kufirit të tij lindor, ai që është më i ekspozuar ndaj sulmeve të mundshme ruse.

Megjithatë, ky plan do të duhet pak kohë për t’u zbatuar, pasi BE aktualisht nuk ka mjaftueshëm dronë për t’i bërë ballë një sulmi në shkallë të gjerë.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë