Mjedis

Pse është aq e vështirë për të ‘shpëtuar’ nga insektet si tartabiqet

Insektet në mbarë botën po zhvillojnë rezistencë ndaj insekticideve dhe infektimet po bëhen tituj. Si të sillemi me to?

Franca është aktualisht nën pushtimin e insekteve.

Këtë vit, në Paris, janë raportuar insekte në shkolla, trena, spitale dhe kinema. Por infektimi ka disa kohë që po rrit ritmin. Në vitin 2020, një njësi e tërë në një spital francez duhej të mbyllej pasi një pacient kishte future në spital insekte. Vendimi për mbylljen e njësisë u mor pasi hetimet duke përdorur një qen nuhatës zbuluan se katër dhoma ishin të infektuara. Mbyllja zgjati 24 ditë dhe kushtoi afërsisht 400,000 dollarë për t'u trajtuar.

Tashmë insektet janë rikthyer dhe janë bërë një problem në rritje në qytetet në mbarë botën gjatë dy dekadave të fundit. Udhëtimi global, i cili ka lejuar insektet të kapërcejnë kontinente të fshehura mes bagazheve të pasagjerëve e ka bërë më të lehtë përhapjen e tyre. Por sapo të fitojnë një terren diku, një studim i fundit sugjeron se ata gjithashtu mund të bëhen më të vështirë për t'u trajtuar.

Në vitin 2005, Warren Booth, një studiues në Karolinën e Veriut, filloi të bënte një eksperiment në dukje të çuditshëm. Ai kontaktoi kompanitë që merreshin me studimin e insekteve dhe u kërkoi atyre t'i dërgonin insekte të zakonshme, të njohur si Cimex lecularius. Midis 2005 dhe 2009, ai arriti të mbledhë 161 shembuj nga 38 shtete të SHBA-së, secila e marrë nga një infektim i veçantë. Ai synonte t'i studionte ato, por kërkimi i tij u ndërpre kur iu dha një punë si gjenetist nga Universiteti i Tulsa.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ai u bashkua me studenten Cari Lewis, e cila kishte grumbulluar një koleksion prej 233 insektesh të marra nga shtetet e SHBA nga viti 2018 deri në 2019. Së bashku ata kishin një rezervë mbresëlënëse. Por çfarë bënë me to? Duke qenë gjenetistë, ata filluan të renditin ADN-në e insekteve.

Me kalimin e viteve, insektet kanë fituar tre mutacione të ndryshme në gjenet që kodojnë kanalet e natriumit, gjë që parandalon lidhjen e insekticideve me to. Nuk e dimë saktësisht se kur u zhvilluan mutacionet, por ato kanë ekzistuar të paktën që nga vitet 1950.

Megjithatë, deri më tani shkalla e këtyre mutacioneve të pranishme në popullatën e insekteve ka qenë e vështirë të matet.

Studimi i Booth dhe Lewis tregoi se 36% e insekteve të vjetra të mbledhura në SHBA midis viteve 2005-2009 kishin një mutacion të vetëm në gjenin e tyre të kanalit të natriumit, ndërsa 50% kishin fituar dy mutacione. Vetëm 2.5% e popullsisë nuk kishte mutacione, dhe për këtë arsye ishin të ndjeshëm ndaj insekticideve.

"Sa herë që keni një nga mutacionet, rezulton në një rezistencë disa qindra herë ndaj insekticideve”, thotë Booth.

Në mostrat më moderne të insekteve nga 2018-2019, 84% e insekteve kishin fituar dy mutacione në gjenin e tyre të kanalit të natriumit, duke u dhënë atyre mbrojtje totale. Asnjë insekt i vetëm nga mostrat më të fundit në SHBA nuk ishte i ndjeshëm ndaj insekticideve.

Booth dhe Lewis ia atribuojnë këtë ndryshim përdorimit të gjerë të insekticideve të zakonshme pa recetë.

“Njerëzit nuk duan të shpenzojnë qindra apo mijëra për të trajtuar çimkat nëse mendojnë se mund të zbresin në dyqanin më të afërt dhe të blejnë një shishe insekticid prej 5,99 dollarësh për t'i vrarë ato”, thotë Booth.

A është e njëjta gjë në pjesën tjetër të botës? Në vitin 2018, Booth punoi me Ondrej Balvin, një ekolog në Universitetin Çek në Pragë. Së bashku ata renditën gjenet e 393 insekteve të marra nga 131 vende unike të infektimit në të gjithë Europën. Vendet përfshinin Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Poloninë, Suedinë si dhe të tjera. Ata zbuluan se vetëm 3.8% e insekteve ishin të ndjeshëm ndaj insekticideve piretroide, me 93.5% të insekteve që kishin një mutacion të vetëm. Ndryshe nga SHBA, megjithatë, asnjë nuk kishte fituar dy mutacione.

“Në Europë, Azi dhe Australi, ne zbulojmë se në vend që të kenë të dyja mutacionet, insektet priren të kenë vetëm një nga ato mutacione”, thotë Booth.

 A do të shpëtojmë ndonjëherë nga insektet?

Kohët e fundit, studiuesit kanë gjetur gjithashtu mutacione të dyfishta të kanalit të natriumit në popullatat e insekteve në Paris. Një analizë e 156 ekzemplarëve të insekteve të mbledhura nga ndërtesat përreth kryeqytetit francez në vitin 2019 zbuloi se 73% mbanin mutacione të dyfishta, të cilat mund të qëndrojnë pas shpërthimit të fundit të insekteve në qytet.

Në një studim të vitit 2016, shkencëtarët në Universitetin e Sidneit të Australisë gjetën prova se ‘insektet e shtratit’ kanë zhvilluar një ekzoskelet më të trashë për të ndaluar thithjen e pesticideve në trupin e tyre. Sa më e lartë të jetë rezistenca e insekteve të shtratit ndaj insekticideve piretroide, aq më e trashë ishte guaska e jashtme ose kutikula.

Sipas Booth, insektet po ndryshojnë gjithashtu sjelljen e tyre për të shmangur helmimin.

"Nëse shikoni një insekt, ata janë mjaft të sheshtë në tokë," thotë Booth. "Megjithatë, ne po shohim disa tani që mund të ngrihen në këmbë dhe të mbajnë trupin e tyre jashtë sipërfaqes, duke i lejuar ata të minimizojnë pjesën e trupit të tyre që bie në kontakt me insekticidin."

Sjellja e insekteve e bën të vështirë trajtimin e tyre edhe në mënyra të tjera. Insektet e shtratit kanë tendencë të ecin nga një vend në tjetrin dhe të fshihen në të çara të vogla.

Çfarë mund të bëjmë për të mposhtur insektet? Një opsion është trajtimi termik, i cili përfshin ngrohjen e dhomës ose të gjithë pronës në një temperaturë të lartë. Në një studim të këtij viti, studiuesit morën 5,400 insekte të rritur nga 17 vende të infektuara në Paris. Ata i ndanë në pesë grupe dhe e vendosën secilin grup në vende të ndryshme për të simuluar mjedisin e tyre natyror. Studiuesit më pas i nënshtruan insektet ndaj nxehtësisë. Të gjithë insektet u vranë pas vetëm një ore pasi u ngrohën në 60°C.

Sidoqoftë, një studim i vitit 2021 zbuloi se insektet e shtratit kanë një tendencë për të ikur kur bëhet shumë nxehtë. Ky mund të jetë problem, veçanërisht në ndërtesat shumëkatëshe, ku insektet thjesht mund të lëvizin nga një apartament në banesën e një fqinji.

Studiuesit po zhvillojnë biopesticide me bazë natyrale, ndaj të cilave insektet janë më pak në gjendje të zhvillojnë rezistencë. Ndryshe nga pesticidet kimike, të cilat kërkojnë ekspozim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë për të qenë vdekjeprurës, këto kapen nga çimkat kur ecin nëpër sipërfaqen e spërkatur.

Ka shpresë se me politikat e duhura mund të menaxhohen infeksionet.

Një studim i vitit 2022 zbuloi se numri i ankesave të insekteve në Nju Jork u ul ndjeshëm midis 2014 dhe 2020, pasi qyteti prezantoi ligje që kërkonin që pronarët të raportonin infektimet dhe të njoftonin të gjithë banorët në ndërtesë. Pronarët gjithashtu duhet të trajtojnë infektimet brenda 30 ditëve. Megjithatë, në këtë studim, bashkitë me të ardhura më të larta (Manhattan dhe Brooklyn) panë rënie më të mëdha sesa bashkitë me të ardhura më të ulëta të Queens dhe Staten Island. Në shumë zona me të ardhura të ulëta, raportet për infektime vazhduan. Modele të ngjashme janë parë edhe në qytete të tjera amerikane, si Çikago.

A do ta mposhtë ndonjëherë njerëzimi për mirë këtë bezdi të vazhdueshme?

“Nëse mendoni se do të shpëtoni ndonjëherë prej tyre, përgjigjja është jo”, thotë Booth. Fatkeqësisht, çimkat janë me ne derisa të zhdukemi nga ky planet.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë