Shendet

Pse kemi rregulla anti-covid kur nuk zbatohen?

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico në një deklaratë për mediet tha të premten se është shumë e rëndësishme të ndërpriten grumbullimet e mëdha.
“Duket sikur ka një relaksim që nuk i shkon përshtat askujt për këtë situatë që jemi. Institucionet shtetërore, operatorët ekonomikë, në auditorë e kudo duhet të ndërmerren masa sepse jemi në kohë për të mos shkuar në një dishezë që askush nuk e do”, deklaroi Fico.
Por vetëm disa orë pas kësaj deklarate në qendër të Tiranës u mbajt një koncert i madh. Në këtë eveniment kishte me qindra të pranishëm të cilët gëzonin e festonin, por harruan Covid-19 bashkë me deklaratën e ekspertes së shëndetit.

Në mes turmës ishte e vështirë të merrje frymë me maskë edhe pse të paktë ishin ata që e mbanin atë. Që prej fillimit të shtatorit në hyrje të sezonit vjeshtë-dimër (një periudhë kyçe për favorizimin e virusit) aktivitetet dhe grumbullimet në kryeqytet kanë qenë të shumta, paçka se është qyteti me më shumë të infektuar. Po të pyesje për virusin gjatë koncertit askush nuk e kishte këtë shqetësim. Shumë prej tyre thonin me ironi se nuk kanë pse të shqetësohen pasi “në koncerte nuk ka virus”. Duke u kënaqur një i ri tha se kot që e kemi këtë orën 23:00, të zgjasë koncerti edhe më shumë.

Por mos zbatimi i ligjit lidhur me masat anti-Covid-19 nuk ndodhi vetëm të premten. Duke nisur nga rëndësia e masave për të cilat apelojnë vazhdimisht ekspertët e shëndetit publik Gazetasi.al ka vëzhguar herë pas here nëse ato respektohen. Gazetasi.al kërkoi informacion pranë bashkisë së Tiranës për numrin e masave administrative që janë marrë për rregullat anti-Covid-19, por për të disatën herë nuk ka marrë një përgjigje nga ky institucion.

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka thënë më herët për Gazetasi.al se rritja e infektimeve ka ardhur si pasojë e grumbullimeve. “Si popullatë ne nuk jemi në situatën ku mund të bëjmë aktivitete me dhjetëra mijëra vetë, siç ndodhi me stadiumet. Rastet i kishim në ulje deri në kohën e grumbullimeve. Në datën 13 shtator hapëm shkollat, nga gjysma e shtatorit deri në gjysmën e tetorit shirat ishin në rënie, pra shkollat nuk luajtën rol. Me 12 tetor kishim ndeshjen dhe direkt kjo ulje u ndal dhe filloi rritja. Dy javë më pas me 27 kishte numrin maksimal të rasteve dhe pas dy javëve kishte 11 vdekje. Është e lidhur epidemiologjikisht shumë qartë me stadiumin. Edhe universitetet u toleruan mirë, sepse janë deri tek 100 veta nëpër klasa, kështu që duket se ne kemi kapacitet imuniteti kolektiv deri këtu, për 100 veta ku shumica janë imunizuar, por nuk e kemi për dhjetëra mijëra, si popullatë,” shtoi Alimehmeti.

Për njerëzit dhe institucionet që nuk i zbatojnë, prej kohësh masat anti-Covid-19 në vendin tonë janë:
-Kufizimi i qarkullimit dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 23:00-06:00.
-Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
-Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë.

-Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.

Në deklaratën e saj Fico shtoi gjithashtu se nëse vazhdon rritja e numrave “të jeni të sigurt që nuk do të hezitojmë të marrim masa për të minimizuar dhe për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit”.

Por ajo çfarë është e dukshme në kryeqytet është se masat anti-covid nuk zbatohen dhe jo se ato që janë, nuk mjaftojnë për frenimin e infeksionit.
Ndërkaq tabloja epidemiologjike në vend për sa i përket Covid-19 nuk duket e mirë. Të dielën Ministria e Shëndetësisë raportoi se në 24 orë ishin kryer 1740 testime dhe prej tyre kishin dalë të infektuar rreth 405 qytetare, numër i lartë për raportet që përmban, ndërsa përqindja e pozitivitetit ishte 23.2%. Sipas të dhënave të ekspertëve të ISHP kemi 234 raste pozitivë me Covid-19 në 100 mijë banorë. Prezenca e variantit Delta ka bërë që të rriten numrat e infektimeve dhe duke qenë se kemi një popullatë pak të imunizuar, është rritur edhe numri i të shtruarve dhe vetëm vaksinimi pa respektimin e masave nuk po funksionon.
Ndërkohë mes festimeve që priten të vijojnë për festat e nëntorit dhe ato të fundvitit dhe masave të pazbatuara, shifra e vaksinimit me dy doza në vendin tonë është 37%, të popullatës së përgjithshme. Në bazë shifrash e faktesh Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti i Ekspertëve duhet të shpjegojnë se pse marrin përsipër barrën e vendosjes së një rregulloreje të cilën nuk e zbatojnë as vetë institucionet shtetërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë