Ne e kemi parë prej kohësh kancerin e gjirit si sëmundje të një gruaje në moshë, me shumicën e rasteve të diagnostikuara pas të 50-tave por kjo po ndryshon.
Mediat sociale sot duken të mbushura me vajza të reja që dokumentojnë udhëtimet e tyre me sëmundjen. Njëra prej tyre është kërcimtarja profesioniste Amy Dowden, 33 vjeçe, e cila postoi foto javën e kaluar duke treguar se prej pak kohësh vuan nga kanceri i gjirit.
Si Dowden ka dhe gra të tjera të cilat bëjnë të njëjtën pyetje: Pse kaq shumë gra të reja po diagnostikohen me kancer gjiri?
Një studim në SHBA, i botuar në Journal Of The American Medical Association muajin e kaluar, zbuloi se kanceret e të gjitha llojeve ishin në rritje për gratë më të reja por, çuditërisht, jo për burrat.
Ndërsa rritja më e madhe ishte për kanceret gastrointestinale, shumica e kancereve të diagnostikuara tek gratë nën 50 vjeç ishte kanceri i gjirit ku numrat u rritën me 7.7 për qind midis 2010 dhe 2019.
Nga ana tjetër, studiuesit gjetën se shkalla e diagnostikimit tek personat mbi 50 vjeç ka rënë.
Këto gjetje befasuese mbështeten nga një studim i ngjashëm, i botuar në British Medical Journal Oncology në fillim të këtij muaji, i cili zbuloi se globalisht numri i njerëzve që u diagnostikuan me kancere me fillimin e hershëm u rrit me 79.1 për qind midis 1990 dhe 2019. Kanceri i gjirit përbënte jo vetëm numrin më të madh të këtyre rasteve, por edhe përqindjen më të madhe të vdekjeve nga çdo formë kanceri në moshën nën 50 vjeç.
Sipas ekspertëve, kjo mund të ndodhë sepse popullata është ndërgjegjësuar dhe kryen ekzaminime edhe në moshë të hershme.
E vërteta e trishtueshme është se po flasim për gratë në moshë për të lindur dhe trajtimet mund të ndikojnë në fertilitetin e tyre.
Shumë gra duan diçka për të fajësuar dhe mendojnë se mund të ketë ndodhur për shkak të diçkaje që ata bënë.
Por nuk është kështu, këto gra janë thjeshtë të pafat dhe rrallëherë ekziston një arsye e vetme për një diagnozë të kancerit pasi zakonisht janë një kombinim i faktorëve mjedisorë, gjenetikë dhe të stilit të jetesës.
Është sigurisht e vërtetë të thuhet se mënyra e jetesës së grave ka ndryshuar më shumë se ajo e burrave gjatë 50 viteve të fundit. Pak më shumë se 50 për qind e grave punonin në fillim të viteve 1970, tani shifra është më shumë 80 për qind. Nuk ndodh më që gratë të largohen nga puna kur kanë fëmijë. Si rezultat, jetët janë më stresuese.
Ndërsa stresi është përjashtuar si shkaktar i kancerit të gjirit, njerëzit që janë të stresuar kanë më shumë gjasa të pinë më shumë alkool dhe duhan si një mekanizëm përballues.
Pirja e vazhdueshme dhe e rregullt mund të krijojë sasinë e një kimikati që shkakton kancer të quajtur acetaldehid në trup dhe të rrisë nivelin e disa hormoneve, duke përfshirë estrogjenin, i cili nxit disa lloje të kancerit të gjirit.
Vetëm një gotë verë ose një pije tjetër çdo ditë e bën më të mundshëm që një grua të zhvillojë sëmundjen, duke rritur rrezikun për një individ me 15 për qind. Për çdo pije shtesë ditore, ky rrezik rritet. Historikisht, burrat kanë konsumuar më shumë alkool sesa gratë, por hendeku gjinor është ngushtuar ndjeshëm vitet e fundit.
Të qenit i zënë dhe i stresuar mund të lërë më pak kohë për stërvitje, gjithashtu një tjetër faktor rreziku.
Diferencë bën edhe dieta jonë. Shumica e ushqimeve të lira dhe lehtësisht të disponueshme sot janë të pasura me yndyrna të ngopura, kripë dhe sheqer, dhe janë shumë të përpunuara. Kjo ka kontribuar shumë në problemin e obezitetit dhe qelizat dhjamore prodhojnë estrogjen dhe nivelet më të larta të hormonit janë të lidhura me zhvillimin e kancerit të gjirit, veçanërisht në gratë e moshuara. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse obeziteti mund të shkaktojë kancerin e gjirit tek gratë më të reja.
Një faktor tjetër, i theksuar nga studimi historik i miliona grave, një nga studimet më të mëdha për shëndetin e grave në botë, i cili rekrutoi më shumë se 1.3 milion gra është ekspozimi gjatë gjithë jetës ndaj estrogjenit dhe pikërisht këtu ka pasur edhe ndryshime të mëdha gjatë 50 viteve të fundit.
Një nga më të rëndësishmet është që femrat e fillojnë pubertetin më herët. Në vitet 1950, mosha mesatare për fillimin e periodave ishte 13, tani është 11 dhe studimet kanë treguar se sa më e re të jetë një vajzë kur i fillojnë periodat, aq më gjatë do të jetë trupi i saj i ekspozuar ndaj niveleve më të larta të estrogjenit.
Numri i fëmijëve që ka një grua dhe mosha në të cilën ajo i ka, gjithashtu luan një rol.
Të kesh fëmijë është mbrojtëse pasi janë më pak të ekspozuara ndaj estrogjenit por kjo mbrojtje në përgjithësi lidhet me kanceret që zhvillohen më vonë në jetë.
Në terma afatshkurtër, ekspertët kanë zbuluar se rreziku i kancerit të gjirit në të vërtetë rritet për gratë pas lindjes dhe arrin kulmin gjatë pesë viteve pas lindjes së fëmijës së tyre të fundit. Nuk është e qartë pse ndodh kjo, por studimi tregon se gratë që vonojnë shtatzëninë e tyre të parë deri në fund të të 30-ave janë më të prekura.
Gjithashtu, është e mundur që edhe përdorimi i pilulës të ketë një efekt të vogël. Përdorimi i çdo lloj kontraceptivi hormonal rrit shumë pak rrezikun e kancerit të gjirit tek një grua gjatë përdorimit të tij dhe për dhjetë vjet më pas.
Ajo që vlen të theksohet është se brezi i sotëm i grave të reja janë të parat që janë ekspozuar ndaj shumicës së këtyre faktorëve të rrezikut gjatë gjithë jetës së tyre.
Ato ka të ngjarë të kenë ngrënë ushqime ultra të përpunuara, me sheqer të lartë që nga fëmijëria, mund të kenë bërë jetë më të pashëndetshme dhe mund të kenë filluar të pinë që në adoleshencë. Gjithashtu menstruacionet e tyre kanë filluar më herët dhe ato mund të kenë fëmijë më vonë.
E rëndësishme është se çdo grua duhet të kontrollojë rregullisht gjoksin e saj dhe çdo detaj jo normal duhet të kontrollohet tek një specialist pasi nuk mund të themi më se kanceri i gjirit është diçka që vuajnë vetëm gratë mbi 50 vjeç.
Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.