Para

Pse kriptot nuk mund të jenë ‘arratisja’ e oligarkëve rusë të sanksionuar

Për dashamirësit e tyre, kriptomonedhat supozohet të jenë një utopi liberale. Kjo sepse, tokenat krijohen dhe lëvizen sipas qefit, janë të decentralizuara, nuk kanë një autoritet rregullator. Kritikët e kripto-financës kanë parë shtrembër këtë sistem. Për statisët, (ata që kundërshtojnë ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi), ajo përfaqëson tiraninë e tekno-anarkisë.

Pushtimi rus i Ukrainës dhe sanksionet bankare drejt bankave ruse, kompanive dhe elitave, kanë intensifikuar debatin.   Por ekziston frika se këta njerëz apo biznese do të përdorin transaksionet e kriptomonedhave për të anashkaluar sanksionet. Nëse ata munden të kalojnë para në anën tjetër të botës, arma e perëndimit kundër Putin nuk do të ishte eficente.

Ata që përpiqen të shmangin çdo sanksion të vendosur ndaj tyre do të përpiqen edhe të ruajnë pasurinë e tyre. Kjo përfshin mbajtjen e pasurive si një pronë, një jaht, një llogari bankare dhe valuta. Një e mirë e rrjetit të decentralizuar të kriptove është se ai funksionon përtej kufijve.

Një tjetër është se shumë besojnë se aty privatësia mbrohet më shumë sesa në sistemin tradicional financiar. Blockchains publike, si Bitcoin dhe Ethereum, i ofrojnë botës informacion mbi transaksionet e tyre, por i mbajnë anonimë pjesëmarrësit. Në sistemin bankar privatësia sigurohet duke mbajtur privat informacionin e transaksionit, por personat e përfshirë janë të identifikueshëm. Në realitet, linjat midis këtyre të dyjave janë më të paqarta sesa mund të parashikojnë sanksionet.

Sigurisht, ka prova që rusët kanë blerë më shumë kripto. Volumi i tregtimit rubël-Bitcoin është dhjetëfishuar, me rreth 20 mln dollarë vlerë në ditë.

Por kjo mund të vijë edhe nga dëshira për të mbajtur një aktiv që nuk po bie në vlerë. Bitcoin vlen përafërsisht njësoj si më 24 shkurt, ndërsa rubla ka rënë me rreth 40% kundrejt dollarit.

Për një oligark që kërkon të mos kapet nga sanksionet amerikane, konvertimi i pasurisë në kriptomonedha, do të ishte idealisht një mënyrë shpëtimi, por jo e përhershme. Nuk është e mundur ende që të përdorësh kriptot për të blerë gjëra në përditshmëri.  Ata kanë nevojë për një lloj aksesi në paranë e thatë.

Për t’i kthyer kriptot në cash, duhet të ndërveprosh me bankat, gjithsesi. Platformat që operojnë në kripto, janë me qendra në SHBA dhe Europë.

Ata që bëjnë transaksionet e para, i dinë identitetet e klientëve të tyre si një masë kundër pastrimit të parave.

Së dyti, qeveritë janë munduar të krijojnë mekanizma që ndalojnë pastrimin e parave, që mesa duket janë shkatërruar ditën kur nisi pushtimi në Ukrainë.

Platformat e Binance dhe Coinbase, kanë deklaruar se do të ngrijnë asetet për individët që janë sanksionuar.

për këta individë, konvertimi i pasurive në kripto vjen me një anë negative. Ndonëse publikë, blockchains janë ende shumë larg transparencës.

Kripto mund të rezultojë të jetë shumë më i dobishëm për ata që kërkojnë të lëvizin në mjedise të hapura, sesa në hije. Më 26 shkurt, llogaria zyrtare e Ukrainës në Twitter publikoi adresat e portofolit digjital përmes të cilave pranon Bitcoin, ethereum dhe token të tjerë. Që atëherë janë dhuruar afro 100 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj po shpenzohet për gjëra të tilla si jelekët antiplumb dhe syzet e shikimit të natës, sipas Alex Bornyakov, zëvendësministër i Ukrainës për transformimin digjital. Ato mund të dërgohen në një tjetër “wallet” në sekonda, ndërsa transfertat bankare ndërkombëtare mund të zgjasin ditë.

E gjithë kjo përbën një tranzicion interesant për kriptot. Konflikti në Ukrainë ka sjellë në fokus rreziqet e krimit financiar që ky lloj sistemi paraqet, por edhe avantazhet e shpejtësisë dhe lehtësisë së transferimit që ofron ndaj monedhës fiat – gjë që mund të ndihmojë gjatë ose pas llojeve të tjera të ngjarjeve ekstreme, të ndjeshme ndaj kohës, si p.sh. si fatkeqësi natyrore. Lufta e bën të qartë se ka përdorime serioze të kriptove, por se mund të pritet që të ketë kontrolle edhe më serioze.

Burimi: The Economist/ Përshtati: Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë