Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë pretendimet e Presidentit Ilir Meta dhe të opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, se keqqeverisja e tij po shpopullon vendin.
Nga Korça, ku ndodhej për një bashkëbisedim me qytetarët e këtij rrethi, Rama tha se emigrimi është pasojë e lëvizjes së lirë dhe zgjedhje personale, sidomos e të rinjve shqiptarë.
“Nuk jemi në bunkerin e shokut Enver, nuk jemi në një fazë të parë apo të re të lëvizjes nga Shqipëria. Shqiptarët kanë ikur gjithmonë në historinë e tyre, deri në kohën kur pastaj u ndërtua bunkeri dhe u mbyllën me zor brenda, ikin kanë ikur kthehen e do kthehen dhe trendët janë varur gjithmonë nga trendet historike”, u shpreh ai.
Kryeministri thotë se këtë fenomen janë ende duke e vuajtur edhe vende më të zhvilluara se Shqipëria dhe anëtare të Bashkimit Europian.
“E kanë vuajtur e vuajnë sot edhe vende të BE, është një dhimbje e kësaj kohë. Është fjala për ta parë realitetin në sy dhe nëse duam që ata që janë sot më të vegjël të mos kenë pyetjen, sot të bëjmë gjërat e duhura e të jemi të vetëdijshëm se nuk ka shkop magjik. Nuk mundet Shqipëria të ofrojë atë që ofron Gjermania. Ka limite!”, tha ai.
Por, ndryshe mendon Lulzim Basha.
“Do të ndal katastrofën kombëtare të largimit të rinisë, por edhe do t’i hap rrugë rinisë që ajo të marrë shumë shpejt fatet ekonomike dhe politike të vendit në dorë dhe ajo do të jetë dhe dita e parë e Shqipërisë Europiane”, thotë Basha.
Si Rama nuk mendon as Monika Kryemadhi.
“Ne nuk kemi inxhinierë rrugësh sepse kanë ikur, nuk kemi më inxhinierë nafte sepse kanë ikur dhe i marrim nga shtetet e tjera dhe i paguajmë me paratë e shqiptarëve. Ne nuk kemi më mjek dhe infermierë sepse kanë ikur. Ne nuk kemi më ekonomistë, por kemi mediokër që ngatërrojnë fondet e investimit me depozitat bankare, sepse ekonomistët e vërtetë kanë ikur”, tha Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.