Financa Personale

Pse financierët e pavarur nuk duhen përjashtuar nga paketa e ndihmave

(Një vështrim mbi efektin e Covid-19 mbi studiot e vogla të audituesve ligjor)

Nga Meri Lika* - Në Shqipëri por dhe në botë, personat fizik dhe shoqëritë e vogla audituese përbëjnë pjesën më të madhe të numrit të audituesve ligjorë. Shumë prej tyre duke hasur shumë vështirësi në tregun e auditimit kombinojnë veprimtarinë e tyre të auditimit duke ofruar shërbime të tjera këshilluese, apo kontabiliteti për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat në kushtet e Covid-19, sjellin rrezik të shtuar të konsiderueshëm. Por qëndrueshmëria e këtyre zyrave të vogla është shumë e vështirë në kushtet e sfidave që iu dalin përpara të shkaktuara nga globalizimi dhe nga teknologjia.

Situata e mbylljes dhe e paralizës praktike totale të aktivitetit ekonomik, nën karantinën Covid, ka efekte shkatërruese në strukturën e përgjithshme të biznesit, të cilat ndikojnë drejt për drejt tek firmat e vogla audituese, duke gjeneruar ose përkeqësuar disa rreziqe.

Likuiditeti

Kompanitë e klientëve tanë, studiove të vogla të audituesve ligjorë, kanë hyrë në një spirale të mungesës së likuiditetit e cila për rjedhim ka sjellë mospagesa ose vonesa të pagesave për shërbimet e kryera nga auditorët

Një faktor tjetër rreziku vjen nga vonesa në ekzekutim dhe për këtë arsye edhe në faturimin e shërbimeve të auditimit pasi lëshimi i raportit do të bartet deri në muajin korrik (për momentin), të gjitha datat do të jenë në varësi të datës së ndërprerjes së gjendjes së jashtëzakonshme aktuale. Pra një të ardhur të cilën, vitet më parë, auditorët e faturonin brenda datës 31 mars, këtë vit do të duhet ta faturojnë pas datës 31 korrik.

Mbyllja e përkohshme e shumë klientëve është një tjetër shkak i cili, sjell si pasojë mungesën e pagesave për studiot audituese në lidhje me shërbimet, qoftë këto shërbime kontabiliteti apo dhe konsulence.

Financimi

Si pasojë e sa më sipër, së bashku me aspak financim të jashtëm, me aftësi të kufizuara për vetë-financim si dhe me përjashtimin totalisht nga paketat e ndihmave qeveritare, madje mund të themi se ky lloj profesioni është trajtuar në këto paketa në kushte të plota diskriminimi, do të vendosë shumë firma të vogla në situata ekstreme të cilat, siç kemi filluar të bëjmë të gjithë, po i detyron të kontribuojnë para nga xhepat e tyre, si për pagesat e taksave, tvsh-së, pagave etj. Mungesa e shpresave dhe pasiguria për të ardhmen e afërt po shkatërrojnë firmat e vogla me pak ose aspak burime financiare

Tregu ose portofoli i klientëve

Personat fizik dhe firmat e vogla të auditorëve / konsulentëve janë veçanërisht të ekspozuara pasi shumë nga klientët e tyre, NVM dhe të vetëpunësuarit, me bizneset e tyre të mbyllura dhe përballë pasigurisë për rimëkëmbjen e normalitetit duke i shtuar edhe mungesën e likuiditetit të tyre, ka më shumë të ngjarë të mos mbijetojnë, e cila do të thotë një rënie dramatike e të ardhurave për studiot e auditorëve dhe do të detyrojë një ristrukturim të fuqisë punëtore ose të rimendojnë qëndrueshmërinë e zyrave të tyre.

Një efekt tjetër është fakti që klientë të caktuar po kërkojnë ulje të tarifave për shërbimet që studiot forojnë dhe detyrimisht kjo do të sjellë rënien e të ardhurave.

Shumë firma të vogla auditimi kanë qenë duke kryer kontabilitete dhe shërbime këshillimi që, si rezultat i krizës, nuk do mund të jenë në gjendje të përfundojnë dhe aq më pak të faturohen.

Rentabiliteti

Është thënë deri në lodhje, se honoraret që aplikohen në punën e auditimit kanë vite që ndikojnë negativisht në fitimin e firmave të vogla të auditimit, gjë që ka shtuar përdorimin e sistemeve dhe praktikave arkaike dhe joefikase dhe e kanë bërë shërbimin e auditimit aspak fitimprurës, aspak tërheqës për gjeneratat e reja të auditorëve. Në këtë kuptim, kriza e tanishme COVID-19 ka kapur në befasi shumë auditorë të vegjël të cilët, nga pamundësia financiare, kjo krizë i ka gjetur pa një strukturë, organizim dhe mjete adekuate për t’i bërë përballë këtij cunami që na ka përfshirë.

Lidhur me sa më sipër, më duhet të vë në pah efektin negativ që ka puna nga shtëpia në shumë zyra për shkak të mungesës së përvojës dhe sistemeve adekuate për aplikimin e saktë të tyre. Kjo gjë që shpesh ka shkaktuar një rënie të konsiderueshme të produktivitetit të personelit të tyre me efektin negativ në ekzekutimin e punës dhe ofrimi i shërbimeve.

Rënia e rentabilitetit dhe efikasitetit të anëtarëve të ekipeve të punës është një nga efektet e para të gjendjes aktuale. Komunikimet, aksesi në dokumentacionin origjinal, nevoja për të pasur mjete të përshtatshme dhe të dizajnuara mirë për të realizuar punën nga shtëpia, po iu sjellin pasoja një numri gjithmonë në rritje të firmave të vogla audituese por dhe atyre jo aq të vogla të cilat dita ditës vuajnë pamundësinë për të investuar në teknologji të reja.

Situata më sipër është gjithashtu e prekshme edhe për atë pjesë të auditorëve që nuk kanë mjetet e duhura dhe të zakonshme kompjuterike dhe të komunikimit, e vetmja gjë që i bashkon me studiot e mëdha është emri i auditit ligjor dhe kuotat periodike që paguajnë. Studiot e vogla nuk marrin asnjë ndihmë nga IEKA dhe as nga shteti (ky i fundit duhet të jetë i interesuar t’i mbështesë dhe përkrahë duke ditur rëndësinë që ka auditimi) duke i detyruar shpesh herë këto studio të mendojnë ridimensionimin e qendrueshmërisë së tyre në antarësi.

Vazhdimësia

Si rezultat përfundimtar i problemeve në rritje që po shkakton kriza e tanishme dhe që do të përkeqësohet me vazhdimin e situatës aktuale, do të detyrojë shumë prej auditorëve përgjegjës të këtyre studiove të vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e veprimtarisë së tyre. Për shumë auditorë, biznese të vogla, COVID-19 do të përshpejtojë mbylljen e tyre duke çuar deri në pikën që të tentojnë shitjen e portofolit të klientëve të tyre në rënie, ose siç po ndodh tashmë, përmes bashkimeve për të krijuar studio më të mëdha.

Si përfundim, mund të themi se firmat e auditimit janë gjithashtu kompani dhe si të tilla janë të ekspozuara ndaj rreziqeve që rrjedhin nga kjo krizë. Mbijetesa e tyre do të varet nga shumë faktorë të një natyre ekzogjene, kundrejt të cilëve ata nuk kanë aftësi për të manovruar dhe që në mënyrë efektive do të kenë një efekt të drejtpërdrejtë në mbijetesën e tyre, si rrjedhim ata do të detyrohen të marrin vendime për strukturën dhe organizimin e tyre. Një nga zgjidhjet, jo e vetmja, për të cilën disa kolegë po punojnë aktualisht, është që të lidhen ose të integrohen në firma të tjera më të mëdha për të gjetur mbështetjen dhe sigurinë me të cilën do të përballen me sfidat aktuale. *Audit Ligjor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë