Politike

‘Pse qeveria injoron të gjitha rekomandimet për Butrintin?’ / Zhupa interpelancë me ministrin e Kulturës. Gonxhja: AADF s’ka projekte biznesi

Nga Gazeta Si- Në seancën e sotme parlamentare është zhvilluar një interpelancë me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhaj, kërkuar nga deputetja e PD, Ina Zhupa për Parkun e Butrintit.

Deputetja e PD-së Ina Zhupa i drejtoi Gonxhes disa pyetje, mes tyre edhe “Pse qeveria injoron të gjitha rekomandimet e UNESCO? Çfarë interesi ka qeveria të rrezikohet pasuria e mbrojtur? Pse nuk i pyesni për asgjë ekspertet tanë?”

Deputetja Zhupa deklaroi sot në Kuvend se në bordin e menaxhimit të fondacionit të Butrintit janë marrë njerëz pa përvojë dhe se Butrinti i është dhënë një koncesionari që nuk ka njohuri, që ndjek interesin privat dhe që nuk zbaton atë që thotë UNESCO.

Gjithashtu, ajo kërkoi edhe shpjegim se përse rekomandimet nuk kthehen në dokumente pune për qeverinë.

Në përgjigjen e tij ndaj deputetes Zhupa, ministri Gonxhja tha se MEKI ka dorëzuar para dy muajsh të gjitha hartat e digjitalizuara për të cilat është kërkuar të njehsohen me ato të vitit 1999.

Sipas ministrit, nuk ka asnjë pikëpyetje tjetër sa i takon këtij vendimi dhe miratimi unanimisht në Indi, në Qendrën e Trashëgimisë Botërore është një përshëndetje për punën e bërë.

“Ne po punojmë dhe jemi duke përmbyllur një plan veprimi, kompleks në vetvete, që synon forcimin e rolit të institucioneve publike, në zbatimin e një plani të integruar të menaxhimit të një pasurie botërore”, u shpreh Gonxhja.

Ministri hodhi poshtë pretendimet se nuk është përfshirë ekspertiza shqiptare në këtë process.

“MEKI nuk ka për qellim të fshehë këto “detyra shtëpie”, të cilat janë pjesë e punës tonë, dedikimit dhe programeve tona tashmë të miratuara në organet vendimmarrëse”, tha Gonxhja në kuvend.

Sa i përket akuzave të Zhupës për mbrojtjen e interesave të AADF dhe jo interesave publike, kreu i MEKI-t tha se ky fond i dedikohet Shqipërisë, si program që i dedikohet një misioni që ka lidhje me interesin publik dhe jo atë privat dhe nuk ka asnjë lidhje me koncesion.

“Nuk kemi të bëjmë me PPP dhe koncesione. AADF nuk ka asnjë qëllim me fitimprurjen. Ky fondacion nuk ka lidhje me asnjë ndërrmjarje që ka nga pas një biznes”, u shpreh Gonxhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë