Politike

PS tërhiqet nga propozimi për Avokatin e Popullit, Balla: Do shqyrtojmë emrat që vijnë nga opozita

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Socialiste është tërhequr nga propozimi për kandidaturat për Avokatin e Popullit. Kjo u bë e ditur nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas mbledhjes së grupit parlamentar socialit. Në një deklaratë për mediat ai tha se do të shqyrtohen kërkesat që vijnë nga PD-ja.

“Besoj që është më e mira e mundshme në këto kushte që ne jemi tërhequr nga propozimi dhe të votojmë një nga kandidaturat e propozuara nga opozita. PS nuk do propozojë asnjë kandidat për Avokat të Popullit. Do të shqyrtojmë kandidaturat që do vijnë nga opozita. Me pas do të vendosim se cilën kandidature do të mbështesim. Shpresoj që PD i mbështesë kandidatët jo vetëm më firma, por edhe në seancën plenare”, tha Balla.

Kreu i grupit socialist njoftoi gjithashtu se avokati i Popullit do të zgjidhet brenda këstij sesioni parlamentar.

“Kriteret i ka përcaktuar ligji dhe kushtetuta ndërsa sa i përket votës së PS kjo do jetë pas një vendimi politik të PS-së. Shpresoj që do ta kemi Avokatin E Popullit brenda këtij sesioni të kësaj legjislature. Qasja jonë është më e mira e mundshme. Fakti që nuk po mbështesim një kandidaturë tregon që po ecim me një traditë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë