Nga Gazeta 'Si' - Një fetë bukë me gjalpë është bërë e shtrenjtë sot. Të gatuash me gjalpë ushqime edhe më të sofistikuara, është edhe më shtrenjtë.
Që nga fillimi i nëntorit, çmimi i gjalpit në supermarketet shqiptare është rritur 30-35% duke arritur në 1700 lekë/kg nga 1200 lekë që ishte në tetor.
Edhe produktet e tjera të bulmetit kanë ndjerë një rritje prej 10%, kryesisht gjiza edhe djathi.
Tregtarët thanë për Gazetasi.al se në dhjetor mund të ketë sërish një rritje të lehtë çmimesh për shkak se atëherë janë edhe përgatitjet më të mëdha për bakllavanë, për të cilën gjalpi është ingridient kryesor.
Rritja e cila është ndjerë në kompani si “Vita” apo “Lufra” do të ndihet shpejt edhe në kompanitë e tjera që merren me përpunimin e qumështit.
Donjaldo Hoxha, nga Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, deklaroi se rritja e çmimeve vjen për faktin se fabrikat po blejnë nga fermerët qumësht me çmim rreth 50% më të lartë. Kjo, për shkak se kostot e ushqimit të bagëtive, kryesisht himet, janë dyfishuar.
Ndërsa sipas blegtorëve, rënia e numrit të krerëve të bagëtive vitin e fundit po shkakton të gjithë krizën e bulmetit dhe rritjen e shpeshtë të çmimeve.
Nga një takim në Gjirokastër, më 19 tetor, kryeministri Edi Rama deklaroi se sot Shqipëria prodhon 97% të qumështit që konsumojmë dhe se nuk ka rënie të numrit të krerëve.
“E dalin thonë nuk ka më lopë, nuk ka më dhi, nuk ka më dele. Po mirë këtë qumështin mushkat e bëjnë apo gomerët?”, tha Rama asokohe.
Por në fakt, referuar shifrave zyrtare të INSTAT, pesë vitet e fundit numri i krerëve të blegtorisë ka rënë ndjeshëm. Konkretisht, në 2017 në vend numëroheshin 349 mijë lopë ndërsa në fund të vitit të shkuar numri i tyre është pakësuar në 71 mijë.
Edhe mbyllja e fermave të vogla, një problematikë për të cilën Gazetasi.al ka shkruar dhe më parë, ka ndikuar jo pak në çmimet e bulmetit.
Ervin Resuli, ekspert bujqësie që njëkohësisht zotëron edhe fermën e tij me gjedhë, thotë për Gazetasi.al se të gjithë kostot për krerë të cilat janë rritur deri në 50% janë transferuar tek shitja e qumështit.
Ai e ka ngritur shpesh këtë problematikë duke theksuar që më të rrezikuarat për faliment janë fermat e vogla dhe të mesme nga 3 deri në 50 krerë.
“Vetëm për të justifikuar koston e ushqimit, një lopë duhet të prodhojë të paktën 28-30 litra qumësht në ditë, por ndërkohë bizneset e fermave përballen me kosto të tjera të fuqisë punëtore, transportit etj. Fermat e vogla kanë fitime edhe më të ulëta nga qumështi me 50-60 lekë”, thotë ai.
Kësaj mungese të qumështit në treg, për fabrikat i është shtuar edhe shtrenjtimi i plastikës, energjisë dhe gazit.
Përpunuesit pohojnë se gjenden më në vështirësi se në 2019-n, kur TVSH-ja u ul nga 20% në 6% pasi me ndryshimet fiskale të vitit të kaluar, nga 1 janari fermerëve iu ngarkua edhe 10% i TVSH-së te çmimet e inputeve bujqësore të importit, që prej 2018-s nuk taksoheshin.
Sipas Donjald Hoxhës, nëse nuk do të merren masa dhe ndërhyrje në ndihmë të blegtorisë, prodhimi vendas nuk do mbulojë nevojat e përpunuesve dhe në vend do mbizotërojnë produktet e importit.
INSTAT na tregon se 56% të totalit të qumështit me jashtë e zënë importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnjë-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shtete të tjera të Europës.
Për vitin 2021, rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia, me 71% më shumë se në 2020-n.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.