Nga Gazeta ‘Si’ – Bota po përjeton aktualisht një krizë donacionesh. Nismat shumë të promovuara si “The Giving Pledge”, të ndërmarra nga Bill dhe Melinda Gates, së bashku me miliarderin tjetër të famshëm Warren Buffett, apo disa shfaqje specifike solidariteti të lidhura me ngjarje si pandemia apo lufta në Ukrainë, nuk e fshehin dot faktin se filantropia po zbehet gjithnjë e më shumë.
Kontributet nga individët nuk janë të vazhdueshme, ndërsa edhe korporatat e mëdha e kanë të vështirë të ruajnë ritmin e dikurshëm. Ndërkohë vendet e pasura po dhurojnë më shumë para për kauzat lokale, shpesh për ato me ngjyrime fetare apo edhe fundamentaliste.
Njëkohësisht po vihet re një transferim shumë i madh i pasurisë midis brezit të “Baby Boomers” (dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore, të karakterizuara nga një lindshmëri e madhe por edhe një bum ekonomik) dhe fëmijëve të tyre. Fëmijët e mijëvjeçarit të ri dhe anëtarët e Gjeneratës Z (adoleshentët dhe të rinjtë e sotëm), kanë prioritete dhe ndjeshmëri të ndryshme nga prindërit e tyre.
A do të jenë ata në gjendje të ndërtojnë një botë akoma më solidare me ata që janë më në nevojë? Folja “dhuroj” është pjesë e asaj që na bën njerëz, pasi në të kundërtën jeta e qindra miliona njerëzve do të ishte një ferr i vërtetë. Megjithatë, filantropia ka hyrë sot në një fazë pasigurie, gjë që e ndërlikon më tej aftësinë për të adresuar krizat e mëdha gjeopolitike.
Për shembull në Spanjë, një demokraci e Evropës Perëndimore me të ardhura të larta, Shoqata e Fondacioneve llogarit se kontributet bamirëse nga individët përbëjnë vetëm 0.1 për qind të PBB-së. E përkthyer në shifra konkrete kjo shumë është më pak se 1.5 miliardë dollarë.
“Po ndeshemi me një problem kulturor. Anëtarët e shoqërisë tonë, mendojnë se nuk ka nevojë të dhurojnë pasi ata paguajnë taksat. Sipas një koncepti që unë e konsideroj të gabuar, dhurimi cilësohet si një detyrim që ka të bëjë gjithmonë me qeverinë dhe asnjëherë me qytetarët”-thotë juristi Antonio Garrigues Walker.
Nga pikëpamja historike, qeveritë e vendeve me të ardhura të larta, nuk i kanë dhënë asnjëherë përparësi virtytit të bujarisë. Filantropia merret si rregull me të gjitha pasiguritë gjeopolitike që na rrethojnë, së bashku me disa nga problemet e saj specifike. Dhurimi i parave për më nevojtarët është diçka shumë e vështirë, sidomos për 0.001 për qind të popullsisë ultra të pasur të botës.
Tani nuk mjafton më firmosja e një çeku disa miliona dollarësh për universitetin ku keni studiuar, si Yale apo Princeton, diçka që amerikanët e pasur e kanë bërë prej vitesh. Le të marrim rastin e MacKenzie Scott, ish-bashkëshortja e Jeff Bezos. Ajo konsiderohet si filantropistja më bujare e viteve të fundit.
Që nga divorci i saj nga themeluesi i Amazon në vitin 2019, dhe deri në fund të vitit 2022, Scott kishte dhuruar më shumë se 14 miliardë dollarë për 1600 organizata jofitimprurëse. Ajo dëshiron ta dhurojë të paktën gjysmën e pasurisë së saj. Por me gjithë këtë aktivitet filantropik, pasuria e saj nuk ka reshtur së rrituri, për shkak të mbiçmimit të aksioneve që ajo mban ende në gjigantin global të shpërndarjes.
Kur përfundoi martesa me Bezos, aksionet e saj në Amazon vlenin rreth 36 miliardë dollarë. Tani revista “Forbes”, vlerëson se vlera e tyre është rritur në 43.6 miliardë dollarë. Renditja e kësaj të fundit për vitin 2023 përfshiu 2.640 njerëz, që kanë një pasuri mbi 1 miliardë dollarë. Në total, ata kanë rreth 12 trilion dollarë, ose 2 për qind të pasurisë së gjithë planetit. Ndërkaq Bezos ka dhuruar vetëm rreth 1 për qind të pasurisë së tij.
“Për shumë multi-miliarderë, që i kanë fituar paratë vetë apo i kanë trashëguar nga familja, dhurimi u shkakton një tension, ku përzihet ankthi dhe stresi”- thotë Mark Reed, një nga trashëgimtarët e pasurisë së familjes Reed.
Sipas The Observer, familja Reed është pronarja e pestë më e madh e tokës në Shtetet e Bashkuara, me rreth 1.4 milionë hektarë. Që pas pandemisë, donacionet nga miliarderët për kauzat në vende të huaja kanë ardhur duke rënë. Shtetet e Bashkuara janë më bujare kur bëhet fjalë për çështjet e brendshme.
Dhe fondet më të mëdha shkojnë për komunitetet fetare, me një shumë që është shumë më e madhe sesa sasia e ndihmës humanitare që shkon për vendet e varfra. Ndërsa Kushtetuta e SHBA-së, garanton ndarjen midis Kishës dhe shtetit, mjafton vetëm të analizohet ideologjia e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, për të kuptuar se vështirë se ekziston ndonjë distancim real midis të dyjave.
“Feja ka një ndikim të madh tek zgjedhjet, sidomos për shkak të votës së ungjillorëve. Sa i përket filantropisë, donacionet më të mëdha shkojnë për komunitetet fetare, spitalet dhe shkollat. Dhe kjo përbën një problem. Sepse zbritja e kontributeve nga tatimi mbi të ardhurat personale është shumë i madh dhe i pakufizuar, dhe kjo do të thotë se ka dështuar ndarja mes Kishës dhe shtetit.
Ka nga ata që kërkojnë që donacionet për komunitetet fetare të mos zbriten nga taksat, pasi ato janë shndërruar de fakto në forca politike”- mendon Mauro Guillén, zv/dekan i Shkollës së Biznesit Wharton në Universitetin e Pensilvanisë në SHBA.
Por ka edhe shumë kontradikta të tjera. Kështu kompanitë e naftës në SHBA, kanë aktualisht fitime të mëdha në nivele historike. Megjithatë organizatat e tyre filantropike, japin çdo vit vetëm 7.8-9.2 miliardë dollarë çdo vit për të përballuar emergjencën e shkaktuar nga ndryshimet klimatike.
Sipas Fondacionit Charity Aid (CAF), kompanitë më të mëdha britanike, të cilat janë pjesë e indeksit FTSE 100, dhuruan vetëm 1.85 miliardë paund (ose 2.4 miliardë dollarë) vitin e kaluar. Kjo shifër, është dukshëm më e vogël se sa shuma që dhuruan ato një dekadë më parë:2.5 miliardë paund ose 3.15 miliardë dollarë.
Pra një rënie me 26 për qind, e cila është edhe më e lartë nëse përshtatet sipas inflacionit.
Gjithsesi pushtimi i Ukrainës nga Rusia e ndryshoi disi këtë situatë. Administrata Biden dhe Kongresi Amerikan, kanë dhënë deri më tani më shumë se 76.8 miliardë dollarë ndihmë humanitare, financiare dhe ushtarake.
Kjo është hera e parë që nga koha e Planit Marshall, që një vend evropian është përfituesi kryesor i fondeve të SHBA-së. Vetëm në ndihmë humanitare, Ukraina ka marrë 3.9 miliardë dollarë, së bashku me 26.4 miliardë dollarë ndihmë financiare.
“Është e vërtetë që ka njëfarë lodhjeje nga donatorët. Por shumica e amerikanëve shfaqen ende e shqetësuar për vendin që gjendet nën sulmin rus”- thotë Joseph Nye, profesor në Shkollën e Biznesit në Harvard, dhe që ka shërbyer si Sekretar i Mbrojtjes në kohën e presidentit Bill Clinton.
Por përtej SHBA-së, situata nuk ka ndryshuar shumë. Vetëm Suedia i ka rritur donacionet humanitare për problemet jashtë shtetit, nga 15 për qind në vitin 2021, në 27 për qind në vitin 2022. Në vitin 2020, flukset ndërkombëtare totale për filantropinë ishin 70 miliardë dollarë,e njëjta shumë që ka marrë 2 vitet e fundit vetëm Ukraina.
Tradicionalisht, flukset e parave kanë lëvizur nga vendet e pasura të veriut drejt Jugut Global. Megjithatë, kjo trajektore por ndryshon, pasi vendet me të ardhura më të ulëta dëshirojnë t’i menaxhojnë vetë fondet e tyre. Ata nuk duan që ndihma humanitare të jetë një justifikim për një kolonializëm të ri “filantropik”. Kështu, sipas të dhënave nga City Foundation, 80 për qind e ojq-ve të reja të regjistruara në Kenia u krijuan brenda vendit.
Burimi: El Pais/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




