Zona të tëra në Shqipëri përmbyten sa herë që bie shi. Por ndërsa vërshimet (përfshi edhe ato të ditëve të fundit) tashmë janë kthyer edhe në një debat mes politikës, ekspertë të mjedisit i shtrijnë në kohë fajtorët për gjendjen ku ndodhemi. Sipas tyre, masakra gati 30-vjeçare mbi pyjet, jo thjesht dhe vetëm atyre pranë baseneve ujore, por edhe atyre në majë të malit, është një nga shkaqet kryesore pse Shqipëria përmbytet.
“Puna e përmbytjeve nuk është aq e thjeshtë sa ç’portretizohet, nuk është thjeshtë punë ndërtimesh rreth zonës së rrezikut”, thotë për Gazetasi.al Aleksandër Trajçe, drejtor i PPNEA (Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri) kur pyetet për masat që duhet të marrë Shqipëria për të ‘shpëtuar’ nga përmbytjet që janë bërë tashmë të përvitshme.

Ai tregon se dukuria e përmbytjeve ndikohet në fillim nga ndryshimet klimatike dhe është fakt tashmë se përmbytjet e mëdha po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më agresive. “Nëse njerëzit nuk reagojnë dhe nuk kuptojnë rëndësinë e ndryshimeve klimatike, do të kemi çdo herë e më shumë përmbytje sidomos në zona fushore bregdetare”, shprehet ai
Trajce thotë se përmbytje të cilat ndodhnin një herë në 100 vjet, ne po i shohim praktikisht çdo dhjetor apo çdo janar. Sipas tij, jo më larg se javën që kaloi, përsëri në Novoselë pati përmbytje, mbi 20 shtëpi që praktikisht i mbuloi uji pavarësisht se reshjet e rëna nuk justifikonin atë lloj përmbytjeje.
Ambientalisti Lavdosh Feruni e shpjegon dukurinë e përmbytjeve me një shembull të thjeshtë.

“Nëse i heq disa tjegulla çatisë, do të përmbytet shtëpia nëse bie shi për disa ditë me radhë. Ashtu edhe nëse priten pemët në brigjet e lumit, do të për mbytet shtëpia pranë lumit”, thotë Feruni. Sipas tij, vetëm Vjosës duhet t’i rikthehen mijëra drurë të prerë në basenin pranë saj.
“Tashmë, jo vetëm shoqëria civile, por edhe shkencëtarë nga gjithë bota që e konsiderojnë lumin Vjosa, si një ekosistem shumë të veçantë dhe të rrallë, së paku në Europë kanë bërë thirrje që Vjosa të shpallet Park Kombëtar dhe duke qenë i tillë kërkohet ripyllëzimi i ultësirës së ulët”, thotë ai.
Eksperti Trajçe ndërkohë shpjegon dinamikën e veçantë në Shqipëri që kontribuon shumë tek përmbytjet.
“Basenet ujore të lumenjve janë shpyllëzuar masivisht. Në 30 vitet e fundit ka pasur një degradim të jashtëzakonshëm të pyjeve në pjesën e lartë të baseneve. Ndërkohë që ka një ide se përmbytja ndodh në fushë, por në fakt përmbytja fillon që te mali dhe nëse bie shiu në mal por nuk ka pyje që ta ndalojë atë shi, ai ujë ku do të shkojë? Do të vërshojë në fushë. Pra, nuk është më problem fakti që nuk punon hidrovori apo u bllokuan kanalet, pasi këto janë pjesa fundore e problemit”, thotë Trajce për Gazetasi.al.
Sipas ekspertëve, shkatërrimi i pyjeve është një nga shkaqet më direkte për përmbytje, pasi pikërisht atë ujë që dikur e mbanin pyjet, nuk e linin që të vërshonte pasi e thithnin pemët, krijonin rolin e një sfungjeri natyror, tashmë nuk ka çfarë ta mbajë. “Tani kemi erozion të tokave, vërshime masive nëpër dete dhe lumenj dhe normal që lumi do të dalë nga shtrati më shpesh sepse ka më pak sfungjer në pjesën e sipërme për të mbajtur ujë”, thotë Trajçe.
Sipas tij, pjesa e basenit të sipërm të lumit të Vjosës, por edhe vetë rrjedha e lumit, ka pasur ndërhyrje të jashtëzakonshme dhe për ekstratimin ilegal të inerteve të asaj pjese të zhavorrit që është përdorur ilegalisht pastaj për ndërtimet. Kjo ndikon në balancën e shtratit lumor dhe sa më shumë të ndërhysh në shtratin natyror lumor të lumit, aq më vulnerabël e bën atë pastaj ndaj vërshimeve madhore të ujit sepse lumi e gjen vetë rrugën dhe shtratin e vet.
Ekspertët e mjedisit hedhin poshtë edhe idenë e kryeministrit Edi Rama, i cili para pak ditësh deklaroi se zgjidhje kundër përmbytjeve do të ishte ngritja e digave dhe HEC-eve. Deklaratat e Rama i bëri gjatë vizitës në zonat e përmbytura nga Vjosa në Fier dhe Vlorë. “Për sa kohë ku do të mbahet lumë i egër dhe ne duam ta mbajmë lumë të egër, përsa kohë asnjë hidrocentral dhe digë nuk do të lejohet, kjo vetvetiu i ka ato risqet e veta. E bukur shumë është egërsia e lumit, por pastaj….”, tha Rama.
Por sipas kreut të PPNEA, “hidrocentralet jo vetëm që nuk i parandalojnë përmbytjet, por e shtojnë më tepër rrezikun e përmbytjeve”. Për këtë Trajçe përmend shembullin e përmbytjeve katastrofike të para disa viteve në Shkodër, megjithëse mbi lumin Drin nuk ka një hidrocentral, por katër të tillë.
“Kur nuk e mbajnë përmbytjen katër hidrocentrale, si mund ta mbajë një hidrocentral?” ngre pyetjen Trajçe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



