Treg

Pse Borshi kapi numrin më të lartë të pushuesve në vitet e fundit krahasur me të tjerët?

Turistët që “munguan” në vendet e tjera të jugut, dukej se ishin mbledhur në Borsh këtë sezon.

Tur-operatorët turistikë, të kënaqur përtej pritshmërive me prurjet e tyre, thanë për Gazetasi.al se pas gjithë kësaj qëndron fakti që ai nuk u përfshi nga “jehona” e çmimeve të larta, siç ndodhi me vendet e tjera.

“Borshi në fakt prej vitesh ka mbajtur standard të ulët çmimesh. Si në kafe dhe restorante ashtu edhe në çmimin e shezlongëve apo të strukturave hotelerie, është konsideruar gjithnjë mbase si vendi më ekonomik i jugut për të kaluar pushimet.

Këtë vit numri i turistëve ka qenë më i larti në vitet e fundit. Nuk kemi ende shifra të sakta por e gjithë vija bregdetare prej 7km është e mbushur në çdo cep me turistë”, tha për Gazetasi.al Geni Likaj, një nga përgjegjësit e turizmit.

Në pikun e sezonit një shezlog kushton 500 lekë ndërsa çmimet nëpër restorante janë jo shumë larg prej atyre në kryeqytet.

Megjithatë, entuziazmin e operatorëve turistikë nuk e gjen tek pushuesit në momentin që i pyet për infrastrukturën.

Rruga mbi plazh, e diskutuar prej vitesh në Borsh për gjendjen e saj, është shkatërruar ca më shumë. Të duhen disa minuta më shumë se vitet e tjera që ta përshkosh të gjithën pasi gropat e hapura në të janë shtuar.

Turistët që vlerësojnë maksimalisht detin e kombinimin e tij me malin, shprehen të revoltuar për Gazetasi.al lidhur me infrastrukturën.

“Është e trishtë të shohësh një vend të frekuentuar dhe të pëlqyer nga kaq shumë turistë në këtë lloj gjendjeje. Nuk e kuptoj se si pushtetet e kanë lënë kaq vite pa rregulluar pasi ky fshat është një mrekulli.

Ka një vijë bregdetare shumë të plotë, det dhe natyrë fantastike por e vetmja gjë që do më ngjallte hezitim për të ardhur sërish vitin tjetër, është infrastruktura”, u shpreh për Gazetasi.al Jane, një turiste angleze që kishte ardhur për herë të parë në Shqipëri.

Festivali “South Outdoor” që mbahet në Borsh prej disa vitesh, sjell që në muajin maj rreth 7 mijë turistë të cilëve sipas operatorëve turistikë,minimumi që mund t’u ofrojmë është infrasktruktura.

Të huajt që janë rikthyer sërish pas mbajtjes së festivalit në prill, janë të shumtë.

Ata thanë për Gazetasi.al se asokohe bregdeti ishte shkatërruar duke qenë se po shembeshin shumë nga subjektet që kishin qenë por ishin të lumtur që ishin rikthyer rishtazi për ta parë atë të ‘lulëzonte’ në pikun e tij.

Shumica janë spanjollë por nuk përjashtohen as polakët, anglezët, finlandezët dhe italianët.

Turistë polakë, Borsh

Me shërbimin thonë se janë të kënaqur ndërsa shtojnë se vështirësi kanë patur vetëm me akomodimin pasi pothuajse të gjithë strukturat hotelerie ishin të rezervuara që në fillim të korrikut.

Mungesa e stafit, problemi që ‘rrëzoi’ turizmin

Vasil Bedini, Kreu i Operatorëve Turistikë të Jugut, thotë për Gazetasi.al se problemi që thelloi më tej vështirësitë e turizmit këtë sezon mbetet mungesa e stafit.

Vasil Bedini

Në një përballje botërore edhe Shqipëria, që nga vera e kaluar po përballet me krizën e mungesës së fuqisë punëtore, nga spiralja e së cilës nuk gjeti shpëtim.

Me zbehjen e ngadaltë të efekteve të pandemisë, ajo e pa veten në kushtet e mungesës së madhe të punëtorëve. Hoteleritë, baret dhe restorantet u ‘braktisën’ nga stafet në pikun e sezonit turistik duke i lënë ata tërësisht në dorë të familjarëve. Kështu ata u ngarkuan të bënin vetë rolin e shefit të kuzhinës, banakierit e kamerierit.

Situata, është e njëjtë edhe këtë vit. Turizmit sipas tur-operatorëve i mungojnë rreth 10 mijë punëtorë të cilët janë larguar duke punuar jashtë, duke i lënë bizneset tërësisht në nevojë për ta.

Bedini, shton për Gazetasi.al se është e vështirë të menaxhohet ky rebelim masiv i punonjësve i cili nuk e ka mbajtur shërbimin në nivelet që duhet.

“Është e kuptueshme të dëgjosh njerëz që ankohen për shërbimin pasi nuk ka punëtorë. Një kamerier po bën dhe rolin e banakierit e madje edhe të sanitarit. Bizneset kanë patur shumë vështirësi por nëse situata vijon kështu edhe më tej, turizmi do të rrezikohet më shumë”, mbyll ai fjalinë për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë