E sapokthyer nga SHBA, ku ndodhej në krye të një delegacioni të LSI-së në një konferencë të organizuar nga ish-kongresmenë amerikanë, Monika Kryemadhi organizoi një bashkëbisedim me gazetarët, ku në qendër kishte vendimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për negociatat.
Edhe LSI, ashtu si PD thotë se negociatat jo vetëm që nuk janë hapur dhe nuk ka asnjë afat për hapjen e tyre, por janë vendosur edhe kushte të reja.
“Shqipërisë nuk i çelen negociatat, sepse nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet, të cilat janë vendosur në vitin e fundit, madje Këshilli rrëzon dhe rekomandimin, pasi është artikuluar nga Komisioni për hapjen e negociatave pa kushte dhe rivendos kushtet e vjetëra, por vendos dhe kushte të reja për Shqipërinë dhe sidomos për qeverinë shqiptare”, deklaroi ajo.
Kujtoi reformën në drejtësi dhe progresin e ngadaltë të Vettingut.
“Në gjashtë muajt e fundit janë kryer vetëm 25 raste të Vettingut, kur janë edhe 800 të tjera për t’u kryer. Pra në rastin më të mirë, do të duhet që Reforma në Drejtësi të funksionojë pas 16 vjetëve. Pra I bie që një nga 5 kushtet kryesore që kanë qenë në lidhje me Reformën në Drejtësi e shtynë jashtëzakonisht në kohë nëse ne do të ecim me këto ritme”, thotë Kryemadhi.
Fajëson mazhorancën për zvarritjen e kësaj reforme.
“Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë së Hetimit janë kushte të rëndësishme, të cilat përsëri ne shikojmë mungesë vullneti nga mazhoranca për ta ngitur, sepse ata i kanë shanset dhe mundësitë për ta ngritur Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por ky institucion nuk ngrihet për të vetmin shkak, sepse ngritja e këtij institucioni do të krijonte ngritjen e menjëhershme të SPAK dhe të Byrosë së Hetimit, e cila do të vinte përballë përgjegjësisë qeverinë dhe shumë politikanë, apo dhe shumë institucione të tjera që kanë qenë nën ndikimin e korrupsionit”, shprehet kryetarja e LSI-së.
Ashtu si Lulzim Basha të premten, flet për rënie të institucioneve që garantojnë shtetin ligjor, duke kujtuar këtu mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Duke iu rikthyer çështjes së negociatave paralajmëron se vështirësitë për Shqipërinë janë shumëfishuar.
“Këshilli ka vendosur për herë të parë në procesin e vendimmarrjes për negociatat, që jo vetëm Komisioni Europian të raportojë në plotësimin e kushteve, por para se të merret vendimi duhet të ratifikohet në të gjitha parlamentet. Deri më sot ne kishim vetëm dy parlamente europiane si Gjermania dhe Hollanda, ata të cilët do të ratifikonin hapjen e negociatave. Tashmë që këtej e tutje do të kemi 27 parlamente, në të cilën do të përballet hapja e negociatave të Shqipërisë. Kjo do të thotë që në realitetet e ardhshme që ne do të presim, do të jenë realitete më të vështira, do ta kushtëzojnë dhe do ta vështirësojnë jashtëzakonisht shumë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, thotë Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së thotë gjithashtu se një ndër gjetjet e Këshillit është edhe mungesa e rezultateve konkrete në luftën kundër të ashtuquajturve “Peshq të mëdhenj”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.