Lexo me "Si"

Pse jeta ia vlen të jetohet… sipas Kamysë

Nëse ndjekim Kamynë në mendimin se ekziston “një problem vërtet serioz filozofik, dhe ajo është vetëvrasja”, atëherë jemi të angazhuar ndaj idesë se vendimi nëse jeta ia vlen të jetohet apo jo është pyetja themelore e filozofisë.

Nëse zgjedhim të vazhdojmë jetën tonë dhe të përmbahemi nga vetëvrasja, atëherë kemi vendosur në fund të fundit që jeta ia vlen të jetohet, pavarësisht sa mund të ankohemi për të.

Vetëm duke kryer aktin e vetëvrasjes mund të përgjigjemi se jeta nuk ia vlen të jetohet. Të kryesh vetëvrasje do të thotë të pohosh se jeta nuk ia vlen mundimin e të jetuarit. Duke zgjedhur të vazhdojmë ose t’i japim fund jetës sonë, ne po i përgjigjemi në mënyrë të nënkuptuar pyetjes nëse jeta ia vlen apo jo të jetohet.

Të vazhdosh të marrësh frymë është t’i japësh një vlerë pozitive jetës.

Nëse supozojmë se koncepti i absurdit të Kamysë ekziston dhe jeta përcaktohet nga ky koncept i veçantë i absurditetit, atëherë mund të bëjmë pyetjet e mëposhtme: A ia vlen të jetohet një jetë e tillë absurde? A duhet të përmbahemi nga vetëvrasja? A ka ndonjë mënyrë për të shpëtuar nga absurdi? Ky artikull do të shqyrtojë mendimet e Kamysë mbi mundësinë e arratisjes nga absurdi dhe, nëse është e mundur të arratisemi prej tij.

Absurdi është gjendje e pakëndshme. Ai përbëhet nga një shkëputje themelore midis dëshirës së qenies njerëzore për një kuptim dhe një universi që e frustron vazhdimisht këtë dëshirë me pakuptueshmërinë dhe indiferencën . Është e natyrshme që ne do të kërkonim të dilnim nga ky realitet. Nëse ne dëshirojmë një kuptim përfundimtar të jetës, një grup parimesh që mund të udhëheqin mendimet dhe veprimet tona, atëherë patjetër që do të përpiqemi të kapërcejmë ose të shpëtojmë nga një univers që na mohon këtë kuptim. Tani mund të shtrojmë pyetjen se si mund të realizohet ky kapërcim ose arratisje nga absurdi.

Njohja më e thellë e disa detajeve në lidhje me absurditetin ofron një kuptim mbi mënyrën se si kjo arratisje mund të realizohet.

“Absudi është në thelb një marrëdhënie që ndodh midis një qenieje që kërkon kuptimin përfundimtar të jetës por që nuk arrin të gjejë një përgjigje të duhur duke përfunduar në frustrim”        

Absudi mund të ekzistojë vetëm nëse të dy anët e marrëdhënies janë të pranishme. Prandaj, rrëzimi i njërës ose të dyja premisave (premisës së kuptimit përfundimtar dhe premisës së pamundësisë) që janë të nevojshme për ekzistencën e absurdit, na lejon të shpëtojmë nga absurdi. Kështu, ne mund të jetojmë një jetë që nuk përcaktohet nga absurdi dhe ky koncept i veçantë i absurditetit. Kamyja identifikon dy metoda të mundshme të arratisjes: vetëvrasjen fizike dhe vetëvrasjen filozofike.

Le të fillojmë duke shpjeguar se si vetëvrasja fizike na lejon të shpëtojmë nga absurdi. Kjo është mjaft e thjeshtë: t’i japësh fund jetës është ekuivalente me eliminimin e qenies që kërkon vazhdimisht kuptimin përfundimtar. Pa një qenie që kërkon kuptimin përfundimtar, premisa e parë e nevojshme për ekzistencën e absurdit humbet.

Me fjalë të tjera, pa një qenie që kërkon kuptimin përfundimtar, nuk ka dëshira që mund të frustroren nga universi indiferent dhe i pakuptueshëm.

Absurdi nuk mund të ekzistojë sepse ai është në thelb ky përjetim i qenies njerëzore që lufton kundër universit për kuptimin përfundimtar. Pa qenien, nuk mund të ketë një përjetim të tillë. Duke i dhënë fund jetës sonë, ne domosdoshmërisht e bëjmë të pamundur që ky frustrim i dëshirës për kuptimin përfundimtar të ndodhë.

Me fjalë të tjera  “nuk mund të ketë absurditet jashtë mendjes njerëzore.” Ne mund ta shohim këtë edhe nga një këndvështrim tjetër. Nëse humbasim një entitet në një marrëdhënie të përbërë nga dy entitete, marrëdhënia pushon së ekzistuari , pasi një marrëdhënie kërkon të paktën një entitet tjetër që i pari të lidhet me të. Prandaj, shohim se “absurdi përfundon me vdekjen.”

Tani mund të shqyrtojmë se si vetëvrasja filozofike na lejon të shpëtojmë nga absurdi. Së pari, duhet të përcaktojmë nocionin e vetëvrasjes filozofike. Ne kryejmë vetëvrasje filozofike kur bëjmë një “kapërcim të besimit.” Të bësh një kapërcim të besimit do të thotë të pezullosh racionalitetin, të pretendosh njohuri ose të besosh gjëra që shkojnë përtej kufijve të racionalitetit, të besosh dhe të arrish përfundime me anë të besimit.

Kamyja i kundërshton kategorikisht jo vetëm të dyja këto mekanizma të shmangies së absurdit, por edhe çdo mekanizëm tjetër që përpiqet të shmangë absurditetin.

Ky refuzim bazohet në një angazhim kokëfortë për të qëndruar racional dhe i vetëdijshëm për absurditetin duke qëndruar besnik ndaj së vërtetës deri në fund të jetës.

E gjejmë këtë kur Kamyja thotë:

“Nëse gjykoj se diçka është e vërtetë, duhet ta ruaj atë.”

Për më tepër, Kamyja sugjeron se nuk është e mundur që një individ i ndershëm t’i kthejë shpinën absurdit, sepse:

“Njeriu është gjithmonë pre e të vërtetave të tij. Pasi t’i ketë pranuar ato, nuk mund të çlirohet prej tyre.”

Prandaj, Kamyja na këshillon të mos kryejmë vetëvrasje filozofike dhe të mos i dorëzohemi ndonjë besimi të mundshëm , në mënyrë që të qëndrojmë racional deri në fund të jetës. Dhe më tej na nxit të refuzojmë vetëvrasjen fizike, pasi një akt i tillë do të na privonte nga aftësia për të mbajtur absurditetin në vetëdije.

Përkundrazi, Kamyja argumenton se duhet të “rebelohemi” kundër absurdit, që do të thotë të qëndrojmë plotësisht të vetëdijshëm për absurditetin në çdo moment dhe të pranojmë se mund të mos ketë jetë përtej kësaj. Vetëm kështu mund ta jetojmë jetën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Burimi: Jeffrey Miiller, Përshtati: Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë