Sa herë flitet për dhunën ndaj grave dhe vajzave, mendimi i parë lidhet me lëndimet fizike. Por, fenomeni më i përhapur dhe më i padenoncuar janë ngacmimet dhe sulmet. Ngacmimet seksuale në punë, shkollë, rrugë çdo herë e më shumë vijnë në rritje.
Ngacmimi seksual ka një “kosto” të madhe për shëndetin mendor të viktimave, si nga aspekti i grave dhe vajzave, por edhe për meshkujt. Akuzat e bëra nga figura të famshme në mbarë botën kanë shkaktuar një skandal të gjerë për ngacmimet seksuale. Duke përdorur hashtagun #MeToo (edhe unë) gratë (dhe disa burra) kudo në botë kanë shpërndarë në rrjetet sociale eksperiencat e tyre të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale. Edhe shoqata dhe organizata të ndryshme shqiptare e cilësojnë krejt të papranueshëm faktin që femrat nuk mund të ecin lirisht në publik. Të fishkëllyerit, etiketimet apo ftesat e bëra me zë nga gjinia e kundërt, vazhdojnë të jenë fenomene negative që cenojnë të drejtat dhe liritë e vajzave dhe grave në mbarë vendin.
Nën sloganin “Gra dhe vajza të sigurta në qytetet tona” ditën e sotmen në Tiranë u mbajt një konferencë për parandalimin e ngacmimeve dhe sulmeve seksuale ndaj grave shqiptare.
Drejtuesja e konferencës Monika Kocaqi tha për gazetën “Si” se një ndër sfidat e këtij studimi ka qenë mënyra e komunikimit me të anketuarit. “Shumë prej të anketuarve, nguronin që të flisnin për një çështje të tillë, disa nuk donin të flisnin, disa të tjera thanë që ishin të shoqëruara, e disa të tjera vetëm kur dëgjuan pyetjen u larguan menjëherë,” tha Kocaqi. “Nga anketimet kemi kuptuar se të flasësh për ngacmimet seksuale ende është një tabu për qytetaret shqiptare,” shton ajo
Pjesëmarrësit e kësaj konference treguan se për herë të parë, u krye një studim nga kompania e hulumtimeve “IDRA” dhe shoqata “UN Women Shqipëri” i cili nxori në pah se, statistikat e ngacmimi seksual sa vijnë e rriten duke krijuar një situatë shqetësuese.
Në konferencë u tregua se nga ky fenomen më së shumti preken gratë dhe vajzat e reja. Hulumtimet u kryen kryesisht në qytetet Tiranë, Durrës dhe Fier dhe treguan se të gjithë qytetarët kishin treguar se kishin hasur ngacmime seksuale në mënyra të ndryshme si ndjekja, shtyrje dhe të tjera. Gjithashtu studiuesit u shpërehen se ka pasur dhe sulme fizike me një përqindje të vogël (8 për qind), por duhet të merret në konsideratë pasi të gjitha këto kanë ndodhur në ambiente publike dhe askush nuk ka reaguar. Disa nga format e ngacmimit më të përdorura kundrejt qytetareve shqiptare e cila ka arritur në pesëdhjetë për qind ka qenë shikimi ngultas, dhe ngacmimet me etiketime të ndryshme.
Një ndër problemet kryesore që ky hulumtim ka zbuluar është se 16 për qind e grave dhe vajzave që kanë qenë të ekspozuara ndaj ngacmimeve ose dhunës seksuale kanë kërkuar ndihmë më së shumti nga të afërmit ose miqtë, por vetëm dy prej të anketuarave në të gjithë studimin kanë denoncuar rastin e tyre. Raportimi i këtyre rasteve është ende në nivele shumë të ulëta, krahasuar me fenomenin që ndodh. Një sërë arsyesh që ndikojnë, si mentaliteti, mungesa e informacionit, pasiguria, frika nga paragjykimet i bëjnë femrat të tërhiqen nga denoncimi. Një ndër paragjykimet që është spikatur në këtë hulumtim ishte dhe fakti që të anketuarit janë shprehur se shumica e vajzave dhe grave iu pëlqen që t’i ngacmojnë dhe kushtojnë vëmendje. Shumica i provokojnë vetë ngacmimet seksuale duke u veshur në mënyrë të papërshtatshme ose duke dalë në orët e vona.
Qëllimi i prezantimit të këtij hulumtimi është që qytetarët të jenë të informuar dhe shteti të marrë masat e duhura kundrejt këtij fenomeni duke krijuar një ambient të sigurt për të gjitha gratë dhe vajzat. Disa nga mënyrat më të mira që femrat të ndjehen të sigurta janë ndriçimi i rrugëve, vendosja e kamerave të sigurisë në të gjitha njësitë administrative të qyteteve dhe patrullimi i vazhdueshëm i policisë. Një ndër zonat me përqindjen më të lartë për sa i përket kërcënimeve që marrin gratë dhe vajzat nga personat që i ngacmojnë është ajo e Shkozetit.
Sipas studiuesve disa ngacmime ndodhin edhe për shkak të orientimit seksual. Në qytetin e Durrësit hulumtuesit kanë vëzhguar se personat të cilët janë anëtarë të LGBTI kanë më gjasa të jenë të ekspozuar ndaj ngacmimeve dhe sulmeve seksuale.
Kociqi gjithashtu tha se perceptimi i kalimtarëve që shohin një rast të ngacmimeve apo sulmeve seksuale është më shumë për tu shqetësuar, pasi janë shumë të pakta rastet kur qytetarët reagojnë as për të mbrojtur viktimat, por as për të telefonuar policinë.
“Sipas statistikave 44 për qind e grave tregojnë se çështja e dhunës duhet të mbahen të fshehta dhe të mos tregohen te të tjerët, çfarë i ndodh një personi duhet ta mbajë përbrenda. Kjo tregon se gratë që mendojnë në këtë mënyre janë më të predispozuara ndaj dhunës,” thotë ajo.
Në këto kushte, është momenti që të gjithë femrat të pyesin veten, “A ja vlen të hesht kur sulmohem seksualisht? Kjo situatë nuk mund të mbetet në fazën e zbulimit të statistikave që fatkeqësisht janë të larta çdo vit. Hapi kryesor për ndalimin e këtij fenomeni është denoncimi i abuzuesve. Gratë dhe vajzat e reja duhet të denoncojë rastet e tyre por jo vetëm. Nuk mjafton vetëm një fushatë ndërgjegjësimi për të ndaluar egon e këtyre personave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.