Nga Gazeta ‘Si’- Një shtrëngim duarsh mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit francez Emmanuel Macron në samitin e paqes për Gazën në Sharm El-Sheikh, Egjipt, është kthyer në një moment të pazakontë diplomatik, pasi burime për Daily Mail zbulojnë një bisedë të tensionuar mes dy liderëve.
Ngjarja ndodhi të hënën(13 tetor) gjatë nënshkrimit të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, ku Trump dhe Macron patën një shtrëngim duarsh të pazakontë.
Trump e tërhoqi Macron drejt vetes, por takimi u kthye në një përballje verbale përpara dhjetëra kamerave.
Sipas lexueses së buzëve Nicola Hickling, Trump e nisi bisedën me fjalët: “Kënaqësi të të shoh, pra u pajtove?”, ndërsa Macron u kthye nga kamera, duke dhënë një përgjigje të paqartë.
Trump vazhdoi me pyetjen: “A je i sinqertë?”, dhe Macron u përgjigj shkurt: “Sigurisht.”
Në atë moment, Trump shtrëngoi më fort dorën e presidentit francez dhe tha: “Tani dua të di pse më lëndove. E di tashmë.” Më pas, ai shtoi: “Unë lëndoj vetëm ata që lëndojnë të tjerët.”
Macron u përpoq ta zbusë situatën duke thënë: “Ah, hajde tani”, por Trump iu përgjigj me një paralajmërim të ftohtë: “Do ta shohësh çfarë do të ndodhë.”
Edhe pse nuk dihet konkretisht se për çfarë mund të jetë bërë biseda, kjo përballje vjen rreth dy javë pasi Macron u bë pjesë e një shakaje të nisur nga kryeministri Edi Rama me Presidentin francez dhe atë të Azerbajxhanit ndaj Donald Trump për lapsusin e përsëritur nga ai, se ka ndalur luftën mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Në videon që bëri xhiron e mediave ndërkombëtare, Rama i tha Macronit me humor: “Duhet të na kërkoni falje, sepse nuk na përgëzuat për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.”
Në sfond të videos u dëgjuan të qeshurat e politikanëve europianë. Macron, që ndodhej në krah të presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev, u pa duke qeshur dhe madje e goditi lehtë Ramën në faqe, si për t’i kujtuar se shakaja ishte e tepruar.
Pas jehonës që mori episodi, Rama u detyrua të sqaronte se gjithçka kishte qenë “një moment humori miqësor” dhe madje i thuri lëvdata ish-presidentit amerikan duke shkruar në X se “Presidenti Trump është lideri që riktheu fjalën ‘paqë’ në fjalorin e Perëndimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



