Nga Gazeta ‘Si’- Kostot njerëzore të sulmeve të Izraelit ndaj Libanit u bënë të dukshme gjatë vizitës së eurodeputetit irlandez Barry Andrews në Bejrut muajin e kaluar.
Ai u takua me njerëz që kishin ikur nga bombardimet izraelite dhe që kishin respektuar urdhrat për evakuim në jug të Libanit.
Në strehimet e improvizuara, shkolla të shndërruara për të strehuar të zhvendosurit – kushtet ishin edhe më të këqija sesa gjatë inkursionit të fundit izraelit në vitin 2024.
“Ka dyshekë të ndotur, batanije të pista, njerëzit po marrin infeksione dhe irritime në lëkurë”, rrëfeu ai, duke përshkruar një situatë mjerimi të rënduar edhe më shumë nga shkurtimet drastike të ndihmave.

Andrews, i cili drejton komitetin e zhvillimit në Parlamentin Europian, vizitoi Libanin dy javë pasi Hezbollah, një aleat i Iran, hodhi raketa drejt Izraelit, duke shkaktuar sulme masive hakmarrëse nga forcat izraelite.
Pas kthimit, ai ishte ndër eurodeputetët e parë që kërkuan nga Bashkimi Europian rikthimin e sanksioneve ndaj Izraelit. Sipas tij, BE duhet të reagojë jo vetëm ndaj sulmeve në Liban, por edhe ndaj dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor, sulmeve ndaj personelit shëndetësor në Rripin e Gazës dhe mundësisë së rikthimit të dënimit me vdekje për palestinezët pas një votimi në Knesset.
Megjithatë, një muaj pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin, BE një nga aleatët më të afërt dhe partnerët kryesorë ekonomikë të Izraelit – nuk ka ndërmarrë hapa konkretë përtej deklaratave.
Kritikët thonë se blloku ka mundësi të përdorë peshën e tij ekonomike dhe diplomatike.
“Kur Bashkimi Europian mban një qëndrim parimor për këto çështje, izraelitët i kushtojnë vëmendje”, tha Andrews.
Një nga mjetet kryesore të presionit është marrëveshja e asociimit BE-Izrael, një marrëveshje tregtare dhe bashkëpunimi që mbështet një marrëdhënie prej rreth 68 miliardë eurosh dhe përfshin fusha si energjia dhe kërkimi shkencor.
Ish-përfaqësuesi i BE-së në territoret palestineze, Sven Kühn von Burgsdorff, mendon se kjo marrëveshje duhet pezulluar, së bashku me ndalimin e mbështetjes ushtarake dhe tregtisë me vendbanimet e paligjshme. Ai paralajmëron se pa veprime konkrete për mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar në Gaza dhe Bregun Perëndimor, reputacioni i BE-së do të dëmtohet rëndë.
“Fjalët e zakonshme të shqetësimit nuk mjaftojn- bëhen të pavlera kur nuk shoqërohen me masa konkrete”, u shpreh ai.
Andrews e cilësoi reagimin e BE-së ndaj luftës dhe sulmeve izraelite në Liban si “të dobët dhe të mjerë”, duke shtuar se kjo krijon përshtypjen se Izraelit i jepet vazhdimisht “leje” për të kryer shkelje.
Nga ana e saj, Komisioni Europian dënoi votimin në Knesset për dënimin me vdekje si “shqetësues” dhe “një hap prapa”, ndërsa Këshilli i Europës e quajti atë të papajtueshëm me standardet moderne të të drejtave të njeriut.
Në terren, bilanci i luftës mbetet i rëndë: mbi 1.240 persona janë vrarë në Liban gjatë katër javëve të fundit, përfshirë të paktën 124 fëmijë, ndërsa mbi 1.1 milion njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Ndërkohë, në Gaza janë vrarë të paktën 673 persona që nga armëpushimi i tetorit, duke e çuar numrin total të viktimave në mbi 72.000.
Ngurrimi i BE-së për të ndërmarrë masa më të forta nuk është i ri. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kishte propozuar më parë sanksione të paprecedenta ndaj Izraelit, duke përmendur krizën humanitare në Gaza dhe rrezikun për zgjidhjen me dy shtete. Megjithatë, këto masa nuk morën mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare.
Brenda BE-së vazhdojnë ndarjet: vende si Irlanda, Spanja dhe Sllovenia mbështesin fort kauzën palestineze, ndërsa Gjermania dhe Austria janë më të rezervuara në kritikat ndaj Izraelit. Ndërkohë, kryeministri hungarez Viktor Orbán ka luajtur rol kyç në bllokimin e disa masave.
Pavarësisht kësaj, kontaktet diplomatike me Izraelin vazhdojnë. Megjithatë, sipas Kühn von Burgsdorff, Europa duhet të mbajë një qëndrim më të fortë: “Nuk është në interesin e saj të perceptohet si një ndjekëse e një presidenti amerikan të paparashikueshëm apo e një kryeministri izraelit luftënxitës. Kjo dëmton marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës.”
Burimi: The Guardian/ Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje