Kosova

Pse Kosova ‘vetëvendosi’

Nga Megi Iskurti- Për surprizën e të gjithëve, zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë nuk rezultuan asfare një ‘déjà-vu’ politike e atyre të shkurtit.

Që prej momentit kur u caktua mbajtja e tyre, analistët politikë, këtej e andej kufirit tipikisht i qëndruan një linje mendimi: kuotat e Kurtit do ulen, nuk do e bëjë dot qeverinë dhe kriza politike do vazhdojë.

Madje, disa syresh prej tyre diskutuan edhe rrezikun e të ashtuquajturit “skenar bullgar”, që do të nënkuptonte zgjedhje të shpeshta dhe të përsëritura pa formimin e një qeverie me shumicë të qëndrueshme.

Por mbrëmjen e së dielës, kur u numëruan mbi 90% e votave, një gjë u bë shpejt e qartë: Kosova ‘vetëvendosi.’

Arsyet se përse Kurti priu i vetëm, duke e lënë opozitën në rezultate edhe më të këqija se ato të shkurtit, mund të jenë disa.

Artan Muhaxhiri, politolog, fitoren e Kurtit ia atribuon kryesisht dobësisë së opozitës.

“Kjo është një fitore spektakolare e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën ia ka dhuruar opozita me mungesën totale të ideve se si të ballafaqohet me popullizmin e fuqishëm të Kurtit”, vëren ai.

Sipas tij, partitë rivale dështuan të artikulojnë një projekt politik bindës dhe të besueshëm përtej kritikës ndaj Kurtit.

Fragmentimi, mungesa e lidershipit karizmatik dhe një diskurs kryesisht reaktiv i lanë votuesit pa një alternativë të qartë.

Vetëvendosja u pozicionua sërish si alternativa morale ndaj partive tradicionale, të cilat në perceptimin publik mbeten të lidhura me klientelizëm dhe keqqeverisje.

Megjithatë, ashtu sikurse Gazetasi.al kishte theksuar më herët, një faktor kryesor që ndikoi ishte dhe pesha e diasporës.

Sipas analistëve të huaj, fakti që zgjedhjet u mbajtën mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri luajti një rol të rëndësishëm.

Kjo periudhë përkon me kthimin e dhjetëra mijëra kosovarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit , përfshirë një numër të konsiderueshëm në Gjermani dhe Zvicër – një elektorat që tradicionalisht mbështet Vetëvendosjen.

Sipas mediave lokale, që nga mesi i dhjetorit gati 400 mijë njerëz kanë hyrë në Kosovë. Vetëm nga Zvicra, të premten pritej të uleshin nëntëmbëdhjetë avionë në aeroportin e Prishtinës.

Sipas Bankës Botërore, më shumë se 700 mijë njerëz me prejardhje kosovare jetojnë jashtë vendit. Në vetë Kosovën jetojnë rreth 1.6 milionë banorë. Për më tepër, Kurti e zhvilloi edhe jashtë fushatën zgjedhore.

Në mes të dhjetorit, ai kërkoi vota në Zyrih dhe i vlerësoi anëtarët e diasporës si “heronj të heshtur”.

Ndonëse shumë kritikë e akuzuan Vetëvendosjen se po e instrumentalizon diasporën, premtimi i Kurtit për të qeverisur me “duar të pastra” gjeti jehonë te të mërguarit: duke jetuar në shtete me sundim funksional të ligjit, ata reagojnë veçanërisht ndjeshëm ndaj korrupsionit dhe nepotizmit në atdhe.

Të tjerë analistë vlerësojnë narrativën e “moslëshimit pe”.

Në një kontekst ku Kosova është përballur me presion të vazhdueshëm ndërkombëtar, sidomos në raport me dialogun me Serbinë, Kurti sipas tyre u perceptua nga një pjesë e madhe e elektoratit si lideri që nuk negocion sovranitetin.

Kjo sipas tyre i dha atij kredibilitet politik, veçanërisht te votuesit që ndihen të zhgënjyer nga kompromiset e qeverive të mëparshme.

Tani Kurti e ka kollaj për të formuar qeverinë.

Atij i duhen jo më shumë se 5 deputetë nga 10 që kanë pakicat jo serbe për të formuar pa shumë kokëçarje qeverinë “Kurti 3”.

Në fund të ditës, kjo fitore nuk është vetëm një triumf politik për të, por edhe një dëshmi e qëndrueshmërisë së votuesve të tij: kur nuk lëshon pe lideri, nuk e bën as elektorati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë