Futboll

Pse dështuan afrikanët?

Skuadrat afrikane regjistruan paraqitjen më të dobët në 36 vite në një Kupë Bote. Nga pesë Kombëtare që morën pjesë në fazën në grupe, asnjëra prej tyre nuk kaloi në fazën e mëtejshme me eleminim direkt.

Shpresat se në Rusi do të bëhej më mirë ishin të larta, nisur edhe nga fakti që katër vite më parë, Nigeria dhe Algjeria ja dolën mbanë që të kalonin grupet. Por, në 15 ndeshje në total, skuadrat afrikane morën 10 humbje, dy barazime dhe vetëm 3 fitore. Çfarë ndodhi? Mungesa e fatit? Teknologjia në Botëror, apo mungesa e dëshirës?

Faraoni i plagosur

Supozohej që ky të ishte Botërori i Egjiptit dhe i Mohamed Salah. Sigurisht, askush nuk priste që Faraonët ta fitonin, por një paraqitje më dinjitoze e kishin që të gjithë në mendje. I vendosur në një grup me Rusinë, Uruguajin dhe Arabinë Saudite mundësitë për të kaluar në fazën tjetër ishin reale. Por, në vend të kësaj Egjipti mori tre humbje dhe shënoi vetëm dy gola.

Mohamed Salah në ndeshjen Egjipt-Arabia Saudite

Në fushatën eleminatore të egjiptianëve, Salah shënoi 7 gola dhe asistoi në 2 të tjerë. Por, në Rusi mbërriti i dëmtuar pas asaj finaleje të Ligës së Kampionëve ndaj Realit të Madridit. Nuk u aktivizua fare në ndeshjen e parë ndaj Uruguajit, në të dytën dhe të tretë ishte krejtësisht jashtë forme.

U zëvendësua nga Marëan Mohsen, që në 23 ndeshje me kombëtaren ka shënuar vetëm një gol, një zëvendësim aspak i denjë për Salah. Por, edhe nëse Salah do të ishte në top formë, vështirë se Egjipti do të shkonte larg. Gabimet në mbrojtje ishin foshnjarake dhe i kushtuan shumë skuadrës.

Pikërisht mbrojtja ishte pika e dobët dhe askush nuk e priste që kjo do të ndodhte në një skuadër të drejtuar nga një trajner pragmatist dhe me filozofi mbrojtëse si Hecto Cuper. Por, pikërisht kjo ndodhi. Ali Gabr dhe Ahmed Hegazi në qendër të mbrojtjes u vendosën shpesh në qendër të gafave dhe në asnjë rast nuk treguan se ishin në lartësinë e një kompeticioni madhor.

Të vetmit që shkëlqyen në repartin mbrojtës ishin portiertë. Mohamed El Shenaëy shkëlqeu ndaj Uruguajit në ndeshjen hapëse, ndërsa Essam El Hadary, 45 vjeç, festoi me stil rekordin e vendosur si lojtari më i vjetër që ka luajtur në finalet e Botërorit duke pritur një penallti ndaj Arabisë Saudite.

Egjipti ka dominuar futbollin afrikan në dekadën e fundit dhe kur pritshmëritë janë të mëdha, zhgënjimet po ashtu janë të mëdha. Në ndeshjen ndaj Arabisë Saudite ishte hera e parë në një botëror që egjiptianët kalojnë të parët në avantazh, por në fund nuk arritën që ta ruajnë atë avantazh dhe fitorja që mungon prej 84 vitesh nuk mbërriti sërish.

Luanët e Atlasit dështojnë paq, por me nder

Fushata e Marokut nisi në mënyrën më të tmerrshme të mundshme. Ndeshjen me Iranin trajneri Herve Renard e quajti një finale. Kishte të drejtë se menjëherë pas kësaj do të takohej me Portugalinë dhe Spanjën. Por, një autogol i shkatërroi të gjitha planet. Irani mori tre pikët e para ndaj marokenëve dhe demoralizoi skuadrën.

Tifozë të Marokut në Rusi

Në ndeshjen ndaj Portugalisë u ndëshkuan shpejt nga Cristiano Ronaldo, por goli duket se ndezi akoma më shumë dëshirën e afrikanëve, që të luftonin deri në frymën e fundit për kualifikimin. Ndeshja ndaj Portugalisë në vazhdim pati vetëm një ritëm, atë të Marokut. Skuadra ishte e rrjedhshme, e qartë në mbrojtje dhe mesfushë, por i mungoi ai që ka më shumë rëndësi në futboll: goli.

Përballë Spanjës ishte në lojë vetëm krenaria, pasi Maroku ishte i eleminuar. Skuadra e Herve Renard tregoi se ndaj Portugalisë nuk ishte një paraqitje rastësore dhe nëse Spanja nuk do të gjente atë gol të barazimit 2-2 në minutat e fundit të takimit, do të kishte pësuar humbjen e parë pas 23 ndeshjesh.

Spanja kishte në fushë shtatë lojtarë nga Reali dhe Barcelona dhe pjesa tjetër nga Manchester City, Manchester United, Bayern Munich dhe Atletico Madrid. Pra, ishte një ndeshje që nxorri në pah cilësinë e vërteta të Marokut.

“Janë një skuadër e shkëlqyer. Kanë humbur dy ndeshje me rezultatin 1-0, por meritonin shumë më shumë”, deklaronte në fund të takimit, Fernando Hierro, trajneri i Spanjës.

Vështirë të mos biesh dakord me Hierron në këtë pikë.

Nigeria, e ardhmja premton

Humbja ndaj Argjentinës në minutat e fundit mori shumë kritika në vendlindje dhe të gjithë pyesin se përse skuadra nuk u mbyll në mbrojtje të rezultatit që e kualifikonte. Eleminimi është i hidhur, por në total e gjithë fushata e nigerianëve ishte pozitive.

Moses i gëzohet një goli të shënuar për Nigerinë

Shorti e vendosur në atë që u quajt “Grupi i Vdekjes”, me Argjentinën dhe Kroacinë, por skuadra me moshën më të re në këtë turne ishte vetëm katër minuta larg kualifikimit. Është një rezultat tejet pozitiv për një ekip që ka në përbërje 18 lojtarë që nuk kishin luajtur kurrë në një Kupë Bote.

Nuk ishte Nigeria që kishte në përbërje talentin dhe klasin e asaj të viteve ’90, por ishte solide dhe me një shpirt skuadre për t’u lëvduar.

“Mendoj që e ardhmja e Nigerisë është e sigurtë. Ka një solidaritet të madh në skuadër dhe në momentet e vështira ekipi jepte gjithmonë më të mirën”, deklaronte pas eleminimit, trajneri gjerman i afrikanëve, Gernot Rohr.

Tunizia, sa e dobët

Sa për Tunizinë, e vetmja gjë që mund të thuhet është se nuk ishte asnjëherë në lartësinë e duhur për të realizuar surprizën, ose të paktën për të vendosur në vështirësi skuadra si Belgjika dhe Anglia. Këtë e pranoi edhe trajneri.

“Jemi shumë larg nivelit që kërkojmë”, deklaronte Nabil Maaloul.

Lojtarë tunizianë dëshpërohen pas humbjes së një rasti goli

Ndaj Anglisë rezistenca zgjati deri në minutat shtesë dhe me pak fat mund të ishte larguar me një barazim, që do të kishte qenë i pamerituar, pasi skuadra pak bëri në fushë për të vënë në vështirësi kundërshtarët.

Në ndeshjen e dytë u shkatërruan 5-2 nga Belgjika, ndërsa në fund morën një fitore 2-1 ndaj Panamasë, e para që prej vitit 1978 në një botëror. Në fund u larguan me një ndjesi pozitive si skuadra afrikane me më shumë gola të shënuar, plot 5.

Senegali, shpresa e fundit

Pas fitores ndaj Polonisë dyshimet e mëdha që lindën kishin të bënin nëse kjo fitore erdhi si rezultat i forcës së kësaj skuadre, apo si rezultat i nivelit të Polonisë.

Tifozë të Senegalit të zhgënjyer pas eleminimit

Barazimi 2-2 ndaj Japonisë ishte ndeshja që deri në atë moment kishte argëtuar më shumë tifozët, por la për në fund diskutimin e kualifikimit dhe ndaj Kolumbisë u provua që shpërdorimi dy herë i avantazhit ndaj japonezëve ishte i gabuar. Në fund, ishin pikërisht aziatikët që vazhduan më tej falë lojës korrekte, rregullit që u zbatua për herë të parë në botëror, pasi Japonia dhe Senegali ndanin pikë të barabarta dhe golavarazh të barabartë.

Për të vendosur u thërrit rregulli i Fair Play, apo ai i kartonëve. Me këtë rregull, skuadra e ndëshkuar më shumë me kartona eleminohet dhe këtu, Senegali kishte 6 kartona të verdhë, ndërsa Japonia 4 të tillë.

Senegalit i mungonte cilësia në mesfushë, por në mbrojtje Koulibaly dhe Sane formonin një mur të vërtetë.

A u ndëshkuan afrikanët nga VAR?

Për teknologjinë (Video Assistant Referee) është shkruar e folur shumë deri më tani dhe kuptohet që në këtë pjesë publiku është i ndarë. Nigerianët pretendojnë se VAR-i ndëshkoi, duke deklaruar se ndaj Argjentinës, Marco Rojo duhej të ishte penalizuar kur në një moment kapi topin me dorë. Sipas tyre, për të njëjtin rast, Irani mori një 11-metërsh, ndërsa Nigeria jo.

Megjithatë, pamjet e mëvonshme i dhanë të drejtë gjyqtarit të takimit, që interpretoi qartë rregullat e FIFA-s. Sërish, vendimi mund të kundërshtohet, por VAR jo. Në ndeshjet e tjera, teknologjia i ka shërbyer futbollit dhe ka shpërblyer më të mirët, si në rastin e barazimit të spanjollëve në fund ndaj Marokut, apo edhe tek penalltia për Arabinë Saudite ndaj Egjiptit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë