Politike

Pse ngeci Marrëveshja për Detin? Greqia: Fajin e ka Shqipëria

Ngecien e negociatave për caktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, Athina ja faturon përplasjeve të brendshme mes institucioneve shqiptare.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias thotë se puna nuk është bllokuar as nga Ministria e Jashtme shqiptare dhe as nga ajo greke. Sipas tij, bllokimi është çështje administrative që lidhet me ato që po ndodhin në Tiranë, përfshirë edhe reformën në drejtësi dhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese në vendin tonë.

“Negociatat nuk kanë ngecur as tek ne dhe as tek ministria e tyre e Jashtme, por tek problemet administrative që ka Shqipëria, që nga mosmarrëveshjet e Presidentit me Qeverinë dhe tek fakti që Gjykata Kushtetuese, ajo që duhet të vulosë këtë marrëveshje nuk është e plotë në këtë moment dhe nuk mund ta kryejë këtë funksion të nevojshëm”, deklaroi kryediplomati grek një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas në Athinë.

Kufiri detar është një prej çështjeve më të ndjeshme në bisedimet mes Tiranës dhe Athinës. Opozitat në të dyja vendet flasin për tradhti kombëtare.

Në qershor të këtij viti, ish-Kryeministri Sali Berisha tha se ka informacione nga burime, që i quajti “të 2-3 fishta” se me Greqinë nuk po ndodh asnjë negociatë, por imponim nga Athina.

“Së pari, grekët në mënyrën më arrogante dhe prepotente i kanë dorëzuar palës shqipëtare marrëveshjen përfundimtare dhe i kanë thënë: Merreni se për këtë s’ka asnjë koment, asnjë diskutim. Pra, që s’mund ta komentojmë e diskutojmë”, deklaroi ai.

Ish-Kryeministri Sali Berisha gjate nje deklarate per gazetaret para Kuvendit. Foto LSA

Së dyti, Berisha thotë se në marrëveshje, grekët bëjnë të qartë ndalimin e fjalëve “koncesione” dhe “ekuiti” për zonën ekonomike. Në arsyen e tretë, ish-Kryeministri flet për refuzim të marrëveshjes nga një pjesë e anëtarëve dhe për tradhti nga dy prej tyre. Akuzoi edhe Kryeministrin Rama se po kërcënon anëtarët e delegacionit shqiptar.

“Disa anëtarë të delagacionit kanë shprehur refuzimin e plotë, kanë bërë letra për shefat e tyre ku i njoftojnë për imponimin që kërkon të bëjë pala greke. Skapi famoz dhe agjenti Muçollari arrinin që të falsifikojnë edhe minutat e diskutimeve, të bindin për të firmosur letra pasi janë hequr gjërat nga aty. Dy persona secili më i zi se tjetri, Skapi famoz dhe spiuni Muçollari i njohur se punon në çdo rast kundër Shqipërisë. Nga Edi Rama, anëtarët kanë marrë kërcënime për largime imediate nga Athina dhe bisedimet”, deklaronte ai.

Vetë Kryeministri Edi Rama prej kohësh nuk flet më për afate, por në fund të korrikut foli për ‘tradhtarët’.

Kryeministri Edi Rama gjate nje aktiviteti ne Kryeministri

“Në domeinin publik ka “tradhtarë” në të dy anët. “Tradhtarë” në qeverinë greke, “tradhtarë” në qeverinë shqiptare. Pra, kjo do të thotë për mua që nëse të dy palët “tradhtojnë” vendet e tyre, e bëjnë që të gjejnë zgjidhje në interesat më të mira të vendeve dhe popujve të tyre për strategjinë shumë të rëndësishme të fqinjësisë së mirë. Ne kemi bërë mjaft progres, ka gjëra që mbulojnë 70 vite histori, që nga ligji i luftës deri tek polemika e përcaktimit të kufijve detarë, por nuk kemi arritur ende aty”, deklaronte ai.

Në Athinë akuzat janë më të përmbajtura, por sërish flasin për tradhti kombëtare nga qeveria e “Tsiprasit”, që sipas opozitës së Demokracisë së Re dhe Agimit të Artë, po i fal Shqipërisë zonën ekonomike ekskluzive.

Nëse në Tiranë pengesat, sipas Kotzias janë burokratike, në Athinë duket se janë politike dhe të ndikuara nga rrethanat në të cilat ndodhet Kryeministri Tsipras pas marrëveshjes me Maqedoninë.

Kotzias e cilëson me rëndësi faktin që Shkupi zyrtar ka marrë mbështetjen e të gjitha vendeve për t’i thënë “po” emrit të ri, që do t’i hapte rrugë anëtarësimit të vendit në NATO dhe avancimit në proceset integruese në Bashkimin Europian.

“Ne mbështesim Marrëveshjen e Prespës. Vlerësojmë atë që kam thënë edhe herët e tjera dhe nuk lodhem ta them se historia duhet të jetë shkollë dhe jo burg. Kjo marrëveshje na nxori nga burgu. Disa ëndërrojnë që të hyjnë përsëri brenda. Ne nuk do t’i ndjekim pas”, u shpreh ai.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, që duhet të kalojë me referendum në Shkup, emri i dakordësuar është Maqedonia Veriore.

Pikërisht futja e emrit “Maqedoni” ka shtuar kundërshtarët e Alexis Tsipras në Athinë. Ekstremistët e akuzojnë për tradhti, kërkojnë dorëheqjen e tij e madje edhe vendosjen para drejtësisë.

Mediat greke thonë se në një situatë të tillë duket se Tsipras është tërhequr në moment të fundit nga firmosja e marrëveshjeve me Tiranën, që mund të kishte ndodhur edhe në Londër, gjatë samitit të zhvilluar në kuadër të Procesit të Berlinit në muajin qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë