Gazeta Si – Spektakël, kampionë, gola të bukur, variante taktike të ndryshme, emocione dhe rezultate të hapura deri në fund. Championsi është turneu që tregon se ku do të shkojë topi në të ardhmen…
Nëse dikush mendonte se Siti e ka të sigurt kupën, duhet të mendohet edhe një herë. Do të ketë argëtim deri në finalen e “Uemblit”. Nuk ka një padron në këtë Champions, në fakt nuk ka pasur kurrë një padron, sepse në më shumë se 30 vjet histori, vetëm Real Madrid i Ronaldos dhe Zidan ka mundur të rikonfirmohet sezonin pasardhës.

Ka ndeshje që mbeten në memorie, si Real Madrid-Siti, gola fantastikë, sfidë e hapur për çdo rezultat, kualifikime në fije të perit dhe lojtarë të mëdhenj, si Bernardo Silva, Foden e Vinicius që eklipsojnë ata me pritshmëritë më të larta, si Haland dhe Belingam. Spektakli më i bukur pas ‘big bang’ të një turneu që sportivisht surprizon dhe rinovohet, duke ndryshuar protagonistë dhe duke propozuar gjithmonë zgjidhje të reja tekniko-taktike (dhe jo vetëm).
Ku do të shkojë futbolli i së ardhmes, e thotë Championsi. Dhe të frikëson mendimi se dikush dëshiron që ta shkatërrojë këtë lojë në emër të një turneu të vendeve fikse për miqtë e miqve. Një turne që do të do të shërbente vetëm për të pasuruar kasat e klubeve, të lojtarëve dhe agjentëve të tyre, në pritje të Championsit me eliminim direkt.
Turneu i ardhshëm zgjeron grupin nga 6 në 8 ndeshje, por e kompenson ‘shqetësimin’ me një klasifikim unik që do të jetë një ferr për ata që mendojnë të transferohen në Europë me kalkulimet që bëhen në kampionat.

Siti dhe Real Madrid kalkulime nuk bëjnë kurrë, falë Zotit! Ky Real pa një qendërsulmues dhe me një Belingam në një ditë jo të mirë adaptohet ndaj zotërimit dhe dominimit të Guardiolës, duke u përgjigjur me pragmatizmin e Ançelotit. Dhe për një herë 3-3 është rezultati perfekt dhe jo pasojë e gabimeve apo lojës së lehtë.
Golat e Foden, Gvardiol dhe Valverde nuk shihen çdo ditë. Por edhe kundërsulmet e Vinicius e Rodrigo duhet të studiohen nga ata që mendojnë se kundërsulmi është të vraposh më shpejt se mbrojtësit, si në vitet ‘70.
Edhe Arsenal-Bajern nuk kishte asnjë moment pauze. Anglezët kërkuan zgjidhje më të studiuara, me një Zhorzhinjo që i sjell buzqeshjen Spaletit në prag të Europianit. Gjermanët zgjodhën linjat vertikale, duke propozuar një futboll shumë më agresiv dhe dominues se ai në Bundesligë. 2-2 do të thotë se edhe në Mynih do të ketë rrahje zemre.
Real Madrid-Siti është një emocion i pambarimtë, një përmbledhje universitare teorish futbolli në një leksion prej 90 minutash. Pa qenë në gjendje të kalojnë njëri-tjetrin në atë që mund të ishte një finale, por është thjesht një ndeshje e pare cerekfinale.
Siti zotëron manovrat dhe topat, zë hapësirat dhe sulmon me të gjithë, përveç portierit, për të shfrytëzuar të famshit 5 “kanalet” dhe e bën duke hedhur në fushë sulmues e jo mbrojtës krahu. Në mënyrë të pashmangshme, megjithatë, duhet të pranojë rrezikun e zbulimit kundër ekipit që di të jetë më vdekjeprurës edhe në ‘vrimat e gjilpërës’.

Reali godet në kundërsulm, është Reali i zakonshëm i Ançelotit, që duket i shtrirë në tapet, por ngrihet sërish sikur energjitë rrjedhin nga historia e tij. Njëzetë minutat e fundit të Modriç – i cili për fatin e keq të futbollit nuk mban më një ndeshje të tërë – ribalancojnë superfuqinë e Guardiolës për të komanduar, megjithëse mungesa e De Bryjne dhe Haland jo në formë nuk janë lehtësisht të zëvendësueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




