Ne rrjet

Pse mungojnë ekspertët në studio televizive? Gazetarët rrëfejnë arsyet

Suadela Balliu - Aty ku duhet të ishte një ekspert mjekoligjor a një mjek psikiatër për të folur rreth tipologjisë së një njeriu të dhunuar apo një dhunuesi, është një gazetar, i cili në një tjetër studio është i ftuar të komentojë mbi paketën fiskale, politikën e ditës apo edhe politikën e jashtme. Kështu sociologë, ekonomistë, juristë, akademikë dhe profesionistë të çdo fushe në debatet e studiove televizive – dhe jo vetëm – janë zëvendësuar nga gazetari-analist universal, i cili pranon të flasë dhe të mbulojë me mendimin dhe njohuritë e tij thuajse çdo fushë; nga tendencat e fundit të modës e deri tek temat e nxehta të politikës. Nuk është më vetëm perceptim i shikuesit nga shtëpia që sheh pothuajse gjithnjë të njëjtin grusht njerëzish, të cilët qarkullojnë nga studioja në studio, nga kanali në një tjetër kanal televiziv për të mbajtur gjallë debatin dhe për të dhënë jo vetëm opinione, por edhe përfundime mbi temën për të cilët janë ftuar të flasin. Nuk është më vetëm shqetësim i gazetarëve, të cilët edhe në medien e shkruar hasin shpesh refuzim të ekspertëve për të folur rreth temave,  ku lipset domosdoshëm mendimi i tyre profesional, ose në rastin më të keq as nuk u përgjigjen telefonatave. Edhe drejtuesit e emisioneve televizive e pranojnë se shpesh këta ekspertë të fushave të ndryshme, ngurrojnë të shfaqen publikisht dhe zgjedhin të heshtin e të dëgjojnë që në vend të një panorame të qartë të dikujt që e njeh mirë fushën, rreth së cilës ngrihet debati televiziv, i cili përkthehet menjëherë në opinionbërje publike –kur  njerëzit e thjeshtë i sheh të diskutojnë të nesërmen me zjarr rreth asaj çka një natë më parë kanë diskutuar në televizion, bazuar edhe mbi ndarjen e qëndrimeve të të ftuarve në emisione – të flasin gazetarët dhe analistët, që shpesh kanë qëndrime dhe mendime të para së jashtmi dhe sipërfaqshëm për një temë të caktuar.

Rudina Xhunga, drejtuese e emisionit “Dritare”, që këtë sezon është transferuar në kanalin “News 24”, thotë se ekspertët janë sfumuar nga analistët, ndërsa lufta duket se është e gjitha rreth audiencës. “Sepse debatet politike duan audiencë, jo zgjidhje. Duan emisionin jo misionin”, thotë Xhunga, ndërsa shton se “misioni i çdo njeriu publik është e vërteta dhe e vërteta nuk vjen nga debati i analistëve. Nga kjo vjen zhurma, e cila mbyt të vërtetën.”

Xhunga këtë e sheh si një ngërç që duhet kapërcyer, përndryshe sipas saj “O do të ndryshojmë, o do të na bojkotojë publiku”. Gazetarja, e cila prej shumë vitesh është figurë qendrore  e emisioneve të rëndësishëm televizivë, mendon se publiku shqiptar është zhvilluar, por kjo nuk ka ndodhur edhe me debatin politik. Sipas Xhungës, “debati politik ka ngecur në primitivitet.”

Sipas gazetarit Lutfi Dervishi, i cili drejton emisionin “Përballë” në Televizionin Publik Shqiptar, arsyet e refuzimit të ekspertëve për t’u  bërë pjesë e këtyre emisioneve mund të jenë të ndryshme, “që nga droja dhe prania në ekran, e deri te frika nga problemet që mund t’i dalin për shkak të prononcimit”, thotë ai duke lënë të kuptohet se jo gjithnjë ndodh për lehtësi të ngritjes së një paneli debatues në emisionet televizive, jo sepse analistët në studio janë tashmë modë, por është frika e humbjes shpeshherë të një pozicioni pune, që ekspertët zgjedhin të heshtin. Megjithatë, sipas Dervishit, ka edhe ekspertë që flasin. “Drejtues të emisioneve kanë ndërkohë lista të ekspertëve që janë të gatshëm për të folur.”

Dervishi vijon, duke thënë se analistët, megjithëse janë kaq në modë në debatet televizive këto vitet e fundit, nuk munden kurrsesi të zëvendësojnë mendimin e ekspertëve. “Analistët kanë përparësinë e të qenit publikë, ekspertët kanë disavantazhin -sidomos në fillim -që janë të panjohur”.

Por të jetë vetëm ky problemi;  profili i ulët, që i bën  ekspertët mungues në televizion?

Sipas gazetares Eni Vasili, drejtuese e emisionit televiziv “Open” në Top Channel, ekspertët druhen të japin komente, veçanërisht kur kanë pozicione në administratën publike. “Por edhe në sektorin privat, nuk janë të shumtë ata që janë të gatshëm të shprehin mendime kundër politikave të qeverisë, veçanërisht kur kanë afilacione të qarta politike”, pohon Vasili, ndërsa shton “të njëjtën vështirësi kam hasur edhe me profesoratin e universitetit publik, të cilët pranojnë të japin ekspertizë, por jo përpara kamerave.”

A do ta kapërcejnë drojën, frikën dhe  interesat e ngushtë të lidhura me sigurinë e një vendi pune ekspertët e fushave të ndryshme dhe a do të ndryshojnë qasje drejtuesit e emisioneve televizive, për të mos qarkulluar më të njëjtët gazetarë-analistë në studio, për të prekur një gamë aq të gjerë problematikash  në debate që nuk prodhojnë konkluzione? A do të kalojë lufta nga audiencat tek misioni i gazetarisë? Apo, ashtu siç thotë gazetarja Rudina Xhunga, do të jetë publiku ai që do të heqë dorë nga kjo ofertë, duke i bojkotuar debatet televizive?!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë