Gazeta Si – Mekanizmi me të cilin truri vendos nëse një ngjarje, një moment në jetë, apo edhe një informacion duhet të mbahet mend apo të harrohet, është misterioz.
Mund të thuhet se truri vendos, si të thuash, pa u konsultuar me ne, edhe pse truri është mendja dhe mendja jemi ne.
Pak paradoksale, por ndihmon të kuptohet se sa pak e kuptojmë sistemin për përzgjedhjen e ngjarjeve dhe informacionit për t’u futur në kujtesë.
Roli i përfshirjes emocionale
Tani, një studim i botuar në “Science Advances” hedh dritë mbi këtë mekanizëm, duke arritur në përfundimin se ngjarjet me pak rëndësi mund të fitojnë një vend të pamerituar në kujtesën tonë nëse ato mbeten “të lidhura” me ngjarje të tjera që hyjnë në sistemin e kujtesës, sepse karakterizohen nga një përfshirje intensive emocionale.
Një shembull ndihmon për të kuptuar mekanizmin: ata që përjetuan 11 shtatorin 2001, padyshim do të kujtojnë se ku dhe me kë ishin, kur dëgjuan për herë të parë lajmin e sulmit në Kullat Binjake në Nju Jork, informacion që truri nuk do ta kishte regjistruar nëse nuk do të ishte shoqëruar me atë ngjarje shumë emocionale.
Vendi dhe situata në të cilën u gjendën atë ditë, do të ishin zhytur në një harresë gjenerike së bashku me ato të çdo dite tjetër.
Forcimi dhe dobësimi i kujtimeve
“Kujtesa nuk është një mjet pasiv regjistrimi”, thotë Robert Reinhart, profesor i asociuar i Shkencave të Psikologjisë dhe të Trurit në Kolegjin e Arteve dhe Shkencave të Universitetit të Bostonit dhe bashëkautor i studimit.
“Neuroshkencëtarët njohës kanë kërkuar prej kohësh të zhvillojnë strategji për të forcuar kujtimet e dobishme dhe për të dobësuar ato të dëmshme. Studimi ynë sugjeron që rëndësia emocionale e kujtimeve mund të shfrytëzohet posaçërisht për të arritur këto qëllime”.
Studime të mëparshme
Studimet e mëparshme kanë demonstruar përvojë të përbashkët – se ngjarjet e jetës me një ndikim më të madh emocional kanë tendencë të mbahen më lehtë në kujtesë – por deri më tani, lidhja midis këtyre kujtimeve dhe kujtimeve të tjera të lidhura nuk ishte demonstruar eksperimentalisht.
Studimi i kryer nga Reinhart dhe kolegët e tij përfshinte gati 650 pjesëmarrës, shqyrtoi 10 studime të mëparshme dhe gjithashtu përdori analizën e inteligjencës artificiale, duke demonstruar përmirësimin efektiv të kujtimeve të lidhura.
Studimi i ri mbi 650 persona
Në hulumtim, pjesëmarrësve iu treguan dhjetëra imazhe me ndikim të ndryshëm emocional dhe më pas iu nënshtrua një testi surprizë kujtese ditën tjetër. Studimi, ndër të tjera, zbuloi gjithashtu se sa më gjatë të zgjaste një ngjarje e spikatur, aq më e madhe ishte gjasa që gjithçka që ndodhi më pas të mbahej mend.
Megjithatë, ngjarjet që i paraprijnë ngjarjes së spikatur kanë tendencë të regjistrohen vetëm nëse kanë një përmbajtje të ngjashme.
“Kjo është hera e parë që është treguar se truri rikuperon kujtimet e dobëta gradualisht, i udhëhequr nga ngjashmëria e tyre me ngjarjet emocionale”, thotë Chenyang Lin, autori i parë i punimit dhe një student doktorature në laboratorin e Reinhart.
Hulumtimi zbuloi gjithashtu se kur ka një sekuencë ngjarjesh me përmbajtje të lartë emocionale, efekti i përmirësimit të kujtesës është më pak i dukshëm, kështu që truri duket se i jep përparësi kujtimeve të brishta që përndryshe do të humbisnin.
Zbatimet për stresin post-traumatik
Studimi nga laboratori i Robert Reinhart jo vetëm që eksploron mekanizmat që qëndrojnë në themel të formimit të kujtimeve të lidhura me ngjarjet emocionale, por gjithashtu ofron njohuri që mund të jenë të dobishme për zhvillimin e teknikave të reja të të nxënit bazuar në çiftëzimin e përvojave emocionale me informacionin që dikush dëshiron të ruajë.
Autorët gjithashtu tregojnë mundësinë e zbatimeve klinike në të ardhmen. Pasi të kuptohen mekanizmat themelorë, besohet se teknikat e synuara të manipulimit të kujtesës mund të zhvillohen, për shembull, për të lehtësuar rikuperimin e kujtimeve tek ata që po i humbasin ato për shkak të proceseve neurodegjenerative, siç është demenca.
Por koncepti mund të përmbyset: për shembull, ata që vuajnë nga çrregullimi i stresit post-traumatik vuajnë nga një tepricë kujtimesh të lidhura me traumën dhe do të kërkonin teknika të synuara të fshirjes së kujtesës.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



