Mjedis

Pse nuk duhet të preket Malit i shenjtë i Tomorrit

Që prej vitit 2018, kur u ndalua për herë të parë veprimtaria e guroreve, një rrjedhë ngjarjesh çoi në protestën e banorëve të zonës për të mbrojtur Malin e Tomorrit. Fill pas këtyre ngjarjeve Ministria e Mjedisit mori vendimin për të zgjeruar hartën e Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit.
Profesori i Gjeoshkencës dhe ambjentalisti Sazan Guri shprehet për Gazetën “Si” se ky ka qenë vendimi i duhur pasi nxjerrja e gurëve gëlqerorë, (që teknikisht profesori e cilëson si minierë sipërfaqësore), kryhet në një lartësi ku dëmtohen veç të tjerash edhe bimët medicinale. Sipas tij Guri shprehet për Gazetën “Si” se mënyra e nxjerrjes së gurit, ka një rregull që karrierat të gërmojnë në formën e një kërmilli dhe me rrugë të brendshme.
“Nëse Mali i Tomorit do të kishte një karrierë (gurore), nuk do të ishte mirë të gërmoje, por e zëmë se do ta gërmonim në rrugë industriale, atëherë do të kishte një karrierë dhe jo 200 të tilla industriale, të cilat e kanë bërë malin copa-copa, e kanë gërvishtur dhe më saktë e kanë përdhunuar. Të gjitha karrierat janë në një marrëdhënie përdhunuese me malin. Nuk ka inxhinier gjeolog që do të thotë se kjo është mënyra më e mirë e nxjerrjes së gurit, jo absolutisht,” thotë Guri për Gazetën “Si”.

Sazan Guri

Sipas tij, kjo është vetëm njëra pjesë shqetësuese për sa i përket gërmimit në këtë mal. Ai thotë se në Malin e Tomorrit ndërthuren një sërë vlerash historike, fetare dhe gjeologjike. Ky mal është quajtur mali i zotave dhe nga njerëzit shihet si qendër kulti.
Ndër të tjera eksperti thekson se Mali i Tomorit është qendra më e madhe furnizuese me ujë për mijërave banorë në qytetet e Skraparit, Poliçanit, Beratit, Kuçovës, Lushnjës e deri në Kavajë. Guri shprehet se tronditja me mina që bëjnë guroret, ndikon te uji. Burimet jo vetëm ndoten fizikisht nga gëlqerorët, nga plasjet e mëdha që bëhen, por edhe lëshohen më shumë grimca gëlqerore në ujë. Në kohën që ka shira gjithë këto grimca shkojnë në zonat e sipërpërmendura dhe uji bëhet i papijshëm.
Disa ditë më parë Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi vendimin për zgjerimin e Parkut Kombëtar të Tomorit, pasi gjykata rrëzoi vendimin që qeveria mori në vitin 2018 për mbylljen e guroreve. Sipas vendimit sipërfaqja e Parkut Kombëtar të Tomorit, ishte rreth 24 mijë e 800 ha dhe shkoi deri në 26 mijë ha. Gjithashtu edhe ministri i mjedisit, Blendi Klosi deklaroi për mediat se ky vendimi i jep fund shfrytëzimit.
“Zgjerimin e sipërfaqes së parkut kombëtar “Mali i Tomorit”, me një sipërfaqe prej 1383.0758 ha, sipas hartës dhe kufijve të paraqitur në tabelën e koordinatave, përkatësisht në shtojcat 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi”, thuhet në pikën 1 të projektvendimit të siguruar nga Gazeta “Si”.

Harta e projektit të qeverisë ku zgjerohet zona e Parkut, e ngjyrosur me të kuqe

“Ato 200 karriera mund të bëheshin 1 e madhe, mund të gjendej një pozicion që të mos kishte pamje estetike nga rruga, të ishte diçka e brendshme, e fshehur dhe e rrethuar me pemë, e të ishe në formën e kërmillit. Përpos faktit estetik, nuk duhej të ngacmohej në një gjykim të ftohtë, sepse duke qenë mal i shenjtë nuk mund ta prekësh. Fare mirë mund të shkonin në një tjetër mal, ku është i njëjti shkëmb po që është 5 kilometra më gjatë, siç është Mali i Kostëncës, që mund të japë të njëjtën sasi guri sa Tomorri, por që nuk është vend kulti, nuk është burim ujor,” shton Guri.
Sipas tij, Ministria e Mjedisit ka shumë të drejtë dhe duhet ndihmuar, edhe nga qytetarët e ekspertët. Ai shprehet se është diçka e mirë që Ministria arriti të ndalonte në shkallën e parë aktivitetin e këtyre bizneseve.

Guroret në Malin e Tomorit. Foto arkive/ Gazeta Si, 5 shtator 2019

“Qëllimi i Ministrisë ishte të zgjeronte zonën e mbrojtur, të përfshinte edhe zonat ku janë kryer gërmime që të mos punohej më aty. Të gjitha hartat e parqeve kombëtare janë dyfishuar, sepse vetëm kështu mund t’i mbrojmë këto sipërfaqe nga këta të babëzitur. Shumë shpesh kam dëgjuar shprehjen se “do të ushqehen”, por ka shumë forma më të mira ushqimi. Kështu po shkatërrohet mjedisi dhe duke u vetëshkatërruar nuk kemi ca ushqehemi nesër. Tomori dhe shumë male të tjera mund të nxjerrin çajra që prodhohen në lartësinë 800-1500 metra, të cila përfitohen nga kripërat që ka vetë shkëmbi dhe një bimë medicinale që del nga shkëmbinjtë e Shqipërisë, është një mijë herë më e mirë se sa në një zonë tjetër. Për shembull një kilogram sherebel mund të jetë më e madhe në vlerë, se sa një metër-kub shkëmb. Atëherë pse të mos bëjmë një punë të paqme që, është mbledhja e këtyre bimëve dhe të ruajmë zhvillimin e qëndrueshëm,” shtoi Guri.
Tashmë vendimi për zgjerimin e territorit të Parkun Kombëtar në Malin e Tomorit u mor dhe do të ndalohen aktivitetet e nxjerrjes së gurit, edhe në zonat që aktualisht janë të pambrojtura. Por ende pritet edhe reagimi që do të ndërmarrin 10 firmat e guroreve që operojnë në këtë zonë, nëse do të ankimojnë sërish këtë VKM të qeverisë. Guri shton se nuk na intereson të fitojnë 30 vetë, kur 200 mijë të tjerë mund të jenë me probleme shëndetësore. Sipas tij, bizneset duhet ta rehabilitojë këtë zonë, sepse e kanë për detyrë që ta rrethojnë me pyll dhe të mbjellin trefishin e pyjeve të asaj ç'kanë prerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë