Shendet

Pse na zbehet dhe plasaritet lëkura nga acari i dimrit

Kur ndjejmë të ftohtin të na mpijë gishtat e duarve apo hundën, atëherë përballemi me mekanizmin më të thjeshtë mbrojtës që mund të vërë në punë trupi ynë për t’iu përshtatur temperaturës së ambientit dhe për të shmangur ngrirjen.

Këtë e kuptojmë shumë mirë në ditët më të ftohtat e vitit, se si temperaturat e ftohta ndikojnë mbi organizmin tonë. Trupi i njeriut, funksionon në mënyrë optimale në temperaturën 37 °C. Por në situata të veçanta, ai ftoh ekstremitetet (duart, këmbët, veshët, hundën) në përgatitje për të mbrojtur të ashtuquajturën “bërthamë”.

Në këtë mënyrë ai garanton funksionimin e trurit, zemrës, veshkave dhe mushkërive. Është strategjia e tij për të parandaluar hipoterminë. “Shpejtësia e ftohjes së çdo objekti, varet nga raporti i sipërfaqes/vëllimit të tij. Sa më kompakt të jetë objekti, aq më ngadalë do të ftohet. Për këtë arsye, janë më të rrezikuara pjesët e trupit tonë me një sipërfaqe të madhe, në përpjesëtim me vëllimin e indit themelor”- thotë Matteo Cerri, neurofiziolog dhe profesor në Universitetin e Bolonjës.

Pse zbehet lëkura

Punonjësit në bujqësi dhe peshkim, alpinistët, punëtorët e krahut, ushtarët dhe të pastrehët janë më të ekspozuarit ndaj lëndimeve që shkakton i ftohti. Por edhe ata që ushtrojnë sportet dimërore e kanë përjetuar ndjesinë e fortë të ngrirjes në zonat më të “prekura”.

Përveç hundës janë veshët, gishtat e këmbëve, faqet, buzët dhe gjymtyrët e tjera të ekspozuara ose të mbuluara në mënyrë të pamjaftueshme, siç janë sytë.

“Ndonëse këto zona janë pjesë periferike të trupit, truri u dërgon atyre shumë pak gjak, pikërisht për të parandaluar ftohjen”- vazhdon më tej studiuesi.

Për pasojë, këto inde mund të vuajnë jo pak dhe në rastet më të rënda mund të kalojnë në nekrozë. Zbehja e lëkurës është pasojë e mungesës së furnizimit me gjak në atë zonë. Për më tepër, i ftohti e ngadalëson shpejtësinë e përcjelljes nervore, duke “anestezuar” (vënë në gjumë) nervat periferikë, dhe duke na shkaktuar ndjesinë e shpimit dhe mpirjes.

Ekspozimi ndaj temperaturave nën zero gradë, nuk është i vetmi faktor që na bën të themi “Po ngrij!”. Adam Taylor, profesor dhe drejtor i Qendrës Klinike të Mësimit të Anatomisë në Universitetin Lankaster, thotë se nëse fryn erë e fortë, një temperaturë -20°C mund të shkaktojnë brenda 30 minutash ngrirje në lëkurën e ekspozuar.

“Ngrirja e indeve, është pasojë e dy faktorëve të përbashkët: temperaturës së mjedisit nën zero gradë (në realitet temperatura e ngrirjes së gjakut është midis -2 dhe -3 °C), dhe paaftësisë së organizmit për të ngrohur zonën e ekspozuar, pasi nuk dërgon më gjak në zonën përreth. Ekspozimi ndaj erës e rrit shkallën e ftohjes. Situata është edhe më e keqe nëse do të ishim të lagur, pasi në ujë nxehtësia shpërndahet shumë më shpejt se sa në ajër”- thotë Cerri.

Si të mbroheni

“Nëse e ekspozoni veten ndaj të ftohtit, është e nevojshme që t’i siguroni trupit sasi të mjaftueshme energjie: kalori që mund të përdoren shpejt nga trupi për të mbështetur metabolizmin dhe për të prodhuar nxehtësi, siç janë ato të siguruara nga karbohidratet.

Ndërkohë, duhet të shmangni ushqimet që kërkojnë tretje të gjatë dhe komplekse”- thotë Cerri.

Po ashtu mjeku rekomandon lëvizjen e vazhdueshme, në mënyrë që ta nxisni trupin të prodhojë nxehtësi përmes veprimit mekanik të muskujve.

“Vishuni si duhet, sepse mund të kalojmë nga mjediset e ftohta në ato të nxehta dhe anasjelltas, duke e ruajtur veshjen e duhur. Ashtu si të gjitha ndryshimet mjedisore, trupit tonë i duhet pak kohë për t’u përshtatur. Pas ekspozimit të gjatë ndaj temperaturave të ulëta, trupi ynë do të rrisë aftësinë e tij për të prodhuar nxehtësi përmes indeve të tilla si indi dhjamor ngjyrë kafe.

Pasi të ktheheni në shtëpi, merrni një të ngrohtë, konsumoni pije të nxehta joalkoolike, mbuloni mirë ekstremitetet (duart dhe këmbët), shtrihuni duke u mbledhur kruspull për të reduktuar humbjen e nxehtësisë”- shton ai.

Hiqni dorë nga alkooli

Eksperti rekomandon shmangien e substancave që mund të nxisin zgjerimin e enëve të lëkurës, pasi kjo mund të sjellë humbjen e nxehtësisë, si për shembull kur pimë alkool. Në fakt ky efekt ngrohës, është iluziv. Gjaku, që normalisht ka temperaturën 37°C, rrjedh nëpër lëkurë dhe i afrohet mjedisit të jashtëm ku lëshon nxehtësinë që trupi dëshiron të ruajë.

Për më tepër, alkooli e pengon prodhimin e hormonit antidiuretik dhe nxit diurezën dhe humbjen e lëngjeve. Ky faktor mund të përkeqësojë qarkullimin. Teprimi me alkoolin, mund të dëmtojë aktivitetin e sistemit nervor qendror, duke reduktuar lëvizshmërinë dhe duke nxitur përgjumjen: dy kushte që e ekspozojnë njeriun ndaj një hipotermie me pasoja potencialisht fatale.

Kush është më i rrezikuar

Janë disa kushte patologjike, të cilat mund t’ju ekspozojnë ndaj një rreziku më të madh të ngrirjes, dhe këtu përfshihen edhe sëmundjet e zemrës.

“Një kompromentim i sistemit kardiovaskular, mund ta pengojë zemrën të pompojë sasinë e nevojshme të gjakut për të mbështetur metabolizmin.

Mungesa e hormoneve tiroide, mund të rrezikojë aftësinë e indeve për të aktivizuar procesin metabolik dhe indin dhjamor për të prodhuar nxehtësi. Edhe sëmundjet metabolike, si diabeti, mund të dëmtojnë reagimin ndaj të ftohtit. Nga njëra anë kjo ndodh për shkak të veprimit të pamjaftueshëm të insulinës, e cila nuk lehtëson më hyrjen e glukozës në qelizat që kanë nevojë.

Nga ana tjetër neuropatia periferike që provokon kjo sëmundje, mund të dëmtojë ndjeshmërinë termike të lëkurës, duke ngadalësuar aktivizimin e mbrojtjes së trupit. Aftësia e reduktuar për të perceptuar të ftohtin, mund të rrisë gjithashtu cenueshmërinë ndaj ngricave të atyre që kanë pësuar një goditje në tru apo dëmtime të nervave periferikë”- shprehet eksperti.

Pse plasaritet lëkura?

Së fundi, e kush nuk ka pasur probleme me lëkurën e plasaritur dhe buzët e përthara në dimër.

“Kjo ndodh sepse era dhe ajri i thatë, shkaktojnë avullimin e shtresës së hollë të masës së hidratuar që gjendet në buzë, lëkurë dhe mukoza. Dhe kjo krijon çarje dhe dëmtime”- përfundon studiuesi.

Burimi: Corriere della sera. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë