Filma

Pse grabitjet e artit u shtuan gjatë shekullit të 20-të?

Nga Gazeta “SI”– Filmi i ri i shumëvlerësuar The Mastermind, me aktorin britanik Josh O’Connor, sjell në ekran historinë e një grabitjeje arti që shkon keq.

I frymëzuar nga ngjarje të vërteta të viteve 1970, filmi i regjisores amerikane Kelly Reichardt zhvesh mitin e “hajdutit elegant” dhe e kthen historinë e krimit në një reflektim mbi ambicien, dështimin dhe moralin.

Ngjarja që e frymëzoi filmin ndodhi në maj të vitit 1972, kur dy burra hynë në Muzeun e Artit në Worcester, Massachusetts, dhe dolën prej andej me katër piktura të Paul Gauguin, Pablo Picasso dhe një “Rembrandt” të supozuar. Grabitësit mbajtën peng vizitorë të rinj dhe plagosën një roje sigurie, ndërsa vlera e veprave të vjedhura llogaritej në rreth 2 milionë dollarë , një shumë e jashtëzakonshme për atë kohë. Ngjarja u rendit nga New York Times ndër grabitjet më të mëdha të artit në historinë moderne.


Pas një muaji, policia arriti të gjente veprat e vjedhura në një fermë derrash në Rhode Island. Grabitjen e kishte planifikuar krimineli Florian “Al” Monday, i cili u kap pasi bashkëpunëtorët e tij u mburrën në një bar lokal me “suksesin” e tyre. Pikërisht ky përzierje mes absurdit, ironisë dhe ambicies njerëzore e frymëzoi Reichardt-in për filmin e saj.

The Mastermind , O’Connor luan JB Mooney-n, një ish-student arti i klasës së mesme që punon si marangoz i papunë dhe jeton nën presionin e prindërve për të kthyer borxhet. I lodhur dhe i zhgënjyer, ai planifikon një grabitje muzeale me shpresën për t’u pasuruar shpejt  por plani i tij shpërbëhet që në hapat e parë.

Filmi shmang formatin klasik të “thriller-it me shkëlqim”, duke zgjedhur një ritëm të ngadaltë dhe një ton realist. Skenat e Reichardt-it fokusohen te detajet njerëzore,  pavendosmëria, frika, dhe absurditeti i situatave  në vend të spektaklit të zakonshëm të grabitjeve në film.

Kritiku i The Guardian, Peter Bradshaw, e ka vlerësuar veprën për “aftësinë për të gjetur jo glamurin, por mjerimin në një heist”.

Reichardt thotë se e frymëzoi ideja e “heqjes së hijeshisë” nga krimi.

“Nëse përqendrohesh në detajet dhe jo në pamjen e madhe, historia e humb vetvetiu çdo shkëlqim,” shpjegon ajo.

Filmi prek edhe atmosferën e trazuar të viteve ’70, kur grabitjet e artit u shtuan ndjeshëm. Në të njëjtën periudhë ndodhën vjedhje të mëdha si ajo në Muzeun e Arteve të Bukura në Montreal dhe rrëmbimi i 119 veprave të Picassos në Francë. Historiani i artit Tom Flynn e lidh këtë fenomen me rritjen e tregut të artit dhe ndryshimin e mënyrës se si publiku e shihte vlerën e veprave: “Ishte koha kur arti filloi të shihej si para.”

The Mastermind është gjithashtu një reflektim mbi figurën e hajdutit në kulturën popullore , nga filmat si Topkapi apo How to Steal a Million, që e paraqisnin hajdutin si rebel simpatik, deri te dështaku modern që përpiqet të shpëtojë nga rutina. Por tek JB i Reichardt-it, ky mit prishet: ai nuk është hero, por një njeri i zakonshëm që përplaset me pasojat e zgjedhjeve të tij.

Nëpërmjet personazheve femra përreth tij , gruaja Terri (Alana Haim) dhe mikja Maude (Gaby Hoffman) ,  filmi ofron një vështrim më realist mbi “lirinë personale” dhe çmimin që ajo kërkon. “Këta burra ndihen të lirë, por dikush tjetër mbart peshën e asaj lirie,” thotë regjisorja.

Sot, grabitjet muzeale janë shumë më të rralla, por ekspertët paralajmërojnë se shkurtimet e fondeve publike në SHBA dhe mungesa e investimeve në siguri mund të rihapin plagët e së kaluarës. “Nëse nuk kujdesemi për vetë ndërtesat , çatitë, dritaret, strukturat , atëherë rreziku më i madh për artin nuk janë hajdutët, por moti dhe ndryshimet klimatike,” paralajmëron eksperti Vernon Rapley.

Burimi: BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë