Ne rrjet

Pse koronavirusi po vret më shumë në Iran?

Nga 61 të infektuar me koronavirus që ka raportuar Irani deri të pasditen e së dielës,12 kishin gjetur vdekjen, një shifër tepër e lartë në krahasim me vdekshmërinë e shkaktuar nga virusi në vendet e tjera, madje më e lartë edhe se vetë vendi i origjinës, Kina.

Këto janë shifrat që pranon zyrtarisht Irani, ndërkohë që jozyrtarisht thuhet se numri i viktimave në Iran shkon përtej 50 personave. 50 persona hamendësohet se kanë gjetur vdekjen vetëm në qytetim e Qomsit, në qendër të vendit.

Autoritetet i hodhën poshtë këto pretendime duke deklaruar se shifra ishte e rreme dhe se numri i vërtetë i të infektuarve dhe rasteve fatale janë 12 të vdekur dhe 61 të infektuar. Teherani zyrtar thotë se virusi është importuar nga një grup turistësh kinezë që kishte vizituar pak javë më parë qyteitn e Qomsit, një prej destinacioneve kryesore turistike në vend.

Por pse koronavirusi po vret më shumë se kudo tjetër në Iran? Mjekët dhe analistët rendisin një sërë arsyesh. Kryesorja është embargoja e vendosur nga SHBA dhe vende të tjera aleate të Uashingtonit, që sipas ekspertëve kanë boshatisur farmacitë e vendit, ndërkohë që ato produkte që janë zëvendësuar, për shkak të vështirësive financiare që po përballet Irani, janë zëvendësuar me produkte shumë herë më pak cilësore.

Përveç këtyre, autoritetet shtetërore akuzohen edhe për përpjekje për ta mbajtur të fshehtë faktin që vendi ishte goditur nga koronavirusi, me qëllim që të mos përhapnin panik. Zyrtarisht, të infektuarin e parë ato e njoftuan të mërkurën e javës së kaluar, por dyshohet se të infektuarit e para janë shfaqur prej të paktën dy javësh në qytetin e Qomit.

“Fatkeqësisht ka tre javë që koronavirusi ka prekur Qomin, por u njoftua me vonesë dhe ka mungesë masash parandaluese dhe materialesh mjekësore”, thotë për AP, Ahmad Amirabadi Farahani, deputet i Parlamentit vendas.

Arsyeja e dytë që radhitet është neglizhenca. Irani ishte ndër vendet e fundit në Azi që vendosi pezullimin e fluturimeve direkte nga Teherani për në Kinë dhe po ashtu ndër të fundit që nisi aplikimin e masave të përforcuara të kontrolleve kufitare sa i takon koronavirusit.

Veprimi i vonuar u kushtëzua deri në një farë mase nga fakti që Republika Islamike e Iranit vuan prej kohësh sanksione të forta ndërkombëtare për shkak të programit të saj bërthamor dhe një vetëizolim nga Kina për shkak të koronavirusit do të ketë pasoja të forta në ekonomi. Kina, që nuk aplikon sanksione ndaj Teheranit është partneri kryesor tregtar, duke blerë prej andej naftë dhe shitur produkte të ndryshme, që nga ushqimoret, e deri tek veshjet dhe prodhimet teknologjike.

Mjekët dhe infermierët që u përballën për herë të parë me koronavirusin ishin të papajisur me mjetet mbrojtëse, maska, veshjet izoluese dhe dorezat. Ministria iraniane e Shëndetësisë deklaroi vetëm pas regjistrimit të 8 viktimave dhe të mbi 45 të infektuarve në total se kishte urdhëruar prodhimin në masë të maskave, dorezave dhe mjeteve të tjera higjeno-sanitare.

Ekspertët thonë se kjo plogështi, neglizhencë dhe vonesa në trajtimin e rasteve dhe parandalimin e infeksionit kanë shkaktuar një përhapje më të shpejtë të virusit në Iran. Baza mendohet se është qyteti i Qomit, nga ku virusi është shpërndarë për tre ditë më vonë edhe në Teheran dhe rajone të tjera kryesore të vendit.

Gjithashtu, me vonesë u reagua edhe në mbylljen e shkollave, institucioneve publike dhe kufizimit të lëvizjeve. Rasti i parë që Irani njoftoi si të infektuar me koronavirus ndodhi të mërkurën e javës së kaluar, por vetëm mbrëmjen e së shtunës, kur tetë persona kishin vdekur dhe infeksioni po merrte përmasat e epidemisë së mirëfilltë autoritetet vunë në zbatim disa masa kufizuese në lëvizje dhe mbyllën shkollat dhe institucionet në Qom dhe Teheran, dy qytetet më të prekura.

Ndryshe nga Irani reagoi Britania e Madhe. Autoritetet britanike izoluan menjëherë një pacient të dyshuar si të infektuar me koronavirus dhe më pas edhe rrethin e ngushtë të personave të tij të njohur dhe që kishte takuar përgjatë dy javëve para se të shtrohej. Kjo izoloi vatrën e virusit dhe ngushtoi rrezen e të infektuarve në pak njerëz, por ndihmoi edhe në trajtimin e tyre në kohë me kura përforcuese të imunitetit për t’u bërë ballë efekteve të virusit.

Me të njëjtën shpejtësi dhe efikasitet vepruan edhe autoritetet në Francë e Gjermani, e po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një rrugë të ndërmjetme mes shembujve që mbërrinin nga këto vende dhe Iranit duket se zgjodhi Italia. Kryeministri Giuseppe Conte fajësoi neglizhencën e një spitali rajonal në veri të Italisë për përhapjen në të tilla përmasa të koronavirusit.

Autoritetet ndërhynë duke vendosur 11 komuna në izolim dhe përforcuar kujdesin në zonat përreth tyre. Ndërhyrja e dha efektin duke ndalur numrin e të infektuarve, por ajo duket se nuk u mor në kohë për të parandaluar zgjerimin gjeografik të virusit, që u shtri së fundmi deri në Siçili.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë