Politike

PS thirrje shqiptarëve: Zgjidhni a do shkojmë përpara, apo në drejtim të paditur!

Nga Gazeta ‘Si’- Nga Partia Socialiste, në harkun e dy orëve, zëdhënësja për zgjedhjet Silda Çepe, ka dalë dy herë për t’i bërë thirrje qytetarëve që të votojnë.

Kur kanë ngelur edhe dy orë nga mbyllja e qendrave të votimit, Çepe kërkoi që shqiptarët t’u drejtohen masivisht kutive të votimit, për të vendosur sipas saj nëse Shqipëria do të shkojë përpara drejt Europës apo në drejtim të paditur.

“Deri në mbylljen e kutive të votimit kanë mbetur edhe pak orë dhe çdo votë e juaja ka rëndësi. Në këtë ditë të jashtëzakonshme për demokracinë tonë secili prej jush ka mundësinë të vendosë nëse Shqipëria do të shkojë përpara apo do të shkojë në drejtim të paditur. Prandaj i bëjmë thirrje çdo prindi, çdo nëne, çdo babai, çdo gjyshi e gjysheje, që të mendojnë për fëmijët e tyre, nipërit e tyre dhe të dalin e të votojnë.

Merrni me vete një të afërm, një mik, një fqinj dhe votoni për Shqipërinë që meritoni. Vota juaj është fuqia juaj. Përdoreni atë”, ishte mesazhi i Çepes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë