Analize

Pse Perëndimi duhet të bëjë gjithçka që Rusia të mposhtet në Ukrainë

Nga Gazeta ‘Si’-Ata planifikonin ta pushtonin Kievin brenda 3 ditësh, ndërsa pjesën tjetër të Ukrainës për 6 javë. Por më shumë se 21 muaj më vonë, forcat ruse janë tërhequr nga gjysma e territorit që pushtuan në shkurtin e vitit të kaluar. Të paktën 88.000 ushtarë rusë ka të ngjarë të kenë humbur jetën – një vlerësim ky shumë minimalist – dhe të paktën 2 herë më shumë janë plagosur.

Janë shkatërruar pajisje me vlerë miliarda dollarë, tanke, avionë, artileri, helikopterë, automjete të blinduara dhe anije luftarake ruse. Nëse do të ishte parashikuar kjo gjë para luftës – dhe në fakt askush nuk e bëri – do të dukej si diçka fantastike. Askush nuk e besonte se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, një komedian profesionist, mund të drejtonte një vend në luftë, se bota demokratike do të ishte mjaftueshëm e bashkuar për ta ndihmuar, apo se presidenti rus Vladimir Putin do të përballej me një poshtërim të tillë.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë arritur diçka të jashtëzakonshme:  Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata jo vetëm që e kanë ruajtur shtetin ukrainas, por janë përballur si duhet me një agresor, nihilizmi i të cilit e dëmton të gjithë botën. Putini mbështet lëvizjet e ekstremit të djathtë dhe ekstremiste në Evropë, dërgon mercenarët për të mbështetur diktaturat afrikane dhe bashkëpunon me Kinën, Iranin, Venezuelën dhe autokracitë e tjera.

Në fillim ai shpresonte se lufta e tij do të tregonte se fuqia amerikane dhe aleancat amerikane mund të mposhten jo vetëm në Ukrainë, por kudo tjetër. Ai ende shpreson në diçka të tillë, ndaj lufta mbetet një mjet i dobishëm për të. Luftimet krijojnë mungesa ushqimore në Afrikë, duke gjeneruar kështu më shumë trazira dhe më shumë kërkesë për mercenarët rusë.

Ndërkaq lufta po nxit pakënaqësi edhe në Evropë, duke u dhënë një shtysë partive pro-ruse. Amerikanët dhe evropianët i shohin trazirat nga vendi në vend si një seri konfliktesh të izoluara, por Putini nuk mendon se Ukraina dhe Lindja e Mesme i përkasin sferave konkurruese të ndryshme.

Përkundrazi, që kur ka shpërthyer konflikti i ri në Gaza, ai i ka thelluar marrëdhëniet e tij me Iranin, ka ftuar liderët e Hamasit në Moskë dhe ka sulmuar Izraelin për shkak të lidhjeve të tij me SHBA-në, duke shpresuar se përhapja e dhunës do të reduktojë mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën.

Dronët iranianë kanë terrorizuar qytetet e Ukrainës. Nga ana tjetër Irani, u shpërndan armë ruse micilive të tij në rajon. Hezbollahu mendohet se ka raketa ruse kundër anijeve, të cilat mund t’i përdorë në çdo moment kundër luftanijeve amerikane të pozicionuara në Mesdhe.

Lufta e aleatëve kundër Rusisë në Ukrainë, e ka dëmtuar aftësinë e Rusisë për të projektuar fuqi negative në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Por pavarësisht humbjeve të tij të jashtëzakonshme, Putin beson ende se koha është në anën e tij.

Nëse ai s’mund të fitojë në fushën e betejës, ai do të fitojë duke përdorur intrigat politike dhe presionin ekonomik. Po ashtu ai do të presë fragmentimin e botës demokratike dhe do ta inkurajojë këtë gjë. Vladimir Putin do të presë që ukrainasit të lodhen së rezistuari, do të presë që Donald Trump të fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA, dhe do të bëjë gjithçka që ka në dorë që kjo gjë të ndodhë.

Tani për tani, Putin i mban varur shpresat e tij tek republikanët në SHBA që përsërisin propagandën ruse – si për shembull senatori J.D.Vance, që i bën jehonë retorikës ruse për luftën në Ukrainë, që sipas saj po çon në “kaos global” dhe “përshkallëzim të konfliktit”. Ndërkohë kongresmeni republikan Matt Gaetz, citoi së fundmi si provë një burim të medias shtetërore kineze, ndërsa foli për neo-nazistët e dyshuar ukrainas në një seancë dëgjimore në Kongres.

Vivek Ramaswamy, një kandidat presidencial nga radhët e Partisë Republikane, e ka quajtur nazist presidentin ukrainas Zelensky, edhe pse ai është hebre. Është e sigurt se Putin do të jetë duke e brohoritur kreun e ri të Kongresit, republikanin Mike Johnson, që po vonon me vetëdije të plotë ndihmën ushtarake dhe financiare që i duhet Ukrainës për ta vazhduar luftën kundër pushtuesit.

Projektligji shtesë që ai refuzon të miratojë, përfshin paratë që do t’i pajisin ukrainasit me sistemet e mbrojtjes ajrore që u nevojiten për të mbrojtur qytetet e tyre, por edhe mbështetjen fiskale që u nevojitet për të mbajtur në këmbë ekonominë dhe infrastrukturën e tyre kryesore gjatë muajve të ardhshëm.

SHBA-ja mbulon aktualisht 1/3 e nevojave financiare të Ukrainës. Pjesa tjetër vjen nga Bashkimi Evropian, institucionet globale dhe taksat e paguara dhe obligacionet e blera nga vetë ukrainasit. Por pa këtë ndihmë Ukraina do të ketë të vështirë t’i mbijetojë dimrit që po vjen.

Rezistenca e republikanëve për ta ndihmuar Ukrainën të luftojë një kundërshtar të SHBA-së, bazohet në dëshirën perverse për ta parë presidentin Joe Biden të dështojë. Një arsye tjetër buron nga frika se Ukraina nuk është në gjendje të fitojë. Kundërofensiva e Ukrainës verës që shkoi pati njëfarë suksesi, sidomos në Detin e Zi, ku një kombinim i dronëve dhe raketave e ka dobësuar rëndë flotën ruse, duke detyruar disa nga anijet e saj të largohen nga porti i Krimesë, Sebastopol.

Por përparimi në tokë ishte më i ngadaltë. Aftësia e Ukrainës për t’i shkaktuar Rusisë shumë viktima, nuk mjaftoi për të krijuar një reagim apo një rishqyrtim të qëndrimit në Moskë. Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjeneral Valery Zaluzhny, ka folur kohët e fundit për një “ngërç” në fushën e betejës.

Edhe pse Zaluzhny ka folur në detaje për teknologjinë që i nevojitet për të çuar përpara ushtrinë e tij dhe për të thyer atë ngërç, deklarata e tij ka ripërtërirë diskutimet në Perëndim mbi një armëpushim. Madje disa po bëjnë thirrje për një armëpushim që fsheh pas synime dashakeqe.

Në fakt, ata duan një fitore të Rusisë, ose të paktën një humbje për Joe Biden. Ndërkohë të tjerët janë në favor të një armëpushim me qëllimet më të mira. Ata besojnë se për shkak se Putin nuk do të dorëzohet asnjëherë, dëmi ndaj Ukrainës duhet të jetë i kufizuar. Kohët e fundit, kam dëgjuar shpesh disa njerëz me qëllime të mira, që të gjithë mbështetës të Ukrainës, të argumentojnë se ky konflikt mund të përfundojë siç përfundoi dikur Lufta Koreane, me kufijtë e ngrirë në vijën aktuale të frontit dhe me pjesën tjetër të Ukrainës, si Koreja e Jugut, që do të mbrohet nga një garanci amerikane e sigurisë, dhe madje edhe nga vetë bazat amerikane që do të ngrihen atje.

Por të gjitha këto sugjerime, qëllimmira ose jo, kanë të njëjtën të metë: Një armëpushim, i përkohshëm ose ndryshe, do të thotë se të dyja palët duhet të ndalojnë së luftuari. Tani për tani, edhe nëse Zelensky pranon të negociojë, nuk ka asnjë provë se Putini e do këtë gjë, se ai dëshiron të ndalojë së luftuari apo se ka dashur ndonjëherë ta bëjë këtë.

Është e vërtetë se zyrtarët perëndimorë kanë diskutime periodike me homologët e tyre rusë lidhur me këtë çështje, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti. Për më tepër, s’ka asnjë provë se Putini dëshiron ta ndajë Ukrainën, duke mbajtur vetëm territoret që ka pushtuar pushton, dhe duke lejuar që pjesa tjetër të përparojë si Koreja e Jugut.

Synimi i tij mbetet shkatërrimi i gjithë Ukrainës, dhe aleatët dhe propaganduesit e tij po flasin ende sesi pasi ta arrijë këtë qëllim, ai do ta zgjerojnë më tej perandorinë e tyre. Vetëm javën e kaluar, ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, botoi një artikull në mediat ruse duke e quajtur Poloninë si “armiken historike” të Rusisë, dhe duke i kërcënuar polakët edhe me humbjen e shtetit të tyre.

Mesazhi ishte krejtësisht i qartë:Ne e kemi pushtuam Poloninë më parë, dhe mund ta bëjmë sërish këtë gjë. Në këtë kuptim, sfida që paraqet Putin për Evropën dhe pjesës tjetër të botës është e pandryshuar nga shkurti i vitit 2022. Nëse ne braktisim atë që kemi arritur deri më tani dhe heqim dorë nga mbështetja për Ukrainën, rezultati mund të jetë ende pushtimi ushtarak ose politik i Ukrainës.

Dhe ky i fundit mund ta fuqizojë ende Iranin, Venezuelën, Sirinë dhe pjesën tjetër të aleatëve të Putinit. Por mund ta inkurajojë edhe Kinën të pushtojë Tajvanin. Dhe mund të krijojë një lloj të ri Evrope, në të cilën Polonia, shtetet baltike dhe madje edhe Gjermania do gjenden në një kërcënim të vazhdueshëm fizik, me të gjitha pasojat e saj negative për tregtinë dhe prosperitetin.

E vërteta e zymtë, është se kjo luftë do të përfundojë për mirë vetëm kur të vdesë përfundimisht ëndrra neo-perandorake e Rusisë. E për këtë, ne duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit.

Së pari, duhet të kuptojmë më thellë se deri tani, se kemi hyrë në një epokë të re të konfliktit të fuqive të mëdha. Rusët e dinë tashmë këtë, ndaj kanë kaluar në një ekonomi lufte në shkallë të plotë. Dyzet për qind e buxhetit të shtetit atje, shpenzohet tani çdo vit për prodhimin ushtarak, ose rreth 10 për qind e PBB-së, një nivel i paparë për dekada.

As SHBA-ja dhe as aleatët e saj evropianë nuk kanë bërë diçka të tillë, dhe ende ne nuk po ecim aq shpejt sa duhet në atë drejtim. Dhe së dyti, duhet të nisim t’i ndihmojmë ukrainasit që ta zhvillojnë këtë luftë sikur të ishim duke e luftuar ne atë, duke e ndryshuar procesin tonë të ngadaltë të vendimmarrjes në përputhje me emergjencën e momentit.

Ukraina i mori shumë vonë armët për kundërsulmin e verës, duke u dhënë kohë rusëve për të ndërtuar fusha të minuara dhe kurthe për tanket. Duke mësuar se si të luftojmë Rusinë, një autokraci të sofistikuar me ambicie globale, ne do të jemi më të përgatitur për konflikte të mëvonshme, edhe më të mëdha, gjithnjë nëse do të ketë ndonjëherë një luftë më të gjerë me Kinën ose Iranin.

Marrë me shkurtime nga The Atlantic/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë