Filma

Pse ‘Borëbardha’ e Disney-t po konsiderohet dështim?

Borëbardha po konsiderohet një dështim dhe jo vetëm financiar. A është për shkak se traileri i zymtë dukej si i krijuar nga inteligjenca artificiale? Apo sepse yjet e filmit, Rachel Zegler dhe Gal Gadot, dukeshin sikur i kishin marrë kostumet dhe grimin nga një dyqan festash? Apo sepse filmi përfaqëson statusin e Hollywood-it si një qendër riciklimi për pronat intelektuale të kalbura? Apo sepse është një film që askush nuk e kërkoi, për një princeshë që bie në gjumë?

Perspektiva e ribërjes së “Borëbardhës” ka shqetësuar shumë grupe individësh. Kritikët konservatorë u ankuan se Zegler, që është pjesërisht me origjinë kolumbiane, nuk ishte e bardhë (këto lloj kritikash ishin edhe më të zëshme disa vite më parë, kur aktorja me ngjyrë Halle Bailey u përzgjodh për versionin live-action të “Sirenës së Vogël” nga Disney). Disa u ofenduan nga komentet përçmuese të Zegler për versionin origjinal të vitit 1937. Aktori Peter Dinklage vuri në pikëpyetje arsyen pse kjo histori po rikthehej . “Ju jeni progresivë në një aspekt,” tha ai për përzgjedhjen e Zegler-it, “por përsëri po bëni atë histori të mbrapshtë për shtatë xhuxhë që jetojnë në shpellë”

Në një moment, edhe vetë Disney filloi ta bënte këtë pyetje. Pavarësisht një buxheti prej 270 milionë dollarësh, studioja e uli promovimin dhe premierën, madje mendohet se vonoi edhe mundësinë për të blerë bileta paraprakisht. Aktualisht në IMDb, “Borëbardha” po bombardohet me komente negative , me mbi 91% të përdoruesve që i japin notën më të ulët: 1 nga 10.

Shtypi i industrisë së filmit fajëson Zegler-in. Në një artikull të “Variety” , që premtonte të çonte lexuesit brenda fiascos së ‘Borëbardhës’ së Disney-t,” një agjent i rëndësishëm kritikoi studion për faktin që e lejoi aktoren 23-vjeçare të “kontrollonte narrativën” kur bëri një koment me humor për sjelljen përndjekëse të Princit Florian nga versioni origjinal.

Ndërkohë, skenaristja e filmit, Erin Cressida Wilson, ka thënë se e kishte fokusuar historinë e Borëbardhës te “zbulimi dhe besimi në zërin dhe qëllimin e saj me dhembshuri dhe forcë.”

“Variety” gjithashtu përmendi një episod nga gushti, kur Zegler publikoi në “X” një mesazh falënderimi për fansat dhe më pas shtoi: “dhe gjithmonë kujtoni, lironi Palestinën.”

Artikulli sugjeronte se kjo deklaratë çoi në kërcënime për vdekje ndaj bashkë-yllit të saj, Gadot, që është izraelite. U raportua gjithashtu se një nga producentët e filmit, Marc Platt, u zemërua aq shumë nga deklarata e Zegler-it, saqë fluturoi drejt Nju Jorkut për ta qortuar personalisht.

Ky detaj u duk i ekzagjeruar, por u konfirmua më pas nga djali i tij, Jonah, i cili shkroi në Instagram: “Po, babai im, producenti i një prone të madhe të Disney-t me qindra miliona dollarë në lojë, duhej të linte familjen për të fluturuar në anën tjetër të vendit dhe për të qortuar punonjësen e tij 20-vjeçare për përzierjen e politikës personale në mes të promovimit të filmit, për të cilin ajo kishte nënshkruar një kontratë shumë milionëshe.” Ai shtoi se veprimet e saj qartësisht dëmtonin suksesin në arkë të filmit.

Të fajësosh Zegler-in për dështimin e “Borëbardhës” është gati ironike. Kompania “Disney”  ka një kapital tregu prej rreth 180 miliardë dollarësh, dhe megjithatë, sipas “Variety”, nuk mundi të kapërcejë reagimin e madh negativ që ishte përgatitur si në një kazan përrallash.

Autorja e artikullit shton se fëmijët e saj janë pikërisht në grupmoshën e “Borëbardhës”, dhe nuk mendon se ata nuk donin ta shikonin sepse ylli i filmit kishte opinione jo të matura për Princin Florian, Presidentin Trump apo luftën në Gaza.

Shkaqet e dështimit të filmit janë strukturore dhe të ndërlikuara. Ato përfaqësojnë një industri që nuk ka më ide të reja dhe gjykim të dobët për atë çfarë vlen të ringjallet. Për shembull, Disney së fundmi anuloi një serial që do të bazohej në “Princeshën dhe Bretkosën”, që është ndoshta më moderni dhe më i suksesshmi ndër filmat e princeshave të Disney-t.

Pavarësisht nëse “Borëbardha” do të bëhet simbol i retorikës kundër “woke” gjatë epokës Trump II apo thjesht viktimë e lodhjes nga ribërjet, pikëpamjet dhe identiteti i një aktoreje nuk do të mjaftonin kurrë për të fundosur një film të tillë, e vetme.

Burimi: The New Yorker


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë