Treg

Pse i eksportojmë lirë produktet bujqësore?!

Nga Gazeta “SI” – Në një raport të fundit, Banka Botërore thekson si pengesë kryesore për eksportet e prodhimeve agrokulturore shqiptare, mungesën e certifikatës së cilësisë për kompanitë eksportuese (FSC 2200), ku vetëm dy e ofrojnë një të tillë të tillë.

Eksperti i agrobiznesit dhe drejtuesi ekzekutiv i studios së konsulencës AASF, Ilir Pilku, thotë për Gazetasi.al se mungesa e këtij certifikimi nuk është problem dhe se pengesat janë disa të tjera.

Sipas tij ka një sërë elementësh që pengojnë eksportet shqiptare drejt vendeve të BE-së, lidhur edhe me çmimet e tyre, ku listohen mosbashkëpunimi i kompanive me prodhuesit, mbiprodhimi dhe veprimtaria pa kontrata të rregullta.

LEXO EDHE:
– Braçe denoncon me emra grumbulluesit e shalqirit: Kartel i ndyrë, po shesin 3-4 herë më shumë. Krifca: Është treg i lirë
– Skandal/ Vetëm dy kompani certifikimi të cilësisë, BB: Dikton presion te fermerët për çmime të ulta

Nisur nga raporti i BB-së, drejtuesi i AAFS-së, shpjegon se mungesa e certifikatave të cilësisë vjen për shkak të kërkesës së ulët nga kompanitë e huaja blerëse për këtë certifikim, pasi janë vullnetare për kompanitë dhe jo të detyrueshme, por kanë të detyrueshme atë fito-sanitare.

“Standardet e përmendura ISO, FSCC, Global Gap apo BRC etj. janë standarde vullnetare, ndërkohë që eksportet bujqësore shqiptare kanë si detyrim nga BE-ja, pajisjen me certifikatën fito-sanitare (të shoqëruar me analizat e ISUV ose laboratorë privat) dhe atë për përpunuesit dhe prodhuesit, standartin HACCP”, shpjegon eksperti.

Ai shton se supermarketet dhe hipermarketet europiane janë më shumë të interesuara për GAP, standardi i praktikave të mira bujqësore globale, pjesë e të cilës është edhe analiza e mbetjeve të pesticideve dhe plehrave kimike në produktet bujqësore (analiza e MRL) e cila kryhet vetëm në laboratorë të akredituar ndërkombëtarisht, ku në Shqipëri është vetëm një i tillë. Ndërsa për certifikimin GAP, janë vetëm dy inspektorë/auditues të licencuar për të kryer inspektimin e certifikimit të standartit, gjë që sipas ekspertit ul ndjeshëm kostot e certifikimit. 

Ilir Pilku

BB thotë se prezenca e vetëm dy kompanive të certifikuara për cilësinë, rrit mundësitë që të dyja këto kompani të funksionojnë në kuadër të një duopoli dhe të fiksojnë çmimet e blerjes së produkteve të fermerëve shqiptarë.

Drejtori i AASF, Ilir Pilku, shpjegon se zinxhiri i vlerës së eksporteve nuk është i harmonizuar nga vendi i origjinës në vendet e BE-së, për shkak të vetë eksportuesëve.

Ai liston të parën, mungesën e kooperimit midis prodhuesve dhe grumbulluesve/eksportuesve ose implementimi i formës “Contract Farming”, që ka sjellë shpesh kaos në kanalet e tregut, si mbiprodhim të pa-ofertuar apo e kundërta, mungesë produkti të kërkuar në tregun e eksportit.

Pilku shton se eksportuesit nuk kanë interes dhe nuk ndihmojnë prodhuesit, lidhur me produktet që kërkohen.

“Në përgjithësi eksportuesit nuk paraqesin interes ose nuk kryejnë hapa bashkëpunimi në asistimin e fermerëve me fidanë të varieteteve të kërkuar nga eksporti dhe të shoqëruar me kartën teknologjike të agro-teknikës.”

Në fund, eksperti i çështjeve bujqësore tregon se dhe vetë eksportuesit, nuk operojnë me kontrata te rregullta me furnitorët e huaj, duke bllokuar apo penguar aktivitetin normal dhe të sinkronizuar të eksporteve dhe vlerës së tyre.

Në raportin e BB-së, thuhet se fermerët shqiptarë po i shesin më lirë se kushdo në rajon produktet e tyre. Banka sqaron se kjo lidhet me vendet ku eksportohen produktet shqiptare, që sipas të dhënave të Instat janë kryesisht vende të rajonit, si Serbia, Maqedonia e Veriut, apo Kosova e Bosnja.

Eksperti tregon për Gazeta “Si”, se janë pikërisht vendet e Ballkanit bashkë me Republikën Çeke, ku drejtohet prodhimi shqiptar, kryesuar nga domatja, (68 mijë ton në 2020).

“Ndërkohë një peshë relativisht të kënaqshme zënë bostanoret që kanë një treg të konsoliduar në Lituani, Estoni, Kroaci, Çeki etj. me një volum prej rreth 43 mijë ton dhe vlerë të gjeneruar prej rreth 8.4 milion dollarë”, tregon eksperti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë