Nga Kirill Rogov –Javët e fundit media dhe opinion-bërësit në Perëndim, janë kapluar nga pesimizmi në lidhje me fatin e luftës në Ukrainë. Kundërofensiva e kësaj të fundit, e nisur që gjatë verës dhe e vazhduar përgjatë gjithë vjeshtës, ka zhgënjyer në raport me pritshmëritë e mëdha.
Rrjedhjet e informacioneve në media, tregojnë se zyrtarët perëndimorë kanë hapur tashmë me homologët ukrainas çështjen e bisedimeve të mundshme të paqes me Rusinë. Ndërkaq republikanët në fraksionin e Donald Trump, po e mbajnë të bllokuar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën.
Fakti që një ngërç në fushën e betejës do të ushqente pesimizëm, nuk është aspak befasues. Por argumenti për reduktimin e mbështetjes për Ukrainën, bazohet në interpretimin e luftës atje si mjaft të izoluar dhe humbjen e territorit si tragjike dhe të padrejtë, por jo ekzistenciale për Perëndimin, dhe as unike në kohët moderne.
Kjo perspektivë i jep Perëndimit opsionin se kur dhe si ta administrojë ndihmën e tij për Ukrainën, dhe kur ta reduktojë apo ndalojë atë. Kjo logjikë është e gabuar, dhe perspektiva – sado e përshtatshme të jetë – lë jashtë vëmendjes një panoramë më të madhe edhe më shqetësuese.
Larg nga të qenit një konflikt i izoluar, lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës ka sjellë shfaqjen e një vale revizionizmi në politikën ndërkombëtare. Lufta e rrufeshme e Azerbajxhanit kundër enklavës etnikisht armene Nagorno-Karabakh dhe sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, mund të jenë të ndryshme në shkallën e tyre, por ato burojnë nga një kauzë e njëjtë:dobësimi i garancive dhe i dispozitave që ruanin ekuilibrin e fuqisë, duke inkurajuar lojtarët më herët të frenuar që ta sfidojnë atë ekuilibër.
Logjika e revizionizmit, sugjeron se çdo dështim i Perëndimit për të vendosur në punë strategjinë e parandalimit të konflikteve dhe çdo tërheqje taktike – në Ukrainë, Siri, Azerbajxhan apo Lindjen e Mesme – është në fakt një hap tjetër në rrugën drejt çmontimit të dominimit të tij gjeopolitik.
Ata që i kërkojnë sot Ukrainës të negociojë me Putinin, duhet të kuptojnë se ky i funit është në përgjithësi i interesuar për dy gjëra. E para ta detyrojë Ukrainën të njohë dhe të pranojë pushtimet e tij – më së paku korridorin tokësor të Rusisë drejt Krimesë – si fakte të ndodhura tashmë.
E dyta të poshtërojë Perëndimin, duke treguar se ai nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e saj, dhe se në fund do ta tradhtojë Ukrainën. Ekspertët pranë Kremlinit po citojnë tashmë atë që ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, kujton se i tha diktatori i Sirisë Hafez Assad pas luftës së Yom Kippur të vitit 1973: “Ju amerikanët keni tradhtuar Vietnamin. Një ditë do të shisni Tajvanin. Dhe ne do të jemi aty kur ju të lodheni edhe nga Izraeli”.
Revizionistët marrin zemër nga këto fjalë. Vendet që qenë më herët rehat nga garancitë e SHBA-së, ndihen sot shumë të shqetësuara. Në një raport të kohëve të fundit, “Rand Corporation”, një institut kërkimor mbi politikën globale, i kërkoi SHBA-së të ofrojë garanci shtesë për angazhimin e saj bërthamor ndaj Koresë së Jugut, e cila po humb e besimin tek garancitë amerikane dhe po shqyrton mundësinë e fillimit të programin e saj të armëve bërthamore, për t’u përballur me një kërcënim në rritje nga Koreja e Veriut dhe Kina.
Ky shqetësim pasqyron një ndryshim thelbësor të situatës. Për shumë dekada, garancitë e sigurisë të ofruara nga Amerika, u panë nga aleatët si shumë të qëndrueshme. Tani ky perceptim po ndryshon. Një nga arsyet është paaftësia e botës për ta ndalur programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Një tjetër është rënia e besimit tek konsensusi politik dypartiak që kërkohet në Uashington, me synimin që Amerika të përmbushë bindshëm angazhimet e saj. Revizionistët po përparojnë jo nga besimi tek forca e tyre relative, por nga dyshimet mbi vendosmërinë e hegjemonit.
S’ka asnjë dyshim se Amerika është më e fortë ushtarakisht se Koreja e Veriut, Rusia dhe Kina, dhe këta të fundit e dinë këtë. Por po ashtu e dinë se mund ta kompensojnë dobësinë e tyre relative me vendosmërinë dhe oreksin e tyre për të ndërmarrë veprime te rrezikshme.
Në vitin e parë të luftës në Ukrainë, Perëndimi ngurroi t’i dërgonte Kievit armët e tij më të përparuara, duke i dhënë kohë Rusisë të përgatitej për një luftë të gjatë llogoresh me pasoja shumë shkatërruese.
Edhe diskutimi aktual mbi “lodhjen” nga lufta nuk është gjë tjetër veçse një eufemizëm, i përdorur për t’iu shmangur detyrimeve për një ndihmë afatgjatë ndaj Ukrainës në një luftë të gjatë dhe me rezultate të paqarta. Në një sondazh të kohëve të fundit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) dhe Universitetin e Oksfordit, i kryer në 21 vende të botës, vetëm në Amerikë, gjysma ose më shumë e të anketuarve shprehën besimin se Ukraina do ta fitojë luftën brenda 5 viteve.
Pikëpamja mbizotëruese në Jugun Global është se Rusia do të dalë fitimtare, duke nxjerrë në pah mosbesimin që ka ndaj premtimeve të Perëndimit se do ta ndihmojë Ukrainën. Ndërsa Perëndimi po reflekton mbi pengesat që ka hasur kundërsulmi ukrainas, Rusia, Kina dhe Jugu Global po analizojnë dështimin e Perëndimit në frenimin dhe ndëshkimin e agresionit të Vladimir Putinit.
Dhe në logjikën e revizionizmit, grumbullimi i këtyre pengesave e afron momentin kur Perëndimi do të përballet me një sfidë shumë më të madhe, qoftë mbi Gadishullin Korean apo Tajvan. Në rast se Perëndimi ndihet i lodhur dhe i zhgënjyer me Ukrainën, ai vështirë se ka luksin të presë edhe pak për ta ripërtërirë veten.
Diskutimet mbi lodhjen nga kjo luftë dhe nevojën për negociata me Moskën, vetëm sa e forcojnë vendosmërinë e presidentit rus Putin, që është krye-revizionisti i rendit botëror aktual të udhëhequr nga SHBA-ja.
Ai ka vënë bast se Perëndimi do ta braktisë në fund Ukrainën, për shkak të lidhjes nga kostot e rezistencës së saj. Rezultati i vetëm i negociatave që do ta kënaqte atë, qëndron përtej çdo gjëje që mund të pranojë Ukraina. Përkrahësit e bisedimeve të paqes në Perëndim, argumentojnë se çdo marrëveshje duhet të shoqërohet me garanci “të forta” sigurie për Ukrainën.
Por ata nuk e sqarojnë natyrën e këtyre garancive. Në realitet, garancia e vetme e besueshme është angazhimi zyrtar i NATO-s për të hyrë në lufte kundër Putinit, nëse nesër ky i fundit i shkel kufijtë mbi të cilët është rënë dakord. Por ky angazhim, mund të jetë edhe më pak i këndshëm në Perëndim sesa mbështetja e vazhdueshme ndaj Ukrainës.
Për më tepër, Perëndimi nuk ka asnjë opsion “ngrirjeje” në këtë luftë, që vjen pa kosto të mëdha, sepse dështimi për të treguar vendosmërinë e tij dhe për të ndërmarrë rreziqe, do të frymëzonte sfida të reja për fuqinë e tij, me rreziqe gjithnjë e më të mëdha.
Rritja e sfidës së revizionizmit ndaj rendit botërore aktual, nuk duket më si një fantazi në mendjet e strategëve në Moskë dhe Pekin. Dhe e vetmja mënyrë për ta ndaluar atë, është që Perëndimi të provojë besueshmërinë e tij me vepra dhe jo me fjalë.
Burimi: The Economist/Përshtati Gazeta Si
Shënim:Kirill Rogov, politilog dhe analisti rus. Ai është anëtar i Institutit për Shkenca Humane në Vjenë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




