Futboll

Pse FSHF dhe arbitrat u bënë ‘trima’ pikërisht tani?!

Gazeta Si – Ngjarja është vërtet e rëndë, nuk ka diskutim, por më shumë se lajmi për kërcënimin e arbitrave nga një klub futbolli (Kastrioti), ajo që bën përshtypje në realitetin futbollistik shqiptar ka të bëjë me faktin pse FSHF dhe arbitrat u bënë trima pikërisht tani, afër fundit të sezonit? Sepse historia e kërcënimit të arbitrave është e njohur prej vitesh, edhe pse jo zyrtarisht.

Me këtë që ndodhi, është e qartë që Kastrioti do të marrë një dënim kapital. FSHF në deklaratën e saj për çështjen në fjalë bënte edhe një autogol, teksa pohonte se nën presion arbitrat kanë anualuar një gol të rregullt të Laçit ndaj Kastrioti… Pas asaj ndeshjeje nuk pati asnjë reagim, ky ekip i mori pikët në renditje.

Me siguri si ky rast ka shumë dhe arbitrat patjetër që shqetësimin e kanë përcjellë te shefat e tyre të sektorit dhe këta të fundit tek organet e tjera të FSHF-së, deri te presidenti Duka. Megjithatë, asgjë nuk ka ndodhur, ndaj dhe lajmi i sotëm ka shkaktuar habi. Pse kjo çështje shpërtheu në këtë moment?

Nuk është e vështirë të kuptohet që diçka ka ndodhur dhe ka lëvizur levat që mbanin në ekuilibër një kampionat edhe mes kërcënimeve ndaj arbitrave. Më shumë se një përpjekje për të ‘mjekuar’ apo ‘shëruar’ futbollin, bërja publike e kërcënimit të arbitrave nga klubi krutan dyshohet se i shërben një skenari për favorizimin e një klubi tjetër në rrezik mbijetese.

Diçka e ngjashme me atë që ndodhi në Kategorinë e Parë pak ditë më parë, kur u përjashtua Tërbuni për dhunë ndaj arbitrave. Klubi pukjan dihet se nuk ka marrëdhënie të mira me FSHF-në dhe u përjashtua menjëherë, ndryshe nga sa ka ndodhur në raste të tjera dhune edhe në Superiore, kur janë goditur arbitra dhe lojtarë në fushë. Si në Kukës, për shembull. Edhe kërcënime të tjera arbitrash ka pasur, por asnjëherë hetim.

Për përjashtimin e Tërbunit flitej nën zë para se të ndodhte, me preteksin e favorizimit të Lushnjës dhe Turbinës. Pukjanët u zbritën një kategori më poshtë, fiks sipas sekenarit të përfolur, Turbina mori 3 pikët në tavolinë dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Lushnjën.

Për Kastriotin nuk është përfolur ndonjë skenar në fakt, sepse askush nuk e priste që FSHF dhe arbitrat të bëheshin trima tani. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë dhe mbi të gjitha, me të njëjtin standard, për t’i dhënë kuptim një gare sportive mes të barabartësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë