Gazeta Si – Tani, ndërsa diplomatët nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara takohen në Arabinë Saudite për të negociuar një armëpushim në Ukrainë, po flitet përsëri për negociatat e fundit të paqes, të cilat datojnë në pranverën e vitit 2022 dhe pse ato dështuan.
Një kontekst i vogël i atyre ditëve. Divizionet ruse kishin depërtuar kufirin ukrainas në disa vende dhe ishin përpjekur të arrinin në qytetet më të rëndësishme, si kryeqyteti Kiev dhe Kharkiv.
Ata kishin arritur në lagjet periferike, por u përballën me rezistencë të papritur nga ushtarët ukrainas dhe u detyruan të tërhiqen.
Operacioni për kapitullimin e Ukrainës, i cili sipas planeve ushtarake të Rusisë duhej të zgjaste disa ditë, kishte dështuar.
Në ato ditë, presidenti rus Vladimir Putin u detyrua të pranonte se ideja e një Blitzkrieg për të pushtuar Ukrainën ishte joreale.
Filloi një luftë e gjatë dhe e dhimbshme, e përbërë nga bombardime në qytete, fitore dhe disfata nga të dyja anët, me qindra mijëra të vdekur dhe të plagosur, por pak ndryshime në terren. Sot ushtarët rusë kontrollojnë 20% të territorit ukrainas, si në vitin 2022.

Midis marsit dhe prillit 2022, dy ekipe negociatorësh rusë dhe ukrainas u takuan fillimisht në Bjellorusi dhe më pas në Turqi, me disa takime videokonferencash në mes, për të arritur në nënshkrimin e një armëpushimi.
Të paktën 16 drafte të planit të mundshëm të paqes u diskutuan në takime, pa arritur kurrë një marrëveshje.
Ato drafte u panë fillimisht nga “Foreing Affairs”, një revistë e specializuar në çështjet ndërkombëtare e cila botoi disa faqe në prill 2024, dhe më pas nga “New York Times”, e cila i botoi ato në një formë më të plotë në qershor 2024.
Një version që qarkullon shumë, është se ato negociata për paqen dështuan, sepse Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, dhe në veçanti kryeministri i atëhershëm britanik Boris Johnson, i thanë presidentit ukrainas Zelenski që të injoronte kërkesat ruse dhe të vazhdonte luftën.
Putini miratoi këtë version, sipas të cilit Ukraina e pushtuar në shkurt 2022, mund të kishte bërë paqe dy muaj më vonë, por çdo gjë u shty nga Perëndimi për të zgjatur një konflikt katastrofik me Rusinë.
Edhe sot, shumë propagandues pro-Putinit, ose aleatë të tij, i akuzojnë armiqtë se janë ata “që duan të zgjasin luftën”.

Artikulli i “Foreign Affairs” citohet si burim nga ata që mbështesin këtë version, por dy ekspertët që nënshkruan artikullin, Samuel Charap dhe Sergey Radchenko, shkruajnë në një pasazh: “The claim that the Ëest forced Ukraine to back out of the talks ëith Russia is baseless”.
I përkthyer: “Pretendimi se Perëndimi e detyroi Ukrainën të tërhiqej nga bisedimet me Rusinë, është i pabazuar”. Edhe Zelensky e mohoi këtë version pak ditë më parë.
Prandaj, marrëveshja dështoi për arsye të tjera, dhe në veçanti për diskutimin e të ashtuquajturave garanci të sigurisë që kërkonte Ukraina.
Në fakt, negociatorët pyetën veten se si ta parandalonin Rusinë që të sulmonte përsëri vendin fqinj në të ardhmen.
Ukrainasit ishin të gatshëm të bëheshin një vend neutral, i cili nuk u bashkua me aleancat ndërkombëtare dhe nuk priste baza ushtarake me forca të huaja.
Në këmbim, ata kërkuan që disa vende të bëhen, sipas formulës së përdorur në draft, garantues të sigurisë së Ukrainës.

Vendet e kërkuara ishin anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pra Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina, dhe më pas edhe të tjerat: Kanadaja, Gjermania, Izraeli, Italia, Polonia dhe Turqia.
Vendet garantuese, në rast të një sulmi ndaj Ukrainës do të duhet të vendosin se si të reagojnë ushtarakisht brenda tre ditëve nga sulmi.
Ndër opsionet e mundshme: vendosja me forcë e të ashtuquajturës zonë ndalim-fluturimi, pra ndalimi i avionëve të pushtuesve që të fluturojnë mbi Ukrainë (do të thotë rrëzimi i avionëve rusë në rast shkeljeje); t’i sigurojë Ukrainës armë për të luftuar; dërgimi i ushtarëve të tyre për të luftuar përkrah ukrainasve.
Ukraina ra dakord në projekt-marrëveshje, të heqë dorë nga hyrja në NATO, e cila ishte dhe është ende aspirata e saj më e madhe, sepse neni 5 i traktatit të NATO-s thotë se nëse një vend i vetëm anëtar sulmohet, të gjitha vendet anëtare duhet të ndërhyjnë ushtarakisht përkrah tij për të luftuar kundër agresorit.
Të qenit pjesë e NATO-s, do t’i bënte ukrainasit shumë të qetë. Por falë kësaj tërheqjeje, u arrit që një grup vendesh të rëndësishme të premtojnë se do të shkojnë në luftë së bashku me Ukrainën në rast të një sulmi nga Rusia.
Vendet e përmendura, megjithatë, nuk kishin ndërmend të vepronin si garantues ushtarak për Ukrainën dhe të tërhiqeshin në një luftë kundër Rusisë.

Shumë ishin në favor të dërgimit të ndihmës ushtarake për ukrainasit, por ishin kundër një zgjerimi të mundshëm të konfliktit dhe mundësisë për të dërguar ushtarët e tyre për të luftuar.
Në draftin përfundimtar, i cili gjithashtu u shqyrtua personalisht nga Putin, pjesët për të cilat negociatorët nuk ranë dakord, janë shënuar me të kuqe: pasazhet e refuzuara nga rusët tregohen me shkronja të zeza, pjesa e mbetur, janë pjesët e refuzuara nga ukrainasit.
Siç shihet në nenin 5 të projekt-marrëveshjes, rusët (të cilët ishin pjesë e të ashtuquajturave vende garantuese), kërkuan që ndërhyrja ushtarake e vendeve aleate të Ukrainës të bëhej e mundur vetëm pas një vendimi unanim të vendeve garantuese.
Në praktikë: nëse Rusia do të sulmonte përsëri Ukrainën, vendet e tjera garantuese do të hynin në luftë në anën e Ukrainës vetëm nëse Rusia nuk do të kishte vënë veton ndaj këtij vendimi.
Ishte një pretendim që nuk mund të pranohej dhe në fakt nuk u pranua. Drafti mbeti draft dhe nuk u bë asnjë armëpushim.
Ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar që marrëveshjet të dështojnë. Për shembull, në ato ditë, trupat ruse u tërhoqën drejt kufirit të Rusisë dhe kjo forcoi përshtypjen se Ukraina mund t’i rezistonte me sukses pushtimit.
Për më tepër, ukrainasit zbuluan mizoritë e kryera nga ushtarët rusë kundër civilëve në Bukha, një distancë e shkurtër nga Kievi dhe kjo nuk i ndihmoi negociatat.
Në prill, Rusia filloi një ofensivë masive ushtarake në lindje, e cila edhe sot, pas gati tre vitesh, është rajoni i Ukrainës ku luftimet janë më të vështirat.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.