Analize

Pse mposhtja e Hamasit nga Izraeli i ndihmon edhe shtetet arabe

Nga Michael R.Pompeo -Le të jemi që në fillim të qartë mbi një fakt: mposhtja dhe shpërbërja e Hamasit, nuk është vetëm rruga e duhur që duhet ndjekur nga miku dhe aleati ynë në rajon, Izraelin, por një zhvillim shumë pozitiv për Shtetet e Bashkuara, të gjithë Lindjen e Mesme dhe mbarë botën.

Më 7 tetor, terroristët depërtuan në territorin izraelit dhe vranë numrin më të madh të hebrenjve që nga Holokausti nazist. Përgjigja e drejtë, morale dhe e denjë nga ana e botës, duhet të kishte qenë mbështetja universale për Izraelin, siç ka të ngjarë të ndodhte nëse një sulm i tillë do të kishte ngjarë diku tjetër në botë.

Por përgjigja e justifikuar e shtetit hebre është dënuar nga liderët botërorë, progresistët në media dhe nga qeveri dhe protestues në mbarë botën, të nxitur nga imazhet e rreme të prodhuara nga vetë terroristët. Tani të njëjtat grupime, po bëjnë thirrje për një armëpushim për arsye humanitare, së bashku me antisemitizmin e maskuar hollë, që fajëson viktimat hebreje për sulmet fillestare dhe jo terroristët që i kryen ato.

Kjo është saktësisht e kundërta e asaj që duhet të ndodhë. Izraeli duhet të çrrënjosë dhe shkatërrojë Hamasin nga Gaza. Izraeli, palestinezët, Lindja e Mesme dhe bota do të jenë shumë më mirë pa këtë organizatë. Që kur regjimi terrorist pushtoi Rripin e Gazës në vitin 2007, Hamasi ka përdorur çdo burim që ka në dispozicion për të sulmuar shtetin-komb hebre, duke shtuar mjerimin e palestinezëve, që janë të detyruar të jetojnë nën tiraninë e tij.

Edhe sot, një nga qendrat kryesore komanduese të Hamasit ndodhet poshtë spitalit Al-Shifa, të cilin vetë Izraeli e rinovoi dhe e përmirësoi në vitet 1980 për të ndihmuar banorët e Gazës. Gjatë dekadës së fundit, Bashkimi Evropian ka dhënë mbi 100 milionë dollarë në një projekt për ndërtimin e tubacioneve të ujit në Gaza.

Por Hamasi i nxori nga toka tubat e ujit, dhe i përdori tunelet për të ndërtuar më shumë raketa dhe për t’i hedhur ato kundër Izraelit. Vetëm gjatë viteve 2014-2020, agjencitë e OKB-së i dërguan Gazës ndihma me vlerë 4.5 miliardë dollarë; por 80 për qind e popullsisë vazhdon të mbetet e zhytur në varfëri.

Ndërkohë udhëheqja e Hamasit është pasuruar në mënyrë eksponenciale. Raportohet se 3 udhëheqësit  kryesorë të Hamasit, kanë një pasuri totale prej 11 miliardë dollarësh, dhe disa prej tyre as që banojnë në Gaza. Në këto kushte, pranimi i një armëpushimi, qoftë edhe për qëllime humanitare, do të ishte një tjetër dhuratë për Hamasin.

Organizata terroriste do ta përdorte këtë ndërprerje të luftimeve, për të komplotuar vrasjen e më shumë izraelitëve, dhe për të gjetur akoma më shumë civilë palestinezë që do të përdoren si mburoja njerëzore. Hamasi do të përdorë sërish çdo ndihmë humanitare të ofruar për të çimentuar më tej kontrollin e tij mbi Gazën, ashtu siç ka bërë në të kaluarën.

Veprimi në interesin e njerëzimit, kërkon që ne të mbështesim plotësisht Izraelin në përpjekjet e tij për të shkatërruar Hamasin. Lejimi i mbijetimit të Hamasit, motivon dhe inkurajon vetëm një aktor në rajon:regjimin teokratik në Iran. Tek e fundit, ishte Irani ai që stërviti, pajisi dhe dha bekimin e tij për sulmet e tmerrshme të kryera nga Hamasi më 7 tetor ndaj Izraelit.

Po ashtu, ishte Irani që ka organizuar  mbi 50 sulme ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme vetëm gjatë muajit të kaluar. Dhe është po Irani që kërcënon vazhdimisht zhvillimin dhe mirëqenien e Arabisë Saudite, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Është sërish Irani që dëshiron të imponojë në fund vizionin e tij radikal, teokratik në mbarë Lindjen e Mesme.

Arritja e një paqeje të qëndrueshme, jo vetëm për Izraelin, por për të gjithë rajonin, nis me njohjen e këtij realiteti, duke ia bërë të qartë secilit prej partnerëve tanë atje, se Amerika është e gatshme të kundërshtojë planet dashakeqe të Iranit.

Ky parim udhëhoqi edhe qasjen e administratës Trump, si dhe punën tonë për ta frenuar dhe dobësuar Iranin. Ajo qasje jo vetëm që garantoi një Lindje të Mesme më të sigurt, por edhe nënshkrimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, marrëveshje historike të paqes që afruan më shumë Izraelin dhe fqinjët e tij arabë.

Ndërkaq mposhtja e Hamasit, do të dërgonte një mesazh për të gjithë botën, se ne nuk do t’i tolerojmë organizatat terroriste antisemite, që janë të përkushtuara për eliminimin e plotë të gjithë hebrenjve dhe Izraelit. Rritja e mprehtë e antisemitizmit në mbarë globin – madje edhe këtu në Amerikë – duhet të na shqetësojë që të gjithëve.

Humbja e Hamasit, është edhe disfata e një urrejtje të tillë. Ajo dërgon sinjalin se Amerika dhe pjesa tjetër e botës nuk do ta tolerojnë më atë. Në çdo nivel – për palestinezët dhe izraelitët, për Lindjen e Mesme më të gjerë, për sigurinë e të gjithë amerikanëve dhe për të gjithë botën – mbështetja e plotë e Izraelit për të eliminuar njëherë e mirë Hamasin, është diçka e mirë për të gjithë, përveçse për ata që i kundërvihen Amerikës. 

Burimi: Fox News/Përshtati Gazeta Si

Shënim:Mike Pompeo, ka qenë Sekretari i Shtetit në vitet 2018-2021, dhe drejtor i CIA-s në vitet 2017-2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë